E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët e Durrësit dalin në protesta

Tregtarët e tregut industrial, në protestë për tregun e mbyllur dhe rritjen e taksave. Paraditen e djeshme, ata kanë protestuar në sheshin kryesor para bashkisë së qytetit të Durrësit për situatën financiare në të cilën ndodhen dhe mbylljen e vendit të punës. Mosshlyerja e detyrimeve nga ana e tregtarëve ka detyruar policinë bashkiake të mbyllë tregun e madh industrial të qytetit të Durrësit, duke lënë jashtë tij të gjithë tregtarët. Blerësit janë sprapsur para një tregu pa tregtarë dhe mall, ndërsa tregtarët kanë zgjedhur rrugën e protestës për të ndryshuar gjendjen dhe rifilluar aktivitetin e tyre. Protestuesit kërkojnë që të vazhdojnë të trajtohen si tregtarë ambulantë dhe jo si biznes i vogël, pasi me shitjet dhe fitimet që kanë nuk mund t‘i përballojnë taksat. "Ky ndryshim i vlerësimit tonë nga tregtarë ambulantë në subjekte të biznesit të vogël na ngarkon me taksa, që rëndojnë fort mbi të ardhurat me të cilat mundësojmë mbajtjen e familjeve tona. Nuk mund t‘i përballojmë, pasi dhe forca blerëse ka rënë ndjeshëm. Të gjithë janë në krizë ekonomike", thotë njëri nga tregtarët protestues. Ndërkaq, burime nga bashkia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se pa shlyer detyrimet vjetore këta tregtarë nuk do të mund ta ushtrojnë aktivitetin e tyre në treg.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›