Nisëfor Nipsë, 170 vjet nga shpikja e fotografisë botëroreNga Qerim Vrioni Si sot, 170 vjet më parë, më 19 gusht 1839, Kryetari i Akademisë Franceze, shkencëtari Arago (Dominique-Françoise Arago, 1786-1853) shpalli në një sesion të posaçëm zyrtarish
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nisëfor Nipsë, 170 vjet nga shpikja e fotografisë botëroreNga Qerim VrioniSi sot, 170 vjet më parë, më 19 gusht 1839, Kryetari i Akademisë Franceze, shkencëtari Arago (Dominique-Françoise Arago, 1786-1853) shpalli në një sesion të posaçëm zyrtarisht lindjen e fotografisë. Vendimi u njihte shpikësve Nisëfor Nipsë (Niepce, 1765-1833), pas vdekjes dhe Lui Dager (Daguerre,1787-1851) patentën e fotografisë. Prej atëhere kjo datë mbahet si datëlindja e saj e përkujtohet kudo. Historikisht, si fotoja e parë e ruajtur mbahet ajo me titull “Pamje nga prona në Gras” (1826) e Nipsë e zbuluar nga studiuesi Helmut Gerns’heim në Angli më 1952 dhe që ndodhet në Muzeun e qytetit Austin, Teksas (SHBA). Procesi i realizimit të saj ishte heliografia (helio-diell, gr.), e shpikur nga vet Nipsë. Dalja në dritë e fotografisë përbën një nga arritjet më ndritura dhe më të dobishmë të shoqërisë njerëzore.
Përngrirja e pamjeve në sipërfaqe rrafshe e ka munduar qysh herët njeriun. Teorikisht, ideja e fotografisë, pra e ndehjes së botës tripërmasore në syprina dypërmasore, është përmendur nga filozofi i lashtësisë greke Artistoteli (384-322 p.K.) që shpalli :”se nëse ndërtojmë brenda një mjedisi të mbyllur një vrimë të vogël, në paretin përballë një penel ndriçues do vizatoj pamjen e mjedisit të jashtëm, por përmbys”. Këtë, dijetari e artisti i njohur italian, Leonardo da Vinçi (1452-1519), e quajti “camera obscura” (dhoma e errët) dhe e ndërtoi skematikisht. Ajo do të ishte zemra e aparateve të mëvonshëm fotografik dhe fillimisht u përdor nga piktorë dhe dizenjatorë për pasqyrimin sa më të saktë të pamjeve që do të riprodhonin. Më pas, dhoma e errët u pajis edhe me lente për qartësimin e marrjeve nga natyra.
“Camera obscura” nxiti shpikës të ndryshëm për të arritur në riprodhimin e pamjeve jo vetëm me mjete mekanike (litografi, gravura në dru etj.), por tanimë me ndërthurrjen e kimisë dhe optikës, këto edhe me ndihmën e elementit bazë, dritës. Shumicën e tyre e përbënin kimistët që kërkonin substancat kimike që të realizonin riprodhimin e dëshiruar. Ndër të parët që zbuloi ndjeshmërinë e veçantë të nitratit të argjendit ndaj dritës ishte gjermani Shulce në vitin 1727. Më vonë punuan tërë gjakim në këtë fushë edhe francezi Sharl (Charl) dhe anglezi Uexhud (Wedgwod), por pa arritur rezultate të prekshme. Francezi mendjemprehtë Nisëfor Nipsë, doli më i suksesshëm, duke dhënë fotografinë e parë në botë, “Pamje nga prona në Gras” (1826). Ai vendosi në dhomën e errët një pllakë qelqi të mbuluar me një shtresë të hollë të Bitumit të Judesë, para së cilës qëndronte pamja e zgjedhur për plotë tetë orë. Procesi u quajt heliografi dhe është i pari në rradhën e gjatë të teknologjive të fotografisë. Më pas ai bashkëpunoi me piktorin Dager i cili e kish përmirësuar procesin e heliografisë së Nipsë, duke vendosur në “dhomën e errët” një pllakë bakri të argjenduar hollë e të zverdhur me jod. Ai arriti të përftonte kopje pozitive të drejtëpërdrejtë fotografike dhe procesi u quajt dagerotipi për nder të shpiksit. Fotoja e parë e tij me pastërti dhe vlerë është ajo që titullohet “Bulevardi i Tempullit” (1838), ku pasqyrohet një rrugë e njohur e Parisit. Një vit më vonë, 1839, astronomi anglez Xhon Hershel i njohur edhe për interesin e madh për fotografinë, e pagëzoi punën e “dhomës së errët” me emrin fotografi (shkruaj me dritë-greqisht), që shpejt u pranua dhe u përjetësua.
Gjysma e parë e shekullit XIX, mund të quhet periudha më interesante në historinë shpikjes së fotografisë. Asaj i kushtuan aftësitë dhe energjitë e tyre shumë kimistë, piktorë, grafistë, fizikantë, nëpunës etj. të cilët vepronin të pavarur dhë në padijeni të njeri-tjetrit. Një ndër ta ishte dhe fizikani anglez. Foks-Talbot (W. Henri Fox-Talbot, 1800-1877), i cili shpiku procesin e kalotipisë (kalo-bukur, mirë-gr.) që nxirte nga “dhoma e errët” riprodhimin e pamjes në negativ, e më pas kalimi prej saj në numër të pafundëm pozitivësh (teorikisht). Ai, me kalotipinë që u quajt edhe talbotipi, hodhi një hap të madh e të rëndësishëm për të ardhmen e fotografisë. Me vlerë është dhe kontributi i një nëpunësi të thjeshtë francez Ipolit Bajar (Bayard, 1801-1887), i cili duke punuar fare vetëm, pa përkrahje e kushte financiare, por me pasion ekzemplar, arriti që me “dhomën e errët”, t’i shtrinte pamjet jo më në pllaka metalike, por në letër të fortë, karton. Madje, ai mbahet në histori të fotografisë si krijuesi i kompozimit (fiction) të parë fotografik me foton e njohur “I mbyturi”. Kështu, në sendërtimin e fotografisë, historikisht merita më e madhe u takon Nipsë, Dager, Foks-Talbot dhe Bajar.
Studiot e famshme
Ndërkohë, përhapja e fotografisë po bëhej ma hapa të shpejta, u çelën shumë studio fotografike në qytetet kryesore të Europës dhe botës. Vlen të përmendim se vetëm në Paris rreth vitit 1850 kishte mbi 100 prej tyre. Njerëzit dyndeshin për t’u fotografuar sepse ishte më thjeshtë dhe shumë më lirë e, bash portreti fotografik do ishte ai që do fuste fillimisht vektorin estetik në fushë të fotografisë. Më i suksesshmi në këtë lëm ishte karikaturisti dhe fotografi francez Nadar (Felix Tournachon) i cili shtroi një pjesë të rrugës që do bënte fotografia nga teknikë në art. Njëkohësisht, nga fotografët filluan të lëvrohen edhe peizazhi natyror e urban, natyra e qetë, kompozimi, nudot, por edhe fotot dokumentare dhe historike me vlera të pallogaritëshme për njerëzimin. Nisën të shihen në faqet e gazetave foto që pasqyronin nga ana vizive lajmin, kishte lindur kështu fotogazetaria. Ajo ka luajtur një rol të madh civilizues dhe progresiv në shoqërinë njerëzore. Mjafton të kujtojmë këtu, se ndihmesa që dha fotogazetaria në ngjarjet e Kosovës (1999), ndikoi tepër për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s. Gjithashtu, fotoreporterë kanë qenë në nisje të veprimtarisë së tyre shumë figura emblemë të fotografisë botërore. Peshën e fotos në shtypin e shkruar e thekson edhe eruditi i njohur francez, Roland Bart kur thotë se:”Asgjë e shkruar nuk është në gjendje të krahasohet për nga saktësia me fotografinë”. Nga mesi i shekullit XIX, fotografia filloi të pasqyrojë edhe fushë-betejat, ku nismëtarë ishin anglezi Roxher Fenton për Luftën e Krimesë (1853-56) dhe amerikani Metju Bredi, Luftën Civile në Amerikën e Veriut (1861-65). Ata u pasuan nga fotoreporterët e njohur të luftës të shekullit të kaluar ku si ikonë e përhershme mbetet Robert Kapa (1913-1954) i cili u nda nga jeta me aparat në krah në Vietnam duke ndjekur luftimet e shkelur mbi një minë antinjeri. Ky kishte fotografuar gjashtë konflikte ushtarake.
Pak pas gjysmës së parë të shekullit XIX, dhe vetem nëntmbëdhjet vite pas njohjes zyrtare, fotografia u shfaq edhe në Shqipëri nga italiani më vonë i shqiptarizuar plotësisht Pietro Marubbi (Piaçencë, 1834-Shkodër, 1904). Ai hapi në Shkodër studion e parë fotografike në Shqipëri dhe realizoi foton e parë shqiptare (1858). Me të filloi rrugëtimin e gjatë në kohë shejza emërmadhe “Marubi”, e njohur edhe jashtë kufijve të vendit me veprimtarinë e tri figurave të njohura të fotografisë shqiptare, Pjetrit, Kelit dhe Gegës. Vitin e shkuar, 2008, u përkujtua në vend edhe 150 vjetori i fotografisë shqiptare. Më pas fotografia u përhap në gjithë trevat që banoheshin nga shqiptarët me gjithë prapambetjen ekonomike të kohës. Me fotografinë, historikisht, shqiptarët janë thuajse paralel me zhvillimet ndërkombëtare, njëkohësisht kjo është një fushë ku ata përfaqësohen me një farë dinjiteti në kulturën botërore. Le të përmendim këtu, fotografët e traditës, Kel Marubi, Gjon Mili dhe Dhimitër Mborja, përfshirja e emrave e të cilëve në literaturën botërore, nderon kombin shqiptar. Vlen të cekim edhe një krahasim kohor, që nga krijimi i “Xhokonda-s” të Da Vinçit deri tek “Motra Tone” e Idromenos, e cila mbahet si piktura e parë realiste shqiptare, duhet të kalonin rreth katër shekuj, kurse ndërmjet fotos së parë në botë dhe asaj shqiptare duhet të rridhnin vetëm 19 vjet. Numrat këtu flasin me zë të lartë.
Përmirësohen aparatet
Gjysma e dytë e viteve ‘800, me hopin industrial të njerëzimit, karakterizohet edhe nga përmirësime të vazhdueshme të proceseve teknologjike të fotografisë duke arritur tek filmi në celuloid i mbledhur në rulo, në aparate praktikë e të lehtë, duke mbritur në fillim të shekullit të kaluar në aparatin legjendar gjerman “Laika”, më pas me atë suedez “Hasselblat” , për të arritur nga fundi i viteve ‘900, në teknikën dixhitale. Kjo e fundit çeli hapsira të pamata të fotografisë për të gjithë e në mjaft rrafshe të jetës njerëzore. Tani fotografimi u kthye në një proces shumë të lehtë edhe për t’a stampuar dhe dërguar brenda disa sekondash, mijra kilometra larg.
Fotografia përbën një veprimtari të veçantë teknike, shoqërore, por njëkohësisht edhe një nga artet pamore më të përhapur në botë. Ajo, në aspektin teknik i parapriu lindjes së kinematografisë “artit të riprodhimit të lëvizjes”, më vonë edhe të televizionit. Dobitë e fotografisë përfshijnë shumë fusha të jetës shoqërore, si histori, shkencë e arsim, kulturë, publicitet, mbrojtje, kriminalistikë, sport, dokument, nostalgji e kujtime familjare a miqësore. Përfshirja e fotografisë në artet pamore nuk ishte e njëkohëshme me lindjen e saj dhe s’ka ndonjë datë të caktuar për këtë. Gjurmët e para të artit në fotografi, i gjejmë edhe në atë merakun e ndrojtur të fotografëve të hershmë për të përngrirë, qoftë edhe të pasigurtë nga ana teknike, të pamjeve sa më të pëlqyeshme për syrin e tyre. “Sfida” e pashpallur që i bëri fotografia pikturës, qysh në hapat e para të saj, sidomos në lëm të portretit, i dha një shtysë të madhë kërkesave të fotografëve për krijime sa më të arrira në pikpamje estetike. Gjithashtu, vlen të përmendim se edhe fotografia sikur i shkundi pak piktorët për t’u shkëputur nga manierat natyraliste e të fillonin rrymat moderniste në pikturë. Shënojmë se fotografët dhe piktorët duhet të derdhnin në letër ose në kanavacë, lodrimet e zbërthimet e dritës, të parët kryesisht nga ana tonale, të dytët, kromatike.
Pyetja pezull
Prej shumë kohësh, madje edhe sot aty-këtu, qëndron pezull pyetja nëse fotografia është një proces i rreptë teknik apo një veprimtari emocionale artistike. Ndoshta, përgjigja më e saktë, më afër të vërtetës, do t’i kënaqte të dy opsionet, secilës në varësi të kohës, pra e para është konditë e nevojshme, por e pamjaftueshme pa të dytën për të përfunduar plotësisht në letrën fotografike. Nga fillimi i shekullit të shkuar, nisën të botoheshin revista të specializuara vetëm për fotografinë, por bulëzuan dhe rryma artistike, ndonëse estetika e fotografisë ishte ende e pakristalizuar si duhej. Kështu, në krye të herës lindi “pikturializmi”, që vijoi me “Camera Works” të Stieglicit, “Grup F/64”, “Bauhaus”, për të përmendur disa nga më të hershmet dhe më të njohurat. Ekspozitat vetjake dhe të përbashkëta të fotografëve patën ndikim të dukshëm në evidentimin e krijimeve me vlera të dallueshme artistike, gjera që u publikuan për një auditor të zgjeruar nga gjithë shtypi i kohës, i cili po zhvillohej me vrull. Një nxitje të veçantë njohjes si art të fotografisë i dha edhe strehimi e saj, krahas pikturës dhe skulpturës, brenda muzeve, gjë që fillimisht, e realizoi me kulturë e guxim, Xhon Sharkovski, drejtori MoMA (Muzeu i Artit Modern i Nju Jorkut). Këtë shembull e ndoqën shumë muze të tjera në vende të ndryshme, madje ka institucione të tillë edhe vetëm për fotografinë. Në mjaft vende organizohen konkurse fotografike me shtrirje ndërkombëtare si psh. ai i përvitëshmi i Arlës në Francë i pari në vitin 1969, që i kushtohet krijimtarisë një fotografi të njohur. Dy vite më pas, më 1971, ky festival (kështu quhet) iu kushtua krijimtarisë së Gjon Milit, fotografit të shquar shqiptaro-amerikan.
Në dhjetëvjeçarët e fundit, vërehet trajtimi fotografisë më ndryshe se më parë, kur ajo duhej të ishte e pastër teknikisht dhe pa mjegullime e turbullime. Tanimë, artistët e fotografisë i përdorin shmangijet nga parametrat normal teknologjik, si mjete artistike për të shpërfaqur idetë dhe mendimet e tyre. Mjaft artistë e huajnë fotografinë brenda veprave të tyre, piktura, grafika e video, edhe në saje të mrekullisë së fotografisë, vërtetësisë. Kështu, kufijtë ndërmjet fotografisë dhe mediumeve të tjera, dita-ditës, po hollohen, duke krijuar vepra artistike që lindin emocione shumta e të paprovuara tek shikuesit. Në fushë të fotografisë tradicionale haset edhe gara ndërmjet fotos bardhë e zi dhe asaj me ngjyra e, po ashtu ajo në mes të teknikës së argjenduar dhe procesit dixhital. Koha po tregon se, megjithë përparësitë e dixhitalizmit, edhe fotoja e argjenduar do vazhdoj të ekzistoj, madje me sukses. Gjithashtu, mjaft fotografë të kohëve të fundit janë fanatikë që fotoja të mos preket asnjë fije nga çfardolloj mënyre e mjeti. Por kritika botërore e specializuar, është e mendimit se më tepër rëndësi ka përfundimi i procesit krijues artistic, se sa rrugët e ndjekura, thënë ndryshe kryesor mbetet çfarë shihet në letrën fotografike.
Sot, thuajse çdo familje ka një aparat fotografik me të cilin pronari mundohet të realizoj foto të bukura, por dhe të plotësoj arkivin e familjes. Të parat, arrihen me vështirësi, ndërsa të dytat mbartin vlera që rriten me kalimin e kohës. Për karakteristikat e saj specifike, sidomos për besueshmërinë dhe kuptueshmërinë, fotografia është bërë një gjuhë universale moderne.
Me shpikjen e fotografisë, 170 vjet më parë, njeriu i dhuroi vehtes një veprimtari të mëvetshme, artistike, shkencore dhe shoqërore, që do bashkëudhtonte paprerazi me të, me vektorë në të gjitha fushat e jetës, por sidomos duke i krijuar kënaqësi të veçanta estetike.