Kërkoi ryshfet për një lokal pa leje, arrestohet nëpunësi
Një nëpunës i Institutit Ndërtimit Urban është arrestuar dje për shpërdorim detyre, pasi kishte kërkuar para për të shpëtuar nga shembja një ndërtim pa leje. Bilbil Duka, 43 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, u arrestua të hënën pas një urdhri të nxjerrë nga Prokuroria e Vlorës. Duka akuzohet se i ka kërkuar 500 mijë lekë pronarit të një lokali që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në këmbim të shpëtimit të ndërtesës nga shembja. Ky rast është hetuar prej disa kohësh nga "Task Force", struktura e re e ngritur së fundmi edhe në Vlorë për luftimin e krimit ekonomik. Burime nga kjo strukturë hetimi saktësuan se nëpunësi i INU-së është hetuar në distancë, pas informacioneve që kishte për rastin në fjalë. Me anë të metodave speciale, "Task Forca" ka arritur të sigurojë provat për veprën penale dhe ka kërkuar menjëherë arrestimin e 43-vjeçarit. Ky është hetimi i parë i finalizuar me sukses nga "Task Forca" e Vlorës.