Shkodër, prokuroria kundër gjykatës
SHKODER - Prokuroria e Gjykata e Faktit në Shkodër përplasen mes tyre gjatë analizës 1-vjeçare të togave të zeza. Në prani të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, anëtarët e dy institucioneve kanë hedhur akuza mes tyre. Megjithëse Spahiu u përqendrua në fjalën e tij se problematike e punës së gjykatës është mungesa e ambienteve dhe infrastrukturës, kanë qenë diskutimet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve ato që kanë ndezur debatet në këtë takim. "Mungesa e infrastrukturës dhe informacioni i dobët kanë bërë që gjyqësori në përgjithësi e Gjykata e Shkodrës në veçanti, të mos ketë një realizim të plotë të nevojave që ka kjo gjykatë. Jemi konshientë që pa realizimin e këtyre kushteve, do të jetë shumë e vështirë që niveli i solemnitetit dhe i transparencës i proceseve gjyqësore të arrijnë nivelet e kërkuara", pohoi Spahiu. Ndërsa prokurori i rrethit, Përparim Kulluri nisi debatin, duke paraqitur disa nga mangësitë e gjykatës në raport me Prokurorinë e rrethit Shkodër. "Masat e sigurisë, shpallja e pavlefshme e akteve të ekspertimit dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve janë pikat e dobëta të Gjykatës së Shkodrës", ka pohuar Kulluri. Akuzat e prokurorit të rrethit kanë nxitur reagimin e disa prej gjyqtarëve, të cilët kanë arritur deri aty sa të shprehen se ekzistojnë "klane bashkëpunimi" mes Prokurorisë së Rrethit dhe Gjykatës së Apelit Shkodër. Gjyqtarja Arta Llazari e ka argumentuar këtë, bazuar në dy çështje të ngjashme që i ka pasur ajo gjatë punës, kur njëra është kthyer nga Apeli, ndërsa tjetra jo. "Kjo ka ndodhur pasi "klani" i prokurorit ka pasur influencë tek 50 % e trupit gjykues. Kur është gjykuar çështja në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokuroi i saj ka pohuar se do t'i prishë në Apel këto vendime të Shkallës së Parë dhe ashtu ka ndodhur. Ndërsa në një trup tjetër gjykues, që nuk i ka ecur fjala vendimi është lënë në fuqi", pohoi ajo. r.d