E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bllokon aksin rrugor Kukës-Bushtricë-Peshkopi

21/10/2004  

KUKËS - Prej dy ditësh, policia e qarkullimit rrugor të rrethit të Kukësit ka bllokuar lëvizjen e automjeteve në aksin rrugor Kukës-Bushtricë-Peshkopi. Kjo ka ndodhur për shkak se në segmentin e kilometrit të 40-të të kësaj rruge një urë që quhet ura e Gjicajve ka një rrezikshmëri shëmbjeje të shkallës së lartë. Kundër vendimit të policisë kanë dalë drejtues të mjeteve, të cilët, në kushtet e mungesës së mundësive të tjera, ende kryejnë me automjetet e tyre këtë aks rrugor.

“Ka qenë Drejtoria e Ndërmarrjes së Mirëmbjatjes së Rrugëve që ka dhënë e para alarmin dhe ka këmbëngulur për bllokimin e këtij aksi rrugor”, thanë burime zyrtare të komisariatit të policisë të rrethit.

Të njëjtat burime saktësuan se bllokimi i lëvizjes së automjeteve në këtë aks rrugor është bërë edhe pas një inspektimi të kryer nga specialistë të sektorit të policisë së qarkullimit rrugor, të ndërmarrjes së rrugëve, të këshillit të qarkut e të institucionit të prefektit.

“Ura e Gjicajve, me një lartësi prej 8 metrash e gjerësi 4 metra, lidh me qytetin e Kukësit jo vetëm dy nga komunat më të largëta të rrethit, Bushtricën dhe Kalisin, por pas dëmtimit të aksit kryesor, që lidh këtë rreth me Peshkopinë, ka shërbyer edhe për lidhjen automobilistike mes dy rretheve”, tha drejtori Skënder Iseberi.

Sipas tij, ura ka çarje të shpatullave, gjë që e bëjnë të pamundur lëvizjen mbi të të automjeteve.

Ndërkohë bëhet e ditur se dëmtimi i kësaj ure ka nisur që para dy vjetësh. Për rikonstruksionin e saj është konstatuar edhe me përfaqësues të BB-së, por deri tani nuk është bërë e mundur zgjidhja e problemit.

Ndonëse zyrtarisht lëvizja në këtë aks rrugor është bllokuar prej dy ditësh, drejtues automjetesh në pamundësi vazhdojnë kalimin mbi urë në mënyrë aventureske.

“Zona ku ky aks rrugor konsiderohet i bllokuar është mjaft larg qytetit të Kukësit, e kemi të pamundur të vendosim postbllok, por kemi informacion se drejtues automjetesh ndërmarrin një aventurë ttë tillë”, pohojnë drejtues të policisë së qarkullimit rrugor të rrethit.

Në rrethin e Kukësit, veç bllokimit të këtij aksi rrugor, vazhdon të jetë thuajse i bllokuar edhe aksi rrugor Kukës-Shishtavec si rrjedhojë e shembjes së trasesë së rrugës në afërsi të fshatit Kollovoz në vjeshtën e vitit të kaluar.

Kontrolli i gatishmërisë së akseve rrugore të këtij rrethi nga specialistët u intensifikua, pas aksidentit tragjik që ndodhi më 14 tetor në afërsi të Fushë Arrëzit. Konkluzioni i kontrolleve të ushtruara është se periudha e dimri i gjen të papërgatitur ndërmarrjet e shumta rrugore të këtij rrethi, që më së shumti vetëm paguhen, por u mungojnë fondet e investimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›