E Diel, 1 Nëntor 2026

Babë e bir vrasin me thikë 44-vjeçarin, kishin debatuar një ditë më parë

Korçë – Kur kishte kaluar mesnata dhe gjithçka flinte, ata të dy, babë e bir, Francesko Çuka 50 vjeç dhe Nektario Çuka, 27 vjeç, kishin shkuar në banesën e 44-vjeçarit Mondi Telha në lagjen nr 10 të Korçës dhe i kishin trokitur në derë. Telhai nuk kishte nguruar të dilte, edhe pse bija e tij 18-vjeçare, Doriana Telha, që e ndiqte nga pas i lutej: Babi mos e hap derën, babi mos e hap derën, babi. Dhe sapo kishte dalë, dy njerëzit që po e prisnin jashtë e qëlluan me thikë disa herë radhazi. Pas kësaj, 44-vjeçari do të binte te pragu i shtëpisë i ndarë përfundimisht nga jeta. Ngjarja kishte qenë një tmerr i vërtetë. Krimi kishte ndodhur përpara syve të bijës së tij. Trupi i viktimës do të mbetej aty.  Skena makabër do të tregohej më pas me të gjithë peshën e tmerrit nga vajza që kishte parë gjithçka. Ndërkaq, ata të dy, Françesko Çuka  banues në qytetin e Korçës, i dënuar më parë për veprën penale prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, së bashku me birin e tij Nektario Çuka,  edhe ky i fundit i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve do të nxitonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes, pa ditur se ku  do të shkonin pas kësaj. Sipas policisë mendohet të ketë qenë ora 02.00 pas mesnate i ditës së mërkurë

Konfliktit

Vdekja e 44-vjeçarit, ashtu si në kronikat e paralajmëruara do të ndodhte për shkak të një sherri banal. Paraditen e së martës, Nektario Çuka, biri i Françesko Çukës ishte konfliktuar për motive të dobëta me Mondi Telha (tashmë i vdekur). Ata ishin grindur në lokal, madje ishin rrahuar. Kishin goditur njëri-tjetrin me shishe dhe gota. Dhe i kishin thënë njëri-tjetrit: Do ta shohësh se kush jam unë.  Megjithatë dukej se me kaq  konflikti ishte mbyllur, por në të vërtetë nuk do të ndodhte kështu. Nektario Çuka duket se nuk kishte harruar asgjë. Në orët e vona të natës do të konsumonte alkool së bashku me të atin. Të dehur të dy, do të niseshin drejt shtëpisë së 44-vjeçarit. Sipas policisë, vrasja që do të kryhej prej dy autorëve të ngjarjes ishte e paramenduar. Deri në orët e vona të pasmesnatës ata kishin qëndruar në lokal. Sherr i paradites të së martës kishte qenë biseda e tyre. Kur alkooli kishte bërë punën e vet, ata ishin nisur drejt viktimës. Nuk kishin marrë parasysh as faktin se me 44-vjeçarin Mondi Telha kishin lidhje farefisnie dhe se Telha ishte babai i dy fëmijëve. Kryerjes së krimit do ti shkonin deri në fund

Arrestimi 

Megjithatë edhe pse kishin nxituar të largoheshin nga vendi i ngjarjes, nuk do të vononte shumë që ata të dy, babë e bir, ta shihnin veten të prangosur. Burime të policisë bënë të ditur se gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë bëri të mundur arrestimin në flagrancë të dy autorëve të ngjarjes për vepren penale vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 e 25 te Kodit Penal. Ndërkohë pritet që materialet hetimore për këtë rast ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për ndjekje të mëtejshme. /Vepror Hasani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›