E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja godet 44-vjeçarin

SHKRUAN: Irena Vreto 18-05-2011 11:28

Korçë- Rrufeja i merr jetën babait të dy fëmijëve, vdes në punë në fshatin fqinjë. Ka shkuar të punojë vetëm pak kilometra nga fshati i tij, si punëtor ndërtimi, por është kthyer i vdekur në shtëpi. Ngjarja tragjike ka ndodhur gjatë pasdites së të martës në fshatin Vloçisht të rrethit të Korçës. Viktima i identifikuar si shtetasi Kalem Coni 44 vjeç, ka shkuar për punë nga fshati Vashtëmi ku ai banon me familjen e tij në fshatin fqinj Vloçisht. Ai ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë te një i njohuri i vet, të cilit ishte duke i ngritur një mur. Reshjet e shumta të shiut nuk e kanë “bindur” 44-vjeçarin të lerë punën, dhe ai ka vazhduar të punojë. Një shkarkesë e ardhur nga një rrufe e fortë e ka lënë të vdekur në vend punëtorin. Ai ka vdekur në sy të familjarëve ku kishte shkuar të punonte prej disa ditësh, duke i tmerruar ata. Megjithëse ata kanë kërkuar ndihmën e menjëhershme nga fqinjët e tyre, nuk ka qenë i mundur kthimi në jetë i punëtorit. Pas transportimit në spitalin rajonal të Korçës, mjekët e tij kanë konfirmuar vdekjen e 44-vjeçarit. Stina e pranverës për çdo vit sjell viktima të shumta nga rrufetë. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, të ngjashme nga fenomeni natyral me atë të 44-vjecarit Kalem Coni, katër persona vetëm në rrethin e Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›