E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau pronarin italian për 300 mijë euro, dënohet me 12 vjet burg

21/10/2004  BERAT - Dje në mesditë treshja e trupit gjykues e Gjykatës të Shkallës së Parë e Beratit, e kryesuar nga Ibrahim Hoxha dënoi me 12 vjet burg, 24-vjeçarin Kamber Sofi, banor i lagjes “Jani Vruo”, i akuzuar për vrasjen e pronarit italian Alfonso Cirrillo në Bolonja të Italisë.

Vrasja ishte cilësuar nga organi i akuzës, në bazë edhe të ekspertizës së policisë së Bolonjës, si vrasje me dashje e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Për këtë çështje, prokurorja Ermonela Felaj kërkoi nga trupi gjykues shpalljen fajtor të Kamber Sofit dhe dënimin e tij me 15 vjet burg.

Trupit gjykues i janë dashur dy vjet e 4 muaj, në 28 seanca gjyqësore për të arritur dje në seancën e fundit dhe në masën e dënimit të dhënë.

Ngjarja

Ngjarja për të cilën Kamber Sofi mori dënimin me 12 vjet burg ka ndodhur në Bolonja të Italisë rreth orës 21.30, të mbrëmjes së 13 shtatorit të vitit 1999.

Sofi kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin, ku ishte i punësuar për mospagimin e 300 mijë liretave italiane për punën që ai kishte kryer.

Mbrëmjen e krimit, Sofi, pas bisedës në telefon me pronarin italian, Cirrillo, president i një firme të riparimit e mirëmbajtjes së ashensorëve, e kishte takuar poshtë shtëpisë së tij pronarin.

Pas fjalosjes dhe grindjes me pronarin italian, Sofi e plagosi me thikë atë në kraharor. Pas kësaj i plagosuri ka mundur të mbërrijë në shtëpinë e tij, ku i ka treguar bashkëshortes për autorin, ndërsa vdiq në spital pas disa ditësh.

Gjykimi

Policia, e cila shkoji në vendin e ngjarjes, nisi procedurat ligjore për dënimin e vrasësit, por autori i vrasjes ishte larguar nga qyteti i Bolonjës. Më pas i është dashur policisë që së bashku me Interpolin italian të gjej adresën e vendbanimit të autorit të vrasjes dhe të nisin dosjen përkatëse në Berat.

Sapo dosja me dhjetëra fashikuj ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Beratit, kanë nisur menjëherë procedurat ligjore dhe më 14 qeshor të vitit 2002, Kamber Sofi është arrestuar nga policia e Beratit për t’u përballur më pas me drejtësinë, si autor i vrasjes të pronarit italian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›