Kryeprokurori i Tiranës transferohet në Apel
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar propozimet e Kryeprokurores Ina Rama për të transferuar drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, si prokuror në Apelin e Tiranës. Pas kësaj lëvizjeje, numri një i akuzës qendrore, Ina Rama, ka lëvizur me shpejtësi, duke i paraprirë një situate që mund të ishte kaotike. Në vend të Xholit, sipas burimeve nga akuza qendrore, Rama ka komanduar prokurorin Sokol Malaj, deri dje drejtues në Prokurorinë e Vlorës. Malaj ka qenë më parë prokuror te Krimet e Rënda, ku ka hetuar disa banda kriminale, midis të cilave bandën e Durrësit. Ndërkohë, gjatë ushtrimit të funksioneve të prokurorit në Vlorë, prokurori Malaj ka drejtuar hetimet dhe ka përfaqësuar prokurorinë në gjykatë në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano. Ndërkohë, Malaj ka kryer një sërë hetimesh në qytetin bregdetar, si ai i mbivendosjeve të pronave në zonën e Jalit, si dhe ka vënë nën akuzë kreun e Hipotekës dhe disa kryetarë komunash, ndërsa ka arritur të zbardhë edhe kontrabandën nga Porti i Vlorës. Tashmë, prokurori Sokol Malaj është transferuar në Tiranë, ku e presin një sërë çështjesh nën hetim dhe gjykim. Sipas burimeve nga akuza qendrore, prokurori Malaj është komanduar për një periudhë 4-mujore, kohë në të cilën do të kryhet edhe procedura për kandidimi për drejtues në Tiranë, proces i cili do të hapet nga Këshilli i Prokurorisë. Duket se kandidaturat do të fillojnë me emrin e prokurorit Malaj, ndërsa pritet që në listë të jenë edhe disa nga drejtuesit e prokurorive në rrethe, pasi posti i drejtuesit të akuzës në Tiranë është më i lakmuar. Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar edhe transferimin e prokurorit Besnik Cani për në Prokurorinë e Fierit. Cani është komanduar prej disa muajsh në Fier, ku ka marrë drejtimin e kësaj njësie, ndërsa tashmë ai është transferuar përfundimisht. Për këtë post ai kandidoi me një prokuror në Vlorë në Këshillin e Prokurorisë dhe gjatë votimit mori katër vota, kundrejt dy votave të kolegut të tij.
#