E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani urbanistik përplas ndërtues-bashki

Qyteti i Fierit konsiderohet si një ndër qytetet e para në vend për nga gama e ndërtimeve të reja, si dhe pallateve shumëkatëshe. Tashmë tregu i ndërtimit në Fier është kthyer një nga sektorët më të pëlqyer nga bizneset, ku dhjetëra firma private e ushtrojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë. Me gjithë potencialin financiar të mjaft firmave të ndërtimit, sërish përfaqësuesit e këtyre firmave shprehen të pakënaqur nga pushteti vendor.

Shumë prej ndërtuesve janë shprehur se kriteret e urbanistikës që ka vendosur bashkia nuk janë të dëshirueshme. "Bashkia dhe departamenti i urbanistikës në këtë institucion ka vendosur kritere ndërtimi që bien ndesh me mënyrë operuese tonën. Ne si ndërtues kemi reaguar, por bashkia nuk ka bërë asgjë për t‘i ndryshuar kushtet. Gjithashtu ka edhe firma ndërtimi që ndihen të favorizuara prej bashkisë dhe për këtë qëllim nuk kanë shprehur interesin e tyre për të reaguar në kundërshtimin e këtyre kushteve", shprehet Ilir Verria, një ndërtues në Fier.

Përballë ankesave të ndërtuesve të Fierit, drejtues të zyrës së urbanistikës janë shprehur se është plani i studimit të qendrës së qytetit dhe plani i strategjisë së zhvillimit të qytetit ai që dikton edhe në vendosjen e kritereve. Manol Goga, drejtori i urbanistikës, tha se bashkia ka ndarë në sipërfaqe me të vogla qytetin dhe ka vendosur kriteret deri dhe në numrin e kateve të ndërtimeve. Pikërisht ky është një kriter që nuk pranohet prej ndërtuesit. Ndërsa në Fier po vijojnë të ndërtohen mjaft objekte dhe pallate, Shoqata e Ndërtuesve njëkohësisht ndodhet në fazën e riorganizimit. Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, duke parë pjesëmarrjen e ulët të firmave private ka shtyrë për një kohë të mëvonshme mbledhjen e riorganizimit, ndërsa është shprehur se përfshirja në një shoqatë shihet si mundësia për lidhjen e një ure bashkëpunimi mes ndërtuesve.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›