E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e tmerrshme e Evangjelia Zhangës

Fillimisht u pagëzua me emrin e gjyshes, Panagos, e cila u dënua për vrasje

Në fshatin Dhivër, 6 kilometra larg Sarandës, dje në mbrëmje nuk kishin muhabet tjetër veç ngjarjes së pabesueshme që kishte tronditur Greqinë. Fshati i tyre ishte dëgjuar për keq, për shkak të një gruaje që prej tyre dihej si ishte “e bukur nga jashtë dhe katran nga brenda”, na tha Irakli Murati 76-vjeçari me të cilin biseduam në fillim. Ai nuk ngurroi të thoshte se kjo grua ka qenë e tillë dhe se familja e saj është dëgjuar edhe më parë për vrasje. 90-vjeçari Kosta Konomo ka kujtuar motrën e vet që ia vrau xhaxhai i Evangjelisë, Sotir Zhanga, së bashku me babanë Thimjon dhe nënën Panagon, (këtë emër ka trashëguar fillimisht edhe Evangjelia). Në vitin 1955, këta persona i kanë vrarë motrën, Athinanë, që e kishin nusen e shtëpisë, duke e hedhur në greminë të ngarkuar me stivë drush në kurriz. Kosta tregon se pasi e hodhën në greminë, Zhangat e goditën edhe me plumb dhe trupi u gjet pas tri ditësh, i fryrë. Atëherë ata u kapën nga policia dhe u gjykuan në mes të fshatit. Sotiri u dënua me vdekje, Thimjo dhe Panagua u dënuan me nga 25 vjet burg. Thimjo vdiq në burg, ndërsa gjyshja e Evangjelisë, Panagua arriti të dalë nga burgu. Njeri prej fshatarëve kujton se në ato vite kur është dhënë dënimi i familjes Zhanga, njëri prej fshatarëve që kishte qenë atje ka thënë: “Nuk keni bërë gjë, se të tjerë vrasës do pjellë kjo familje”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›