Bie në kazan, mbytet fëmija 2 vjeç
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një nga familjet e ardhura në zonën informale të Durrësit. Një vogëlush 2-vjeçar është mbytur rreth orës 14.00 të së enjtes, ndërsa luante në oborrin e shtëpisë së tij në periferi të qytetit bregdetar. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën informale të ish-kënetës, në lagjen 17/1. Fëmija Iljan Murati, vetëm 2 vjeç, ka qenë duke luajtur në oborrin para shtëpisë. Për pak kohë është lënë jashtë vëmendjes së familjarëve të vet, të harruar në angazhime të tjera brenda shtëpisë. Kureshtja ka bërë që Iljani i vogël të afrohet dhe duke luajtur, të bjerë në një kazan me ujë që përdorej për nevojat e familjes. Kur është pikasur nga familjarët ka qenë tepër vonë dhe ndonëse është dërguar prej tyre në spital, gjithçka ka qenë e kotë. Trupi i vogëlushit është dërguar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar këqyrjes nga mjeku ligjor, i cili ka përcaktuar si shkak të vdekjes mbytjen në ujë.
Va.Qy.
Va.Qy.