E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për t’u balancuar

Shumë kohë më parë, kur diskutoheshin gjerësisht të drejtat dhe detyrat e ekzekutivit, dallimet ndërmjet përvetësimit të pasurisë me anë mashtrimi, apo përvetësimi të detyrës, rregullat e kompetencës tokësore dhe të juridiksionit mbi shkeljet e bëra etj, një zjarr të madh morën sidomos debatet mbi të drejtat e njeriut dhe realizimin e tyre, që zgjatën për vite e vite të tëra deri me sanksionimin e këtyre të drejtave në ligjet themelore të shteteve dhe në aktet e rëndësishme ndërkombëtare. Nga periudha e kulmit të këtyre debateve në rrafshin politik, filozofik dhe juridik, mund të thuhet që ka ardhur deri në ditët tona pyetja depërtuese e të famshmit Paundi: “A ka fuqi një dhurim pasurie e luajtshme inter vios, pa u bërë dorëzimi i saj, duke e numëruar një më një?”. Atëherë, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, disa mbështeteshin në ngjashmërinë me të drejtën romake, të tjerë në historinë e formave që njihte e drejta; disa ishin për analizën e koncepteve themelore, për të tjerë thelbi ishte jo pajtimi me një koncept që duhej zbatuar, por vetëm me historinë, me atë që ishte bërë edhe më parë. Megjithëse mjaft larg, në distanca kohe dhe territoriale, ndoshta do të ishte me vend që, duke qenë pak a shumë në të njëjtën fushë, të hiqnim një paralele midis atij episodi të zgjatur që rreshti vetëm në zgjidhjen e problemit dhe një konflikti aktual në Shqipëri, i cili mund të formulohet: “A ka fuqi të plotë ligjshmërie Parlamenti, pa iu dorëzuar votat e shtetasve, duke u numëruar një më një?”. Me sa duket, ky është edhe thelbi i një krize politike të ashpër që ka përfshirë vendin tonë, e cila po shoqërohet e gërshetohet ndërkohë me krizë ekonomike, juridike dhe institucionale. *** Dy subjektet e këtij konflikti, që qëndrojnë me konsekuencë përballë njëri – tjetrit, brenda dhe jashtë vendit janë të identifikuar qartë. Në një krah ndodhet opozita politike dhe në tjetrin maxhoranca qeverisëse. Pozicione të tilla nxisin fantazinë e ndonjë deputeti, i cili për të mos iu ndërprerë mandati i fituar nga listat e Partisë Socialiste dhe për të plotësuar sa të mundet misionin apo objektivin që mbase një palë e tretë ia ka caktuar, hedh vështrimin në mesjetë, te ato duelet e qëmotshme, në fund të të cilave vetëm njëri fiton. Ndërsa tani, sipas tij, opozita duhet të bëjë lëshime, për t’u futur në Kuvend dhe për të filluar dialogun me maxhorancën. Pikërisht këtë qëndrim mban edhe kjo e fundit, duke shtuar më mënyrë cinike që është e gatshme të miratojë kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi për zgjedhjet, por kutitë e votimit nuk do të hapen. Nuk do të lejojë që të hapen, sepse – sipas saj - legjitimimi i vet mbështetet në një vendim gjyqësor, që nuk mund të injorohet. është fjala për atë të Kolegjit Zgjedhor, që la në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkelur sikurse ky i fundit haptazi, me të dyja këmbët, nenin 138 të Kodit Zgjedhor, i cili shprehet në mënyrë aspak evazive se, kur dy anëtarë të këtij institucioni kërkojnë të rinumërohen votat, ky proces duhet të kryhet domosodshmërisht. Në anën tjetër, pothuajse të gjithë deputetët e PS kanë rënë në një mendje, se e njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk atakojnë vendimin gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor. Por, ata ende nuk e kanë shkelur pragun e Kuvendit, ende nuk e kanë bërë betimin, për të ushtruar efektivisht mandatet e veta, sepse siç janë shprehur deri tani, do të dukeshin brenda në Parlament vetëm nëse do të arrihej marrëveshja, për të ngritur dhe vënë në funksionim komisionin e hetimit, pa i hequr këtij mundësinë e hapjes së kutive të votimit. Të atyre kutive, që dyshohet të mbajnë përbrenda të vërtetën e manipulimit të procesit elektoral, duke e mbështetur këtë qëndrim, veç të tjerave, edhe te konstatimi i nënvizuar në raportin e ODIHR – it, se numërimi i votave është bërë keq ose shumë keq në një të tretën e zonave zgjedhore. Synimi: të mos përsëritet në të ardhmen një proces i tillë, gjatë të cilit shtetasi të zhgënjehet për destinacionin e votës së tij, siç ka ndodhur në këto 20 vite të tranzicionit shqiptar. Përndryshe, do të zgjerohen dhe shtohen protestat masive të popullit opozitar. Ndërsa, përfaqësuesit e koalicionit në pushtet ndër të tjera përgjigjen që fatkeqësia e opozitës është, se sheh ëndrra me sy hapur. Kështu, këta dy vektorë të kundërt hiqen pa u dridhur dora e asnjë krahu politik, me vendosmëri reciproke, duke marrë si pikë referimi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Por, as debateve në Këshillin e Evropës, duke iu përmbajtur gjoja si udhëzues bashkëpunimi nën optikën dhe interesin e vet, edhe Rezolutës së kësaj organizate ndërkombëtare me influenca politike në tërë kontinentin dhe më gjerë, i cili e konsideron dhe e vlerëson tejkalimin e këtij konflikti të rëndë si një masë akute për shmangien nga destabilizimi i vendit tonë që, krahas disa pasojave negative, do të krijonte edhe pengesa serioze për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. *** Në këto kushte, ku zotërojnë jo shumë kërkesa që mund të reduktohen, por veçmas dy qëndrime ekstremisht të kundërta, cilido që kërkon të kontribuojë, të kontribuojë paanësisht për zgjidhjen e kësaj situate të jashtëzakonshme, qoftë ky Presidenti i Republikës – moderator i një tryeze që po ngrihet për këtë qëllim, qoftë delegacioni i nivelit të lartë të KiE që pritet të vijë në Tiranë më datën 22 të këtij muaji, duket që do ta ketë të vështirë të arrijë të negociojë. Akoma më tepër, të balancojë një konflikt të tillë. Sigurisht, nëse nuk do të proklamoheshin me zë të lartë dhe interpretoheshin denjësisht së paku principet dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si edhe ato të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut. Sepse, mund të vërehet fare mirë që, vërtet Kushtetuta jonë parashikon ndarjen e pushteteve, pra edhe parimin e pavarësisë së gjykatave, për zbatimin e të cilit na u kujtokërka, na u sugjestionokërka vetëm tani (apo përkohësisht?) maxhoranca dhe lideri i saj. Por, siç është theksuar vazhdimisht nga doktrina juridike kushtetuese, të gjitha modalitetet e pranuara për ndarjen e pushteteve dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre janë vetëm mjete, kurse qëllimi i demokracisë është sigurimi i të drejtave dhe lirive themelore të çdo qytetari. Prandaj, që në Preambulën e Kushtetutës kërkohet “vendosmëria për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. E pra, ndër 10 të drejta dhe liri të tilla, të klasifikuara në planin personal, ekonomik, social, kulturor dhe politik, ndër më kryesoret, pa dyshim që është ajo për të votuar, të cilën neni 45 i Ligjit tonë Themelor e afirmon si një interes i lartë kushtetues. Madje, pa u zgjatur në hollësi të tjera, ndoshta është e rëndësishme të vihet në dukje këtu, se menjëherë pas Parimeve Themelore, Pjesa e Dytë e Kushtetutës, e cila trajton në Kreun I të saj të drejtat dhe liritë, renditet përpara pjesëve që trajtojnë organizimin e vet shtetit. Domethënë, Pjesa që përfshin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut është thelbësore e Dokumentit superior të shtetit, institucionet e të cilit parashikohet që duhet të ekzistojnë për të garantuar këto të drejta. Jo më pak ekzigjencë rreth përmbushjes së të drejtës së votës dhe respektimit të saj tregohet në Konventën Evropiane, e cila është ratifikuar nga shteti shqiptar, duke e vendosur atë (si të tjera dokumente të rëndësishme ndërkombëtare) në një hierarki më të lartë se sa normat e legjislacionit të brendshëm, mbi të cilin thuhet se është bazuar, ndonëse në mënyrë të deformuar, edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor. është neni 3 i Protokollit nr. 1 të Konventës që parashikon se, Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë, në intervale të ndryshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e trupës ligjvënëse. Dhe, siç vihet në dukje nga jurisprudenca e Komisionit dhe Gjykatës së Strasburgut, neni 3 i Protokollit nr. 1 të Konventës është dispozitë materiale, që parashtron qartë një detyrim pozitiv për Shtetin, duke u deklaruar ndër të tjera, se “ekzistenca e një legjislature përfaqësuese, e zgjedhur në intervale të arsyeshme është baza e një shoqërie demokratike”. Ashtu sikurse është thënë më se një herë prej këtyre organeve garant të Konventës që, me interes të veçantë për këtë çështje është diskutimi i gjerë i natyrës së legjislacionit në kuptimin dhe rolin e autoriteteve legjislative në demokracitë efektive politike. *** Tani le t’i përfundojmë këto radhë me mënyrën e ngritjes dhe shfrytëzimit të një mjeti të efektshëm në situata të tilla, atë të të një komisioni parlamentar hetimor ad hoc. Për këtë, deri tani janë në unison të dyja palët. Por ndarja e tyre - çka përbën shkakun kryesor të konfliktit - ka të bëjë me përcaktimin e objektit të tij. Njëra palë insiston të kufizohet ky objekt, aq sa të katandiset në plotësisht inefektiv. Tjetra kërkon me këmbëngulje që veprimtaria e komisionit të mos limitohet, por që ai të jetë i autorizuar, i mandatuar, për të hapur kutitë e votave si bazë e hetimit. Në këtë situatë, askush nuk mund të mos e trajtojë dhe vlerësojë këtë aspekt bazë të konfliktit si si një çështje të veçantë, sikurse për organizmat ndërkombëtare e tërë kriza komplekse që po përjetohet prej disa muajsh rresht në vendin tonë. Në vendimin nr.16, datë 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese, i cili nga disa tani me dashje apo pa dashje po keqarsyetohet, interpretimin e shprehjes “çështje e veçantë” ajo e ka realizuar brenda konceptit të funksionit të kontrollit parlamentar dhe të së drejtës së pakicës për ta përdorur këtë instrument sipas parimeve kushtetuese, që në një farë mase dhe mënyre u evidentuan edhe në këtë artikull. “Të gjitha ato çështje që përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe që përmbajnë në vetvete një interes publik, e përfshijnë këtë kuptim” – citohet nga ai vendim. E pra, a mund të mos ketë për masë të madhe votuesish një interes të tillë nxjerrja në shesh e të vërtetës së procesit të vjetshëm zgjedhor? A nuk do të kishte, gjithashtu, interes evidentimi i përgjegjësive politike dhe institucionale, çka do të ndihmonte mjaft në mospërsëritjen një herë e mirë të fenomenit shqetësues të 20 viteve të fundit, që e ka lënë shumë mbrapa shoqërinë shqiptare, me gjithë ndihmat dhe asistencat e akorduara nga jashtë? Duke hedhur një vështrim krahasues me kushtetuta të disa vendeve të tjera, ngritja e komisioneve hetimore bëhet “për çështje me interes publik”. Po kështu rezulton edhe nga referimi i praktikës ndërkombëtare, sipas së cilës, natyra e çështjeve të hetuara prej komisioneve hetimore parlamentare ka qenë dhe është, krahas të tjerave, e një rëndësie substanciale, parësore për publikun. Dhe, e një rëndësie të tillë konceptohet edhe realizimi korrekt, ose jo, i çdo procesi elektoral. Ja ku është Rumania! Një vend i pranuar ndër të fundit brenda familjes europiane dhe ku u zhvilluan vjet zgjedhjet presidenciale, rezultati përfundimtar i të cilave u konfirmua jo pas zhvillimit të balotazhit, por vetëm pas realizimit të kërkesës së një prej dy protagonistëve të këtyre zgjedhjeve, rinumërimit të votave. A nuk është ky një shembull i freskët që na mëson edhe ne ta drejtojmë mendjen, siç hedhim sytë, drejt BE?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›