Nga Salzburgu: "Shqiptarja Kamenica, një Caballe e së ardhmes"Nga TemaMezzosopranoja shqiptare, Vikena Kamenica, soliste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka fituar çmimin e parë ndërkombëtar për interpretimin e këngëve satirike në koncertin-
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nga Salzburgu: "Shqiptarja Kamenica, një Caballe e së ardhmes"Nga TemaMezzosopranoja shqiptare, Vikena Kamenica, soliste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka fituar çmimin e parë ndërkombëtar për interpretimin e këngëve satirike në koncertin- konkurs të Akademisë Verore "Mozarteum" në Salsburg të Austrisë. Kamenica ka fituar këtë çmim në kuadër të koncertit-konkurs me temë “Humor, Shaka dhe Ironi në Muzikë”, zhvilluar në datë 14 Gusht 2009, me pjesëmarrjen e më shumë se 20 artistëve të përzgjedhur nga shumë vende të botës për këtë “stil” të ri të interpretimi, i quajtur “New Music”. Një interpretim krejt ndryshe nga ajo ç’kemi dëgjuar deri më sot në fushën e muzikës-ka synuar Akademia Verore Ndërkombëtare e Austrisë, një nga institucionet më prestigjioze që zhvillon veprimtarinë në Salsburg, qytetin e lindjes së mjeshtrit të madh të muzikës W.A.Mozart. “Vikena Kamenica mund të konsiderohet për vlerat vokale dhe interpretuese një Monsterrat Caballe (soprane e famshme spanjolle e shekullit XX) që po i vjen skenës operistike botërore”, citohet në faqjen zyrtare të Universitetit "Mozarteum". E vlerësuar për interpretimin e shkëlqyer të këngëve satirike, pjesë nga opereta “Candide” e kompozitorit amerikan Leonard Bernstein, Vikena Kamenica ka shkëlqyer ndaj konkurrentëve pjesëmarrës si bass baritoni austriak Florian Perimovsky, i cili fitoi çmimin e dytë dhe dyshja Ayaki Kimura dhe Masayuki Nagai, teknikisht perfekt në përballimin e “Karnavalit të kafshëve” për dy piano nga C. Saint – Saens. Referuar faqes zyrtare, historiani i trashëgimisë kulturore muzikore, profesor Herold Haslmayr ka vlerësuar se, “trajtimi i repertorit muzikor nga këndvështrimi New Music, hap një faqe të re në fushën e interpretimit muzikor, vokal dhe instrumental. Shpesh mungon informacioni i duhur dhe sot në botë, repertori koncertor është kthyer në shabllon dhe vuan nga uniformiteti interpretues”. Për profesor Siegfried Mauser “komikja në muzikë është fenomeni që gjendet brenda notave muzikore të një vepre. Mjafton të dish ta zbulosh atë. Humori, shakaja dhe ironia, të përdorura me masë dhe me fantazinë e duhur në interpretim, e bëjnë atë më të natyrshëm dhe komunikues. Të dish të tregosh përmes muzikës një barcaletë, domethënë ta bësh muzikën prezente në aktin e përjetimit artistik”. Këto ide dhe të tjera, prej vetëm pak edicionesh e kanë kthyer këtë koncert-konkurs të përvitshëm, tashmë në një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura në qytetin e festivalit më të rëndësishëm operistik botëror. Një konkurs-koncert krejt i ndryshëm nga ai tradicional, ku solistët operistikë, këngëtarët dhe instrumentistët, performuan me prurje nga më të veçantat, ndërsa më kryesorja nuk ishte vetëm aspekti i ndjesisë muzikore, por edhe gjetjet humorndjellëse të interpretimeve. Siç ka thënë Haydn-i i madh, “shakatë muzikore, janë në shumicën e rasteve zgjuarsi për të thyer atë që është e ngurtë në rregullat e interpretimit”.
“Akademia Ndërkombëtare Verore Mozarteum”, e konceptuar për herë të parë në vitin 1947, organizon çdo vit 60 klasa masteri për qindra artistë pjesëmarrës nga e gjihë bota, përgjatë muajve Korrik dhe Gusht (6-javë). Numri i madh i artistëve në këtë Akademi Verore ka bërë që të vlerësohet si Institucioni më prestigjoz i arteve performante në botë. Universiteti Mozarteum i Austrisë ofron mbi 40 kurse artistike dhe edukimi nga gjithë fushat e muzikës, në arte vizuale dhe performancë. Më shumë se 1.500 artistë të rinj nga e gjithë bota kanë marrë trajnime profesionale në gjithë instrumentet muzikore, përfshirë kompozimin, muzikën dhe këcimin, teatrin, aktrimin, por edhe mbi teoritë e thelluara në fushën e muzikologjisë. Universiteti aktual, i pati fillesat e veta si Konservator në vitin 1914, në 1953 si Akademi, në vitin 1970 si Kolegji i Muzikës dhe Arteve të Performancës, ndërsa që nga viti 1998 funksionon si Universitet. Vikena Kamenica është një nga mezzosopranet më në zë në Shqipëri. Fuqia e zërit të saj ka shpërthyer në kryevepra operistike të vëna në skenën e TKOB. Mes tyre veçohen rolet tek “Dasma e Figaros, “Madame Butterfly”, “West Side Story”, “Faust”, “Opera për tre groshe”, “Carmen”, “Il Barbiere di Siglia”, “Falstaff”, etj. Por, edhe në mjaft koncerte të sukseshme në Shqipëri dhe jashtë saj, ku spikat musical “100 vjet Broadway”, në të cilin Vikena Kamenica ishte jo vetëm solistja kryesore e muzikës xhaz, por edhe balerinë. Në vitin 2008, Vikena Kamenica u vlerësuar si ambasadore e kulturës dhe muzikës franceze në Shqipëri, nga Ministria e Jashtme dhe Ambasada Franceze.
*Adaptuar nga shkrimi i Von Gottfried Franz Kasparek
Nga faqja zyrtare e Akademisë Mozarteum në Salsburg - Austri