Masakra e Cërrikut, ballafaqim midis Suvarisë dhe Kuliqit
Ish-shefi i Komisariatit të Elbasanit, Fatos Savaria, paraardhësi i Agron Kuliqit në atë post, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor të ashtuquajtur “Masakra e Cërrikut”. Ai ka deklaruar se largimi i tij nga detyra nuk është pritur mirë nga vartësit, ndërsa në fund dëshmia e tij është kundërshtuar nga organi i prokurorisë, i cili kërkoi një ballafaqim të Suvarisë me Kuliqin.
Suvaria sqaroi pozicionin përballë tragjedisë, momentin e largimit nga detyra, zëvendësimin me Agron Kuliqin dhe ndihmën që ka dhënë për të vendosur rregull pas ngjarjes. Ai i tha gjykatës se ka marrë detyrën si shef i Komisariatit të Elbasanit në 15 mars 1997, deri në këtë kohë ka qenë pranë prefekturës me detyrën e shefit të zyrës së rendit të mbrojtjes dhe emergjencave. Detyrën si shef i komisariatit e ka mbajtur për dy muaj deri në datë 19 maj 1997, ditë kur iu komunikua zëvendësimi me Agron Kuliqin nëpërmjet një zarfi të dorëzuar në zyrë nga tre funksionarë të Ministrisë së Brendshme. “Mbaj mend që në datë 19 maj më erdhën në zyrë tre oficerë nga Ministria e Brendshme mes tyre dhe Agron Kuliqi. Në zarf nuk shpjegohej arsyeja e largimit, por thuhej vetëm zëvendësimi im. Di që Kuliqi ishte i emëruar jo i komanduar”, tha dëshmitari, ndërsa më tej shpjegoi se drejtoi Komisariatin e Elbasanit dhe në asnjë moment nuk ka hasur probleme. “Largimi im nga detyra nuk u prit mirë nga shtabi. Unë i mblodha ata dhe u thashë se duhej të largohesha në një tjetër detyrë duke i kujtuar se duhej të punonin me kolegun tim për ta ndihmuar në një qytet që ai nuk e njihte. Gjendja në Elbasan ishte relativisht e mirë. Këtë e faktoi edhe ardhja e Presidentit në stadium që kaloi pa asnjë incident. Gjatë dy muajve të punës sime arrita që me anë të policisë të kontrolloja të gjitha makinat për armë”, tha Suvaria.
“Unë nuk e mendoja se situata do t’i dilte nga duart Kuliqit. Mësova se personat e armatosur kërkuan të largohej Kuliqi, pasi nuk donin që qyteti i tyre të drejtohej nga veriorët. Për këtë gjë lajmërova edhe Belul çelën, të cilit i thashë të mos kishte merak se Kuliqi e kishte situatën në dorë. Suvaria e dorëzoi punën në 19 maj, por ka qëndruar me Agron Kuliqin shefin e ri të komisariatit edhe në ditët në vazhdim. “Unë kam qenë me Kuliqin deri në orët e vona të datës 22 maj. Në datë 23 në mëngjes i kërkova atij të më jepte shoferin Ardian Shuku për të ardhur në Tiranë te ministri i Brendshëm. U nisa herët në mëngjes. Mbaj mend se kur dola te komisariati pashë shumë forca të policisë të grumbulluara që kishin ardhur nga Tirana. Nuk di që Ardian Shuku të jetë urdhëruar nga unë ose nga Agron Kuliqi për të shkuar si negociator në Cërrik. Unë ngjarjen e Cërrikut e kam mësuar te paradhoma e ministrit nga goja e tij. Ministri më tha se në Cërrik ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme dhe menjëherë më urdhëroi që së bashku me Nikolin Thanën të shkoja në komisariat e të ndihmoja për të vënë rregull. Di që Agron Kuliqi ishte plagosur dhe me helikopter e nisën drejt Tiranës”, tha Suvaria. Por ndërsa shpjegoi këtë moment, dëshmitari nuk mbante mend nëse ishte sulmuar Komisariati i Cërrikut. “Unë dua të them se rendi në Cërrik nuk ka pasur probleme. Dy muaj të qëndrimit tim në detyrë nuk hasën në vështirësi. Nuk mbaj mend të kem folur më 22 maj me Kuliqin për ndonjë sulm të postës së Cërrikut”, tha ai. Këtë deklarim të dëshmitarit e kundërshtoi pak më vonë prokurori. Sipas akuzës, Suvaria ka thënë së më 22 maj në mbrëmje ishte në zyrë së bashku me Agron Kuliqin kur mësuan se ishte sulmuar posta.
Para gjykatës dëshmitari pranoi se njihte të pandehurin Met Bozi dhe Llazar Bicja. Me Bozin është njohur që në vitin 1995, ndërsa me Bicen gjatë një mbledhjeje të këshillit Bashkiak të Cërrikut. Në dëshminë e dhënë dje para gjykatës, Fatos Suvaria mohoi të ketë ditur se në Cërrik kishte persona problematikë. Por më parë, sipas akuzës, e cila kundërshtoi disa pjesë të dëshmisë së tij është shprehur: Në Cërrik ka pasur disa persona problematikë. Unë di të them se Roland Xhepexhiu është njohur si problematik. Kishte një aktivitet në Gramsh aty kishte dhe një të dashur.
#