Banka Botërore pranon skandalin e Jalës, dhëndri i Berishës: Përplasje brenda Bankës
Për Koordinatorin e Projektit që preku fshatin e Jalës, Jamarbër Malltezi, e gjithë rrëmuja, hetimi dhe konkluzionet e Bankës Botërore janë pjesë e politikave të saj. Duke folur për “Zërin e Amerikës”, dhëndri i Kryeministrit Berisha sqaroi se ishte vetë banka që në vitin 2004 pranoi të ndihmojë qeverinë me prishjen e ndërtimeve pa leje në bregun e jugut. “Në raportin e saj në 2004-ën, BB kërkoi heqjen e ndërtimeve të paligjshme. Ky është një problem i bankës. Nëse një klan brenda bankës mendon se nuk duhet ta kishte ndihmuar planin, prapë ky është problem i bankës”. Ai sqaroi se nuk ka kërkuar asnjëherë prishjen e ndërtimeve dhe se e gjitha rrëmuja është bërë nga përplasja e grupeve të interesit.
“Unë nuk kam udhëzuar Policinë Ndërtimore. Këto janë spekulime të grupeve të botuesve dhe ndërtuesve”.
Cili është reagimi juaj ndaj vendimit të Bankës Botërore pas raportit të komisionit të inspektimit?
Së pari, më duhet të them se ishte një vendim i pritshëm. Në themel të sulmeve kanë qenë prishja e planeve korruptive të ndërtuesve dhe botuesve apo të ndonjë personi të njohur publik që i kontrollon me sms, për të grabitur toka në bregdetin jugor sipas praktikës korruptive të fshatrave turistikë që u zbatuan nga qeveritë e mëparshme në bregdetin Adriatik. Prishja e këtyre planeve natyrisht nuk ka kaluar në heshtje nga këto ndërtues-botues, të cilët u përpoqën të shesin një problem të brendshëm, si problem mes qeverisë dhe Bankës, apo akoma më tej të Zyrës së Koordinimit. Shkuan deri aty me mashtrime, sa pretendonin që zyra e Koordinimit ishte menagement i Bankës dhe budallallëqe të tjera si këto. Me sa di unë autoritetet shqiptare i kanë dërguar informacione të bollshme Bankës, të cilët sqarojnë qartësisht situatën faktike. Është e qartë që në raportin e panelit nuk ka tagër që të shikohet gjë tjetër, përveçse të shikohen procedurat e Bankës. Më tej qeveria e Shqipërisë mesa kam dijeni i ka kërkuar Bankës që të kërkojë ndjesë publike për mashtrimet që ka paraqitur në atë raport, mesa duket e ndikuar në mënyrë jo të rregullt nga këto grupe ndërtues-botues, të cilët i botuan planet e tyre të fshatrave turistikë si katalogë dhe i botuan për marketingje ndërkombëtar, si në Jalë, në Ksamil dhe me radhë. Krejt e kundërta është e vërteta, qeveria e Shqipërisë e hodhi poshtë atë plan klientelist, të bazuar mbi njolla klienteliste dhe së bashku me Bankën Botërore, pra atë plan klientelist e rrëzoi që në 2006-ën, pavarësisht se këto grupe ndërtimore i kanë publikuar në katalogë në 2005, 2006 dhe qeveria e tashme në bashkëpunim me Bankën kanë përgatitur planin e zhvillimit në përputhje me Kodin Europian të sjelljes në zonat bregdetare, që heq njollat selektive dhe tregon veç kriteret ku lejohet, çfarë lejohet, fuqizon pushtetin vendor, bashkitë dhe komunat të përgatisin planet lokale të zhvillimit.
Banka Botërore, zoti Malltezi, pranon gabimet e rënda të bëra në hartimin e këtij projekti si dhe mungesën e komunikimit. Ju drejtoni pikërisht atë zyrë që mundëson komunikimin mes Bankës dhe qeverisë shqiptare. A ndjeni ju përgjegjësi për vendimin e prishjes së shtëpive që janë në fakt në qendër të kësaj çështjeje?
Së pari më duhet të them se Banka Botërore ka përgjegjësi përsa i përket komunikimit, përgatitjes dhe çështjeve të tjera që janë probleme të saj të brendshme.
Unë po flas për komunikimin mes qeverisë dhe Bankës për projektin në fjalë…
Banka me qeverinë komunikojnë përmes “ad memoir” dhe marrëveshjeve të kredisë. Në një “ad memoir” të 2004-ës Banka Botërore shprehet se qeveria duhet të vazhdojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme. Në rast se një klan tjetër brenda Bankës Botërore kthehet tani në 2008 a në 2009 dhe thotë “ore kjo që ka deklaruar Banka Botërore mund ta bëjë përgjegjëse Bankën Botërore për prishje që në 2004-ën, ky është një problem i Bankës Botërore”. Së dyti, Banka Botërore ngre çështjen pse në plan prokurimi të përgatitur 2004 dhe i miratuar në qershor të 2005 ka përfshirë pajisjet për fuqizimin e Policisë Ndërtimore. Përsëri në rast se një klan brenda Bankës tani thotë se nuk duhet ta kishim ndihmuar fuqizimin e Policisë Ndërtimore, prapë është problemi i Bankës. Një problem i tretë ka të bëjë me duhej apo nuk duhej dhënë fotografimi ajror i Policisë Ndërtimore. Ne kemi dy dokumente zyrtarë të Bankës Botërore, një në 2006-ën dhe një në shkurt të 2007-ës, i cili i kërkon, pra “ad memoir” është dokumenti zyrtar që lejon dhe vendos “detyrat e shtëpisë” në ecurinë e projektit, pra dokumenti zyrtar i Bankës, i cili kërkon që duhet bërë fotografimi ajror për kontrollin e ndërtimeve të paligjshme dhe t’i jepen policisë mbi bazë çdo tremujore. Në rast se Banka tani tërhiqet dhe mendon se nuk duhet të ishte kryer, prapë është problem i brendshëm i Bankës në mesazhin që përcjell, duke pasur parasysh që jep “ad memoir”-et si dokument zyrtar. Ça ka tashi?! Ka një pikë tjetër që thuhet “letra përcjellëse e fotografive ajrore”, është në përputhje qoftë me rekomandimin e bankës për vënien në dispozicion të fotografive, qoftë të detyrimit që kanë zyrat për të përcjellë tek autoritetet shqiptare çdo raport të paguar me paratë tona. Letra shoqëruese e këtyre fotografive nuk përmend as fjalën Jalë, as fjalën prishje. Vendimmarrja se ku ndërhyn, çfarë ndërhyn ishte ekskluzivitet i Inspektoratit të Ndërtimit.
Zoti Malltezi, në Shqipëri ndërtimet e paligjshme janë mjaft të përhapura, por në rastin e bregut jugor si Jala, bie në sy një veprim i shpejtë, pa u lënë kohë banorëve të ankohen apo pa u gjetur forma të tjera strehimi për ta. Ka kritika që prishja e shtëpive është bërë në mënyrë selektive. Si do t’i përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Atëherë, së pari, më duhet të them se nuk jam drejtor i Policisë Ndërtimore, apo i Inspektoratit të Ndërtimit që të jap një përgjigje të saktë. Në ato që unë kam parë…
Megjithatë ju keni udhëzuar Policinë Ndërtimore, apo jo?
Është krejtësisht e gabuar, është mashtrim i këtyre grupe gazetarësh të paguar nga këta grupe botuesish-ndërtuesish. Më duhet të them që letra i përcjell thjeshtë fotografitë, por nuk thotë as fjalën prishje, asgjë. Kështu që kjo është thjeshtë trillim.
Atëherë kush ia bëri policisë kërkesën për prishjen e shtëpive?
Nuk ka pasur kërkesë për prishje. Nuk ka pasur asnjë kërkesë. Më lejoni të sqaroj dhe diçka tjetër, që përsa i përket prishjeve të ndërtimit, nga ato që unë kam parë dhe në dosje të mëdha që ka dorëzuar qeveria e Shqipërisë pranë Bankës Botërore që tregon situatën faktike, thuhet që janë mbi 200 prishje ndërtimesh të paligjshme në 2004-ën, mbi 110 janë në 2006-ën, nga të cilat gati 90 në Ksamil dhe 90 prishje në 2007-ën, të gjitha këto prishje në bregdetin e Jonit. Dhe po të marrim parasysh në Ksamil kemi 8 herë më tepër se në Jalë, bile dhe vetë aty kemi dhe 14 prishje në Borsh, 12 në Jalë, 12 në Bunec, 5 në Dhërmi e kështu me radhë. Përsa i përket vendimmarrjes, ajo është krejtësisht e autoriteteve shqiptare të Inspektorateve të Ndërtimit, qoftë vendorë, qoftë kombëtarë, i cili vendos nëse duhet të lejohen ndërtimet e paligjshme në bregdet. Për më tepër një raport ligjor “inteligjenc” konfirmon që qoftë qeveria, qoftë Policia Ndërtimore kanë qenë në përputhje me ligjin.
Atëherë ky ka qenë ligji i vendit tuaj, atëherë përse u desh që ju dhe ministri i Transportit në Parlament ta justifikonte prishjen, duke përdorur emrin e Bankës Botërore, nën një farë mënyrë duke u fshehur pas emrit të Bankës?
Nuk është e vërtetë që është fshehur pas emrit të Bankës.
Të paktën kështu thuhet në raportin e inspektimit të Bankës…
Në raportin e Inspektimit, qeveria e Shqipërisë i ka kërkuar Bankës Botërore që të mos mjaftohet vetëm me deklaratën që ka bërë, por të bëjë edhe kërkesë si dhe ndjesë publike ndaj disa prej këtyre trillimeve që janë të stisura nga këto grupet afër ndërtuesve-botuesve. Duhet të them që ministri ka deklaruar se neve do të respektojmë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke respektuar mjedisin, duke respektuar trashëgiminë, qoftë mjedisore, qoftë kulturore të zonës. Përsa i përket deklarimeve të fundit të ministrit, ka “ad memoire” në vazhdim të Bankës, duke filluar që nga 2004, në të cilin qeveria shqiptare ka zbatuar ligjin dhe në rast se Banka mendon që ka bërë gabim kjo i përket “ad memoire” të vetë Bankës dhe kjo do ta bëjë vetëm Bankën përgjegjëse për gjithë ndërtimet në 2004.
Si janë marrëdhëniet tuaja sot me Bankën Botërore dhe a do të vazhdoni ta mbani ende vendin e koordinatorit?
Besoj se kjo është një pyetje personale. Normalisht janë shumë të mira, megjithatë nuk besoj se ky raport ka interes për dëgjuesin. Më lejoni t’ju them se të gjithë “ad memoire” e deritanishme e konsiderojnë projektin shumë të suksesshëm, për më tepër në dokumentet zyrtar të Bankës, ndërkohë qeveria e Shqipërisë deklaron që nuk mund t’i qëndrojë pezullimit si pasojë e gabimit të vetë Bankës, nuk ka pse të penalizohet Shqipëria, ndërkohë vetë ministria e konsideron si projekt shumë të suksesshëm, i cili është hera e parë që përgatit një plan jashtë…. Është hera e parë që përgatit një projekt të integruar që fuqizon institucionet të përgatisin planet dhe modernizojë infrastrukturën….
Banka Botërore pranon: Po, Jala ishte një skandal
FABIOLA ÇELA
Për Bankën Botërore çështja e prishjes së ndërtimeve në fshatin Jalë është skandaloze. Kështu më në fund ka një përgjigje zyrtare dhe nga Bordi Qendror i bankës dhe vetë kreu i saj, Robert B. Zoellick. Raporti i bankës parashikon ndihmë ligjore deri në financiare për familjet që i janë prishur ndërtimet. Nga ana tjetër, mbledhja e djeshme doli në konkluzionin se ka patur probleme që në hartimin e projektit të Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare, që nisi në vitin 2004. Krerët e Bankës Botërore kanë pezulluar kredinë të paktën edhe për tre muaj që do të vazhdojnë hetimet, duke vendosur si kusht për vazhdimin e saj përjashtimin e kontributit për menaxhimin e tokës. Duke u ndalur te hetimi, banka përjashtoi hetimin e qeverisë apo njësisë së koordinimit, kreu i të cilit është dhëndri i Kryeministrit Berisha, por kjo me një kontekst tjetër, si pamundësi e bankës për të hetuar.
Raporti i Bankës Botërore
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore dje mori në shqyrtim Raportin e Ekipit të Menaxherëve dhe Planin e Veprimit në përgjigje të hetimit të pavarur të Panelit të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare. Ky hetim u kërkua nga familjet e dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave në prill 2007 në fshatin bregdetar Jalë në Shqipëri. Raporti i Ekipit të Menaxherëve pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore dhe paraqet një plan veprimi për trajtimin e çështjeve të identifikuara nga paneli.
Sipas planit të veprimit, një sërë masash do të ndërmerren me mbështetjen e Bankës, përfshirë: një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve. Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë edhe përfundimin e një vlerësimi social dhe të vulnerabilitetit dhe aplikimin retroaktiv të paketave të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet. Ekipi i menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh.
Drejtori i BB
“Që nga menaxhimi bazë i projektit deri tek ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për projektin janë shokuese”, tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, i cili i ka kërkuar Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen, i cili nga ana e tij ia ka referuar këtë çështje Departamentit të Integritetit Institucional në Bankë (DII). “Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga Paneli i Inspektimit dhe po lëvizim shpejt për të forcuar mbikëqyrjen, për të përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, të cilave u janë prishur ndërtesat e tyre. Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë përsëri”. Në fillim të vitit 2004, Qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri që do t’i mundësonte vendit zhvillimin e bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare (ICZMBP), i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua në 21 qershor 2005.
Në përgjigje të një kërkese nga familjet në Jalë në gusht 2007, Paneli i Inspektimit hetoi zbatimin nga ana e Bankës Botërore të politikave të saj operacionale për përgatitjen, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, si dhe hetoi dëmin apo dëmin potencial të njerëzve të prekur. Paneli i Inspektimit paraqiti raportin e tij në 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga Ekipi i Menaxherëve në 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës ose për anulimin e plotë të tij.
Kreu i Inspektimit
Kryetari i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene pohoi se, “ndërsa moszbatueshmëria nga Banka e politikave të saj në rastin në fjalë është tmerrësisht shqetësuese, paneli përshëndet lidershipin e Presidentit dhe Ekipit të Menaxherëve të Lartë, i cili pranoi gabimet dhe filloi marrjen e masave korrigjuese mbasi paneli paraqiti raportin e tij”. Paneli konstatoi që projekti ishte i lidhur me prishjet që ndodhën në Jalë në prill 2007; projekti nuk ishte projektuar dhe mbikëqyrur siç duhet; komunikime të rëndësishme të Ekipit të Menaxherëve me Bordin ishin të gabuara, përpjekjet e Bankës për mbledhjen e fakteve lanë jashtë ngjarje dhe informacione kyçe. Ekipi i Menaxherëve pajtohet me gjetjet e panelit në këto fusha. Ekipi i Menaxherëve të Bankës Botërore shprehu keqardhje të thellë për këto ngjarje. Ekipi i Menaxherëve pranon një sërë gabimesh të bëra gjatë gjithë ciklit të projektit, përfshirë përgatitjen e projektit, paraqitjen e tij në bord dhe mbikëqyrjen, si edhe përgatitjen e përgjigjes së parë të ekipit të menaxherëve në shtator 2007 dhe lëshimin e një korrektimi të dokumentit të vlerësimit të projektit në shtator 2008. Ekipi i menaxherëve pranon se këto gabime janë të papranueshme dhe flasin për një thyerje serioze në dhënien e llogarisë, përgjegjshmërisë dhe mekanizmave të mbikëqyrjes për projektin. Gjithashtu, paneli konstatoi se politika e Bankës për zhvendosjen e detyruar duhet të ishte zbatuar në përgatitjen e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut (PZHBJ) si dhe në programin në vazhdim të prishjeve të qeverisë, në mënyrë që familjet në Jalë të mbuloheshin nga kjo politikë. Në kohën që projekti u paraqit në Bord, drejtuesit gjykuan se kjo politikë nuk zbatohej në rastin e veprimtarive planifikuese për përdorimin e tokës si PZHBJ-ja. Ekipi i menaxherëve pranon se dispozitat përkatëse të politikës janë të dykuptimta dhe kanë nevojë të qartësohen. Drejtuesit do të rishikojnë zbatimin e politikave mbrojtëse në projekte që mbështesin planifikimin e përdorimit të tokës dhe do të nxjerrin udhëzime për të trajtuar çështje mjedisore dhe sociale.
Hetimi
Duke pasur parasysh seriozitetin e gabimeve të përcaktuara në projekt, Presidenti i Bankës Botërore i kërkoi Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të kryejë një shqyrtim për të parë rrethanat që lidhen me nxjerrjen e korrigjimit të shtatorit 2008. Duke u mbështetur në këtë shqyrtim, Presidenti i ka kërkuar Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore (INT) të bëjë një Kontroll Llogaridhënieje në lidhje me të ashtuquajturën prezantim të shtrembëruar nga stafi i Bankës tek Paneli e Inspektimit si dhe në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e projektit, paraqitjen në bord, mbikëqyrjen e projektit, dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura korrektuese. Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion. Kiene konfirmoi që mandati i Panelit të Inspektimit “nuk përfshin hetimin e akuzave për korrupsion dhe nuk bën asnjë gjykim për këtë çështje. Paneli heton se si Banka zbaton politikat dhe procedurat e saj operacionale. Paneli nuk heton huamarrësin dhe nuk e ka bërë këtë gjë edhe në rastin në fjalë”. Anëtarët e Bordit theksuan se ky proces hetimor shpreh rëndësinë e Panelit të Pavarur të Investigimit në forcimin e përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të Bankës.
Berisha: Mafia shqiptare e betonit korruptoi Panelin e Bankës Botërore
Kryeministri Berisha reagon ndaj raportit të Bankës Botërore lidhur me projektin e turizmit në bregdet. Sipas kreut të qeverisë, ky institucion i mori të gjitha përgjegjësitë e veta, çka dëshmon korrektesën e autoriteteve shqiptare. “Por ka një koluzion të mafies së ndërtimit në Shqipëri me Inspection Panel, për të cilin qeveria shqiptare ruan të drejtën e ndjekjes deri në fund të hetimit të këtij korrupsioni. Çfarë thotë raporti i BB-së? Inspection Panel nuk ka pasur dhe nuk ka mandat tjetër përveç hetimit të veprimtarisë së Bankës. Por, çfarë ka ndodhur me Inspection Panel? Ka ndodhur korruptimi i tij në pjesën për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Berisha. I pyetur nëse do të dëmshpërblehen banorët të cilëve u janë prishur shtëpitë në Jalë, kreu i qeverisë tha se ky është një problem i Bankës Botërore, e cila nga ana e saj nuk e ka parashikuar shpërblimin për këtë rast. “Ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë dy standarde në ligjin shqiptar. Për asnjë projekt ne nuk mund të pranojmë që banorët e qytetit të Tiranës t’u prishen shtëpitë në emër të një projekti dhe banorëve të një qyteti tjetër, të mos u preken shtëpitë, po në emër të këtij projekti. Kjo nuk mund të pranohet, sepse është thyerje e shtetit ligjor”, theksoi më tej Kryeministri Berisha.