Man. UTD, Guardiola pas Ferguson
Pyetjet që qarkullojnë prej shumë kohësh në radhët e tifozëve të Mançester Junajtid, skuadrës që ka fituar më shumë trofe në Angli, mbeten të njëjtat: Kush do t‘i garantojë vazhdimësi projektit të "Red Devils"? Cili do të jetë ai trajner që është në gjendje të përballojë trashëgiminë e një magjistari si Sër Aleks Ferguson? Pasardhësi i skocezit që punon prej 23 vitesh në drejtimin e skuadrës mund të jetë një trajner i ri (38-vjeçar) dhe fitues. Madje, më fituesi gjatë vitit 2009. Emri i tij është Pep Guardiola. Kjo është ideja e hedhur nga revista e përjavshme spanjolle, "Don Balon", sipas të cilës, pronarët në "Oll Traford" po mendojnë seriozisht t‘i ofrojnë një kontratë trajnerit të Barcelonës, në mënyrë që ai të bëhet "trashëgimtar" i 67-vjeçarit. Mançester Junajtid shihet si një rival i rrezikshëm për Interin: prej kohësh Guardiola është shndërruar në ëndrrën e ndaluar të italianëve. Tekniku katalan ishte zgjedhja e parë e Masimo Moratit për të zëvendësuar Zhoze Murinjon, pavarësisht faktit se zikaltërit kanë siguruar një parakontratë me Lorent Blank, drejtuesin aktual të stolit të Bordosë.
Kontrata e Guardiolës skadon në qershor të vitit 2010 dhe për shkak të çështjes delikate të zgjedhjeve për presidencën e Barçës, rinovimi po vonohet. Përpara Botërorit për klube, mediat katalane trumbetonin një rinovim faraonik për trajnerin, nëse ai do të udhëhiqte skuadrën drejt fitores në trofeun e fundit sezonal, në një vit të mbushur me triumfe. "Blaugranat" mposhtën Estudiantesin në finale dhe morën kupën e gjashtë për 2009-n, por Guardiola është ende në pritje të ofertës zyrtare nga drejtuesit e klubit. Gjatë mesjavës, presidenti Joan Laporta shfaqte siguri dhe qetësi. Në intervistën e zakonshme përpara festave të fundvitit, numri 1 i klubit ka analizuar ecurinë e ekipit: "Nëse më parë isha i qetë dhe i kënaqur, pasi fituam gjashtë trofe jam gjashtë herë më i qetë dhe më i kënaqur. Kam përjetuar një prej momenteve më të mira të klubit. Nën drejtimin tim, arritëm të shkruanim historinë te Barça". Fjalë që kanë shërbyer si një mesazh i qartë përpara Asamblesë, duke paralajmëruar të gjithë anëtarët me të drejtë vote se është e vështirë që skuadra të arrijë rezultate të tilla me ndonjë prej kandidatëve të tjerë.
Sipas të gjitha gjasave, fati i trajnerit do të përcaktohet në mars të vitit 2010. Në vendimin përfundimtar, një peshë të konsiderueshme kanë e ardhmja e Mesit dhe fakti se cili do të jetë presidenti i klubit. Spekulimet nga Spanja flasin për shanse reale që në fund të kampionatit Guardiola mund të transferohet në "Olld Traford", për të punuar fillimisht si ndihmës i Fergusonit, përpara se të marrë përfundimisht postin e skocezit. Megjithatë, deri më tani drejtuesi i stolit "blaugrana" ka shijuar disa ditë pushimi në Katar: pasi triumfoi në Botërorin për klube, trajneri qëndroi së bashku me familjen në Lindjen e Mesme, si i ftuar i Al Ahli, skuadrës në të cilën ka milituar nga viti 2003 deri më 2005. Përpara se të kthehej për të festuar Krishtlindjet në Santpedor, qytetin e Katalunjës ku ka lindur, Pep mori nga televizioni "Al Xhazira" çmimin si "Trajneri më i Mirë" në vitin 2009.