Babi i ShkëlzenitNga Mero BazePrefekti i ri i Tiranës është një djalë i ri rreth të tridhjetave, me trup imcak, të shkurtër, që pak kush ia di emrin e vërtetë. Prej vitesh, që kur mbahet mend që ka shkuar në shkollë, ka ndenjur pas Shkëlzenit, djalit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Babi i ShkëlzenitNga Mero BazePrefekti i ri i Tiranës është një djalë i ri rreth të tridhjetave, me trup imcak, të shkurtër, që pak kush ia di emrin e vërtetë. Prej vitesh, që kur mbahet mend që ka shkuar në shkollë, ka ndenjur pas Shkëlzenit, djalit të kryeministrit. Më vonë në adoleshencë shoqëria e tyre është përzierë me ca të rinj të tjerë, disa fatlumë që kanë mbetur gjallë dhe janë shokë të tyre të ngushtë dhe disa fatkeqë që nuk jetojnë më për shkak të egërsisë që kanë grupet kriminale ndaj njëri- tjetrit në këtë vend. Shoqëroheshin prej tyre dhe udhëtonin, për të mos thënë udhëtojnë shpesh, me makinat e mbetura të tyre. Rrahmani, Shkëlzeni dhe shokë të tjerë të tij, përfshi njerëz në PD, e thërrasin me një nofkë banale për shkak të statusit të tij si njeriu kot i shoqërisë së tyre, që çohet për të blerë cigare apo ndonjë shishe ujë.
Raportet e tij me politikën kalojnë po ashtu mes këtij grupi. Atij që ne i thërrasim kryeministër apo “doktor Berisha”, prefekti i ri i thërret “babi i Zenit”. Prej vitit 2005 është sjellë korridoreve të Ministrisë së Brendshme dhe Interpol Tiranës dhe maksimumi që ka bërë është që ka fshehur lajmet që kishin të bënin me arrestimin e njerëzve që Shkëlzeni kishte emëruar nëpër poste kyçe apo ambasada dhe kapeshin me drogë, siç ishte rasti i Selmanllarit në Itali.
“Qukapi”, siç njihet gjerësisht në rrethet e PD-së, tani është prefekt i Tiranës. Nuk jam në gjendje t’u them që kur ta thërrasë kryeministri Berisha në zyrë, ai do t’i drejtohet “zoti Kryeministër” apo “babi i Zenit”, por jam i sigurt që ai është vendosur aty për të mos pasur prefekt të Tiranës, por për të qenë një post që të përdoret në mënyrë fyese për interesa të familjes në pushtet.
Shenja e parë e frikshme nga ky emërim është provokimi i Sali Berishës për tu sjellë si “babi i Shkëlzenit”, dhe jo si kryeministër i shqiptarëve. Emërimi i tij i parë në mandatin e dytë është pikërisht gjëja më jo e merituar që një person merr, vetëm pse kryeministrit i thërret “babi i Zenit”.
Profili i tij i ulët, lidhjet e tij ordinere me botën e krimit, qenia e tij si dëgjues në tavolinat më kriminale të bandave të mbetura të fundviteve 90-të, e bëjnë këtë emërim një ogur të frikshëm për të ardhmen e njerëzve normalë në këtë vend. Sali Berisha ju kundërpërgjigj shqiptarëve me cinizëm për kryeakuzën e tyre ndaj tij, për faktin që pushtetin ia ka deleguar botës së nëndheshme të Tiranës, që drejtohet prej fëmijëve të tij. Ky gjest arrogant dhe ky moslexim i pakënaqësisë që pesëdhjetë për qind e shoqërisë shqiptare demonstroi ndaj tij, do të thotë se “babi i Shkëlzenit” është vërtet i përgatitur për betejë revanshi dhe hakmarrje.
Por kryefyerja nga ky emërim drejtohet ndaj qytetarëve të Tiranës. Babai i Shkëlzenit duket se nuk ia fal dot kryeqytetit faktin që ka votuar gati si në referendum kundër tij, duke humbur qendër më qendër në pjesën më të ndriçuar të vendit. Në shenjë hakmarrje ndaj Tiranës, dhe pse jo ndaj “tironsve”, “babi i Shkëlzenit” po i fyen ata duke iu ofruar simbolin e pakënaqësisë së tyre ndaj pushtetit të tij. Tirana është qyteti që ka vite që refuzon Sali Berishën dhe nuk pranon frymën e sundimit të tij familjar me halabakët e qytetit, të cilët kanë marrë nën kontroll gjithçka, bizneset e fishekëve në Gërdec, bizneset e lojërave të fatit, bizneset e ndërtimit, bizneset e resorteve turistike në bregdetin e Jugut, bizneset e çimentove që po mbushin bregdetin verior, bizneset e koncesioneve te HEC, etj. Pikërisht kjo bandë tashmë do të qeverisë dhe Tiranën si pushtet i deleguar i “babit të Shkëlzenit”.
Pas këtij emërimi, posti i Prefektit të Tiranës do të jetë thjesht një konvencion, që do të përdoret nga një anë për konflikte politike për të kënaqur epshet e “babit të Shkëlzenit” dhe nga ana tjetër punët e Shkëlzenit dhe shokëve të tij, që janë sot nëntoka më e frikshme e kryeqytetit. E vetmja shpresë është se ky pushtet mund të degradojë me shpejtësi vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke çuar në ekstrem perversitetin dhe të keqen e qeverisjes së mandatit të kaluar, vetëm duke bërë karshillëk në emër të pushtetit të familjes. E sigurt është se sado që diktatura u përpoq të denigronte Qazim Mulletin dhe familjen e tij, talenti i Besim Levonjës është ende shumë larg realitetit tragjiko-komik të familjes Berisha, ku tashmë Prefekti i ri i Tiranës pritet t’i thërrasë “babit të Shkëlzenit”, “O tate”!