E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babëzia zgjedhore ia zvetënon logjikën Edi Ramës

22-04-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Të mos harrojmë! Vite më parë doli në qarkullim një libër që më ka lënë përshtypje të thellë për besueshmërinë, thuajse profetike, të autorit të librit. Titulli i librit: “Ditari i një katundari”. Do të thosha se ky “katundar”, Nezir D. Isufi, në pikëpamjen klasike klasore, duhej të ishte “i majtë”, si rrallëkush në botën shqiptare të diktaturës dhe të pasdiktaturës. Sepse  ishte i varfër gjer në pamundësinë për të blerë ilaçet e familjes, gjer në vetëmbylljen në konvikt për pamundësinë që të paguante një biletë udhëtimi për të vajtur në familjen e tij të shtunën e të dielën. “Të pesë fëmijët e sime motre nuk kanë një lugë shëllirë. Kurse këta, qeveritarët tanë, na çirren duke bërtitur për prodhimet e larta që marrin nga kooperativat e tipit të lartë socialist!” (E diel, 23.07.1972). Autori, Neziri, të vetmin detyrim që kishte ndaj atij regjimi të diktaturës, është marrja e një burse, qysh në bankat e fillores, falë përfundimeve të shkëlqyera në mësime. Gjatë të pesëdhjetë viteve që është mbajtur ky ditar (1954-2004), katundari i fshatit të mjeruar Sinberg jep një panoramë të pikëllueshme të varfërisë, të mungesës së dritave, të dhunës së pamëshirshme; flet  për abuzimet e komunistëve, të antikombëtarizmit (shitjen e Kosovës), për Veprat e EH-s me detyrim, për tallonat, për zgjedhjet-fasadë, për shkatërrimin e pronës private, për nepotizmin... Autori i librit, paçka se e quan veten, me ironinë e hidhur të kohës, “katundar”, është njëri ndër intelektualët më të shquar të qarkut të Durrësit. Veçse u shndërrua në një antikomunist të paepur, për falsitetin e një sistemi terrorist, që e çoi popullin në katastrofë, si gjatë kohës së E. Hoxhës, ashtu edhe gjatë tetëvjeçarit sundues, pas gjëmës së vitit 1997.
Por na intereson, në veçanti, portreti që i bën Edi Ramës. Në f. 188, shkruan: “Në TV pashë demonstratat që kishin shpërthyer në Tiranë kundër qeverisë, që ka nxjerrë me forcë nga greva e urisë artistët e Teatrit dhe të Operës të cilët, para disa ditësh, ishin futur në mbrojtje të kulturës  shqiptare. Kjo qeveri, édhe kulturën e ka shitur, palé më politikën dhe ekonominë, që dihen prej kohësh (27.01. 2000). Në f. 191: Për zgjedhjet vendore janë mobilizuar policia, ushtria dhe forcat e tjera ushtarake, për t’u bërë shantazh votuesve që të votojnë për kandidatët e social-komunistëve... Hajde zgjedhje të lira demokratike, hajde!... I kanë kaluar e stërkaluar baballarët e tyre! (1 tetor 2000). Pas dy ditësh, më 3 tetor 2000: “Sipas njoftimeve për rezultatet e votimit, qeveritarët  socialistë,  në saje të mashtrimit dhe shantazhit, për një ministër, paskan fituar mbi 70 %. Por sipas vetë atyre, ja një fakt interesant: “Në kryeqytet, në Tiranë, nga 472.000 votues të regjistruar, për një ish-ministër (E. Ramën), paskan votuar 82.000 veta! Dhe me këto vota ai u shpall kryetar bashkie! U shpall fitues me afërsisht 1/6-n e votuesve të regjistruar... Rast i paparë në botë! Kjo do të thotë, sipas mendimit tim, edhe një hap tjetër prapa për këtë vend!”. Më 31.12.2003, shkruhet: “Mbrëmë u bë miratimi i kabinetit të ri qeveritar. Ndërsa deputetët e opozitës ishin ngritur në këmbë për të protestuar në votimin  e ministrave të rinj, kryetari i parlamentit, një komunist i pakorrigjueshëm,  në kundërshtim me çdo etikë njerëzore, lexonte emrat dhe bërtiste me të madhe: -Aprovohet dhe...! Aprovohet dhe... - e me radhë... deri në fund! Kështu e kishin formuar dhe miratuar mbrëmë qeverinë e ré, të përbërë nga mafiozët më të mëdhenj të këtij vendi! Lum si né çfarë qeverie do të na udhëheqë nga “fitoja në fitore!”. Për periudhën 1997- 2005, E. Rama  ka buçitur me pompozitet për të gjitha dështimet e kësaj qeverisjeje, me atë përfundimin emblematik: “E kishim me hak, humbjen e pushtetit të korruptuar gjer ne palcë!”. Ishin interesat e tij vetjake që të shpallej kështu ai përfundimi zgjedhor i 2005-s, se duhej vënë në përdorim neni 28 i statutit të PS-së, që të dëbohej kryetari i vjetër dhe të kurorëzohej i riu, Edi Rama dora vetë! Le roi est mort. Vive le roi! Por harroi se ajo periudhë përmban edhe pushtetin e tij si ministër i Kulturës, Arteve, Rinisë dhe Sporteve, me bilanc zero dhe me grevën e urisë të të gjithë personaliteteve të artit, të cilët u nxorën barbarisht nga greva, duke i sakatuar të ngujuarit me policinë partiake me  goditjen e shkopinjve me fije metalike, të cilët lanë të gjymtuar pjesën më të madhe të ajkës së kulturës shqiptare!
Njëra ndër lexueset, Sonila, ka shkruar: “Mos të harrojmë. Është një plagë që na ka sjellë dëme të mëdha!” (f.246). I pari që e harroi, është Edi Rama. A e ka përmendur sërish  atë tetëvjeçar, që e kishte quajtur “të mallkuar”? Përse ky njeri, që është personifikimi i falsitetit dhe i inkoherencës, e ka lënë qëllimisht në harresë? Sepse, s’ka ç’të sjellë tjetër veçse atë, - dhe vetëm atë, - që di të bëjë: të bëhet kryeministër ashtu siç u bë kryetar partie! Domethënë me “metodat” e kulisave,  të përçarjeve, të të quajturit të obskurantizmit si transparencë, të demonstratave kriminale si paqësore  dhe të grushtit të hekurt si shprehje të “liberalizmit”! Atë që ia punoi LMN-së, brenda radhëve,  t’ia punojë edhe të gjithë popullit shqiptar! Me të drejtë Sonila e përmbledh vlerën e madhe të librit të Nezir D. Isufit me tri fjalë: Të mos harrojmë!
***
Sipas stilit të çakorduar të E. Ramës, me lajtmotiv “na vodhën votat”, deputetët socialistë u vetëdemaskuan pardjé në parlament duke u kapur me presh në duar. Socialisti Gazmir Bizhga, që kishte munguar në foltoren e parlamentit,  na doli “votues”! Dhe ky hajdutllëk zgjedhor u kap vrik nga kryetarja Jozefina Topalli. Ajo e quajti këtë ngjarje manipulim vote. Të majtët, të zënë në flagrancë, mbetën squk, kur kryetarja tha: -  Hiqni kartën, se keni votuar për Bizhgën! Heshtja e deputetëve socialistë në sallë, kur ata kanë dhënë prova të mjafta se janë gojëshpellë dhe matrapazë votash, kjo heshtje, - pra, - nuk tregon aspak se ata janë të përkorë dhe arsyetues, por se u zunë në flagrancë, që të përdorim fjalën me një përcaktim të saktë të kryetares së parlamentit. Zhurmnaja dhe poterja e madhe na u bë për 8 majin e vitit 2011, kur megalomani Edvin e shpalli veten  fitues me dhjetë vota plus, ndërsa vazhdimi i numërimit të votave ishte në proces! Së pari, me ç’kompetencë ky person, njëri ndër kandidatët për mandatin e bashkisë së Tiranës, bën shpallje për fitoren e njërit prej konkurrentëve, kur ai nuk e ka asfare këtë të drejtë? (Por pyetja mbase është pa vend, se ai nuk i ka respektuar kurrë të drejtat e organeve ligjore kompetente!). Së dyti, më skandalozja: Si mund të përfitohet paturpësisht dhe jashtë çdo logjike zgjedhore se përparësinë e paska kutia  dhe jo vullneti i zgjedhësve? Vërtet kjo duhej saktësuar në Kodin Zgjedhor. Kutia është vetëm një instrument për të lehtësuar numërimin. Vullneti i zgjedhësve përbën kuintesencën e të drejtave të votuesve. Dhe, meqë kemi edhe njerëz me mend, që dinë të përcaktojnë të drejtat thelbësore të votuesve, natyrisht që mandati i takoi z. Lulzim Basha, që e ruajti gjakftohtësinë gjer në fund. Madje e quajti kundërshtarin zgjedhor, vazhdimisht e kurdoherë, z. Edi Rama! Ndërsa ky i fundit, duke mos qenë aspak serioz, së paku për vendin e nderuar që mëtonte (ose, më troç, duke pandehur se ishim në një arenë cirku gladiatorësh), e quante z. Lulzim Basha, “Lulzim Saliu”! Turp e për faqe të zezë! (Ishte mësuar që të dilte kryetar bashkie me një të gjashtën e vullnetit të zgjedhësve, - siç e pamë në librin e Nezir D. Isufit, - me 82 mijë vota ndër 472 mijë të regjistruarve, shoqëruar me atë vërejtjen therëse: “Rast i paparë në botë!”.
Pastaj, me shpresat e një joshësi të pafytyrë, filloi të miklonte institucionet ndërkombëtare dhe shpërtheu një tymnajë verbuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecies, që të merrte mendimin për “padrejtësinë” që iu bë me ato +10 votat (në të vërtetë, +9, meqë njëri, të cilit s’duam t’i përmendim as emrin, na qenka bërë pishman!), votuçka të cilat ishin si të pëgërat e mizave, në krahasim me atë dhjetëfishin e votave të vullnetit të zgjedhësve, që kishte marrë z. Lulzim Basha!
Por ja që e mori mandatën (se mandatin e lëshoi si një “enfant gâté” = fëmijë i llastuar, që hedh shkelma): “ Votat do të vlerësohen édhe  kur ndodhen në kutitë e gabuara”. Kështu mbaroi edhe ajo mender historia e votave që u trumbetua, për fat të keq të Ramës dhe të hileqarëve fanatikë rreth tij, në mënyrë të palavdishme! Mbeti si një “Vox clamantis in deserto”. Por ai tmerri që pësoi zonja e nderuar Tanja Fajon, nga një hileqar i paskrupullt në kopenë e afërt të Ramës, nuk duhet harruar. Se turpi nuk i mbeti vetëm të paturpshmit që poshtëroi popullin shqiptar (“qenkan kanibalë?) por edhe popullit tonë, që nuk duhet t’i harrojë poshtëruesit e tij! Se, sa për Edin, ai jo vetëm që s’u turpërua, por edhe e gradoi shpifarakun në anëtar të Asamblesë Kombëtare të partisë “së tij”!

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›