Korçë, fishekzjarrët e fëmijës djegin shtëpinë
KORÇË- Fishekzjarrët janë kthyer në një lodër të rrezikshme për të miturit, ndërsa një zjarr i madh ka përshirë një shtëpi në një fshat të Korçës. Protagonist ka qenë një shtatëvjeçar, i cili në mes të ditës hidhte fishekzjarrë duke shkaktuar dhe zhurmë. Por loja e tij solli djegien e një pjese të banesës së Hatixhe Abrashit në fshatin Pirg, ndërsa janë kërcënuar nga përfshirja e flakëve të zjarrit dhe banesat e tjera ngjitur me shtëpinë e gruas. Sipas burimeve të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur paraditen e të martës kur fëmija ishte duke lozur i vetëm jashtë vëzhgimit të prindërve të tij me disa fishekzjarrët. Ndonëse zhurmat e tyre kanë shqetësuar banorëte fshatit, po askush nuk e ka ndaluar fëmijën. Vogëlushi i mitur pa e menduar gjatë ka nisur të hedhë sa andej këndej fishekzjarrët, ndërsa njëri prej tyre ka rënë në një kavaletë kashte në shtëpinë e shtetases Hatixhe Abrashi. Kavaleta është përfshirë nga flakët dhe më pas dhe një pjesë e shtëpisë njëkatëshe të gruas. Gjysma e shtëpisë është djegur. Për fat të mirë, mbërritja në kohë e zjarrfikësve ka fikur zjarrin që po merrte përmasa.