E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i vrasëses: Vajzën ta varin! Po të më lënë, e vras vetë

Intervista Thanas Zhanga rrëfen detaje të jetës së pjellës së vet, që e ka mohuar prej vitesh

Si e mësuat për atë që ka ndodhur më vajzën tuaj në Greqi?

Ngjarjen e mësuam duke parë lajme në televizionet greke, që këtu-këtu ka ndodhur.
Ne ishim ndarë me të për së gjalli, sepse ajo nuk ka dashur t’ia dijë as për fëmijët e saj, jo për neve. Vetëm dinim që punonte në Greqi natë dhe ditë, për fëmijët, dhe mendonim se kishte ndryshuar si njeri, ishte kthyer në rrugë të Zotit.

Si ka qenë si tip?

Ka qenë tip më vete. Që kur ishte 12 vjeçe nuk na dëgjonte fare neve si prindër dhe çdo gjë e bënte sipas kokës së saj. Ne si prindër ia mbulonim. Vetëm 4 klasë shkollë bëri, po ishte e gjallë dhe sa e zgjuar për prapësira...

Po kur u rrit?

ç’të të them?! Merrte një burrë, bënte fëmijë dhe e braktiste, merrte tjetrin.

Sa burra ka marrë?

... me delvinjotin që ishte burri i parë ka dy fëmijë... një tjetër me tepelenasin, një me gjirokastritin dhe një me korçarin e mjerë.

Pse e quan kështu?

Se e vrau, ia mori jetën. Kjo ka ndodhur andej nga viti 1982. Unë vajta atëherë në Korçë se më thirrën nga dega e brendshme. Në lagje thoshin se e kishte çuar në një tunel dhe e kishte djegur. ç’mund të dija unë nga Malësia e Sarandës në Dhivër?!

Po këtyre që thuhen sot për vrasjet e bëra prej saj, u besoni?

I besojmë të gjitha. Ajo ishte kriminele atëherë kur çdo gjë kontrollohej, jo sot që nuk merren vesh gjërat.

Pse u besoni?

Po një njeri që shkëputet nga gjaku dhe njerëzit e saj, ka një arsye të fortë dhe diçka fsheh. Ajo u shkëput nga dy motrat dhe dy vëllezërit, madje edhe nga fëmijët e saj, të cilët i bënte, i lëshonte dhe i rritëm ne. Ajo nuk njeh as fëmijët e fëmijëve, se është bërë gjyshe tani dhe nuk ka treguar asnjë dhembshuri njeriu. Një gjë e rrallë kjo. Pse? Për t’u ndjerë e lirë për prapësira, mendoj unë.

çfarë dini për jetën që bënte së fundi në Greqi?

Në Greqi na thonë se jetonte me një grek me shtetësi amerikane.

Me fëmijët nuk bashkëjetonte?

Jo, ç’thua?! Asaj i pëlqente të bënte jetë më vete që në rini dhe këtë zakon ka edhe tani që është bërë gjyshe e do të ishte një nënë e mirë, do t’u gëzohej edhe nipërve.

Po ata e duan?

Jo, se ata janë në gjendje të gjykojnë veprimet e saj.

Flisnit ndonjëherë në telefon gjatë këtyre viteve?

Nuk bëhet fjalë. Në fshat na vinin fjalë që e kishin parë sa në Athinë, në Selanik, në Patra e Korfuz.

Shkuat në Greqi këto ditë që dëgjuat keq për të, apo mendoni të shkoni?

Vetëm po të më thoshte prokurori dhe gjykatësi do shkoja. Për mua si baba një kriminel ishte Xhevdet Mustafa në Shqipëri, Paloekosta në Greqi dhe vajza ime është e treta.

Njësoj mendojnë edhe motrat e vëllezërit e saj? Keni biseduar?

Po t’u thuash djemve të mi: Shkoni pini gjakun e saj! Do ta bënin. Edhe unë, që jam babai i saj.

Në fisin tuaj ka një tjetër me sjellje të tilla, kujt mendoni se i ka ngjarë?

Nga të vjetrit ka ngjarë, nga një vëllai im, që ka vrarë gruan më 1955. E shtyu nga humnera në mal, ngarkuar me dru. U pushkatua ai.

Cili është dënimi që ju i jepni brenda vetes vajzës suaj?

Ta varin dhe do bëj trapez...(përlotet). Në qoftë se ligji do të më lejonte ta vras, do ta bëj, pa menduar se është fëmija im.

Bisedoi: Thoma Nika

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›