E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babë e bir shkëmbejnë zjarr me policinë në Tropojë

22/10/2004  TROPOJË - Forcat e policisë të Komisariatit të Rrethit të Tropojës kanë arritur që në orët e para të së premtes të ndalojnë njërin prej dy personave që sulmuan me armë automatike grupin e gatshëm të policisë të këtij rrethi në fshatin Koj, rreth 2 kilometra larg qytetit të Bajram Currit.

“Kemi shkëmbyer edhe armë, por nga të dyja palët nuk ka patur të lëndur, ndërsa operacioni për ndalimin e një personi tjetër ende vazhdon”, thanë burime zyrtare të policisë lokale.

Ngjarja

Burime zyrtare të policisë lokale, bëjnë të ditur se, ngjarja zë fill rreth orës 22.00 të së enjtes, kur dy automjete me targa të Bajram Currit, ndërsa udhëtonin nga Markgegaj në drejtim të këtij qyteti, janë ndaluar nga grupi i gatshëm i policisë. Të njëjtat burime saktësuan se, qëllimi ishte një kontroll rutinë, ndërsa nga të dy automjetet që drejtoheshin nga shtetasit Bashkim Gjocaj, 62 vjeç, i dënuar një herë për shpërdorim detyre dhe nga një i biri i tij, Artur Gjocaj, në drejtim të policisë janë shprazur krisma automatiku. Në këto kushte edhe policët u janë kundërpërgjigjur me zjarr, ndërsa të dy personat janë larguar, duke përfituar edhe nga errësira e natës.

Mësohet se shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar vetëm pak çaste e nuk ka patur të lënduar nga palët, si rrjedhojë e shkëmbimit të zjarrit.

Policia

Dy personat, pasi i janë larguar disa qindra metra pritës së policisë kanë braktisur automjetet e janë përpjekur për t’u larguar.

“Nga ana e policisë janë marrë masa të shpejta për rrethimin në një zonë të gjerë të vendngjarjes, si pasojë është bërë e mundur ndalimi i shtetasit Bashkim Gjocaj, ndërsa ende vazhdojnë kërkimet për ndalimin e personit tjetër”, thanë burime zyrtare të policisë lokale.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se me cilësinë e provës materiale janë bllokar në vendngjarje dy automjetet e braktisura si dhe një numër i konsiderueshëm gëzhojash.

Burime të policisë bëjnë të ditur se ngjarje të tilla, kur persona me precedentë penalë përplasen me forcat e policisë, nuk janë aq të rralla në rrethin e Tropojës. Gjatë 4 viteve të fundit, si rrjedhojë e përplasjes së policisë me persona të tilla kanë humbur jetën edhe 2 punonjës të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›