Babai rreh vajzën studente brenda fakultetit
ELBASAN - Babai rreh të bijën studente brenda godinës së universitetit "Aleksandër Xhuvani". Daut Mazhi, 47 vjeç ka mundur të hyjë brenda ambienteve, në degën e Ciklit të Ulët në Elbasan, ku ka pritur derisa e bija të dilte nga mësimi. Ajo është përballur me të atin, i cili menjëherë ka nisur ta qëllojë me shuplaka. Studentja 21-vjeçare, M.Mazhi ka tentuar të largohet me vrap, ndërsa i ati e ndiqte. Skena është parë nga studentët e tjerë e pedagogë, të cilët lajmëruan menjëherë policinë. Forcat e saj kanë mundur të ndalojnë në kohë 47-vjeçarin, duke e shoqëruar në komisariat bashkë me vajzën. Aty është mësuar fakti se vajza nuk komunikonte me të atin, pikërisht për shkak të dhunës që i ati ushtronte dhe prej muajsh merrte leksione në një qendër që vepron në Elbasan për dhunën ndaj grave. Policia ka nisur hetimin për ngjarjen, duke e akuzuar Daut Mazhin për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje. Ngjarja e ndodhur ka bërë që stafi i pedagogëve të bëjë me faj dhe rojet e sigurisë pse kanë lejuar hyrjen e personave të huaj në ambientet e universitetit. Motivet e kësaj ngjarje mësohet të jenë debatet e vazhdueshme në familje të cilat kanë sjellë të tilla pasoja dhe herë të tjera. a.k