Babai përplas në tokë foshnjën 40-ditëshe
Një grindje në çift ka çuar në plagosjen rëndë të një foshnje vetëm 40-ditëshe. Ka qenë babai i foshnjës që është bërë shkaktar dhe autor i kësaj ngjarjeje që ka ndodhur në fshatin Libonik të Korçës. Burimet e policisë lokale kanë bërë të ditur se Fredi Sali nga fshati Libonik i Korçës, mëngjesin e djeshëm është grindur me të shoqen lehonë. Një grindje banale mes bashkëshortëve ka përfunduar me dhunë ndaj gruas. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e 33-vjeçarit, kur ky i fundit është zënë me bashkëshorten e tij Valentina Zariqi. Policia ka thënë se sinjalizimin për këtë plagosje të rëndë e ka marrë nga ana e spitalit pediatrik të Korçës, ku ndodhet foshnja Xh.Sali e seksit mashkull. Foshnja është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me plagë e dëmtime të shumta në kokë dhe në trup. Menjëherë policia ka nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas grupit hetimor të ngritur për këtë ngjarje, mes dy bashkëshortëve kishte pasur një sherr për motive familjare. Fredi Sali, në nerva e sipër ka goditur bashkëshorten e tij me grushte. Nga hetimet e policisë lokale ka rezultuar se pas grindjes dhe dhunës së ushtruar mbi të, Valentina ka marrë foshnjën dhe ka tentuar të largohet nga shtëpia në shenjë proteste ndaj bashkëshortit. Gjesti i së shoqes duket se e ka acaruar akoma më shumë 33-vjeçarin. Burimet e policisë kanë sqaruar se nga hetimet ka rezultuar se Fredi Sali ia ka marrë foshnjën nga duart nënës dhe më pas e ka përplasur atë në tokë. Për shkak të moshës së vogël, vetëm 40-ditëshe dhe përplasjes së fortë në dyshemenë e shtëpisë, foshnja ka pësuar një plagë të rëndë në kokë dhe dëmtime të tjera trupore. Menjëherë pas ngjarjes, kryefamiljari, i penduar nga ky krim që ka çuar në përgjakjen e fëmijës së tij, ka kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës. Sipas policisë, foshnja ka mbërritur në gjendje kritike në ambientet e pediatrisë dhe rreth orës 11.00, ndërsa policia është njoftuar nga bluzat e bardha për këtë ngjarje të rëndë. Në ambientet e spitalit, menjëherë kanë mbërritur ekspertë kriminale, të cilët pasi kanë mbledhur dëshmitë e para, kanë bërë shoqërimin e 33-vjeçarit. Arrestimi i tij u bë pak orë më vonë, ndërsa prindi nuk ka dashur ta pranojë fillimisht krimin e kryer prej tij, duke pohuar se foshnja është rrëzuar në mënyrë aksidentale. Por, nga hetimet policia ka konkluduar se në fakt ka qenë vetë babai që ka e shkaktuar këtë plagosje të foshnjës. Ai është arrestuar nga policia me akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje". Ndërkohë, burime nga spitali rajonal i Korçës bëjnë të ditur se foshnja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse do të vazhdojë të jetë nën kujdesin intensiv të bluzave të bardha.