Babë e bir marrin peng 22-vjeçarin për 30 mijë lekë borxh
SARANDE- një shumë prej 30 mijë lekësh të pakthyera kanë mjaftuar që babai së bashku me dy djemtë e tij të mbajnë peng për disa orë dhe të keqtrajtojnë 22-vjeçarin. Por pas denoncimit nga ana e familjarëve të 22-vjeçarit, policia e Delvinës ka bërë të mundur gjetjen e vendit ku ai mbahej peng dhe pas disa negociatave kanë mundur t’i bindnin ata që ta linin të lirë atë.
Pengmarrja
22-vjeçari është marrë peng për gati 10 orë, për shkak të një borxhi të papaguar kundrejt pengmarrësve. Ngjarja është shënuar në fshatin Palavli të Sarandës.
Sipas policisë, shoku i tij B. Nano, 15 vjeç, së bashku me të atin Mersin Nanon, 48 vjeç, kanë marrë të riun me inicialet E.M. rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm dhe e kanë mbyllur në banesën e tyre, pasi ky i fundit nuk kishte dhënë borxhin prej 30 mijë lekësh të reja që u kishte. Pas disa orësh negociatash mes policisë dhe pengmarrësve, është arritur që 22-vjeçari të lihet i lirë, ndërkohë që policia ka nisur punën për sqarimin e rrethanave, si dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë penale.
Hetimi
Sipas burimeve policore, mësohet se ditën e djeshme filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Mersin Nano 50 vjeç, banues në fshatin Palavli, Delvinë, dhe dy djemtë e tij Rafat Nano, 22 vjeç dhe B.N, vjeç 16. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi në datë 14.05.2011 rreth orës 21.00 dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin të kenë marrë peng 22-vjeçarin E.M., 22 vjeç, banues në fshatin Koshnicë të rrethit Devoll.
Shtetasit e mësipërm kanë shkuar në vendin e punës së E.M., në një lavazho të ndodhur në fshatin Stare Delvinë, dhe kundër vullnetit të tij e kanë çuar në shtëpinë e tyre dhe e kanë keqtrajtuar fizikisht me pretendimin se u ka marrë 30 000 lekë të reja. Mbajtja peng ka vijuar deri rreth orës 06.30 të mëngjesit të ditës së nesërme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” e kryer në kushtet e bashkëpunimit parashikuar nga nenet 110 e 25 të Kodit Penal.