E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo U rikthye Inter-i i madh

Trajneri i Inter-it, Leonardo u shpreh shumë i kënaqur për debutimin e tij të suksesshëm, në konferencën për shtyp pas fitores 3-1 përballë Napoli-t.

”Kjo fitore i takon një grupi lojtarësh me shumë karakter dhe të aftë të bëjnë sakrifica të mëdha. Kjo është gjëja e parë që pashë që në stërvitjen e parë këtu. Me ka bërë shumë përshtypje ky shpirt kolektiv i Inter-it”, deklaroi Leonardo.

”Inter-i nuk i ka fituar rastësisht pesë kampionatet e fundit dhe shpirtin fitues nuk e solla unë. Atë e gjeta këtu. Jam i kënaqur që drejtoj një skuadër që është e vëmendshme ndaj çdo detaji”.

Leonardo komentoi edhe mbi paraardhësin e tij Benitez. “Ka bërë një punë të mirë në çdo skuadër që ka drejtuar, por futbolli ndonjëherë është i tillë. Për mua është e rëndësishme që të ruajmë entuziasmin e kësaj fitoreje me Napoli-n dhe të krijojmë një seri fitoresh në javët në vazhdim”.

Cambiasso, shënues i një goli dhe protagonist gjatë ndeshjes, gjithashtu komentoi: “Fitore e rëndësishme për moralin dhe tifozët tanë. Kishim shumë dëshirë të fitonim dhe është e rëndësishme që më në fund skuadra është rikthyer në nivelin e lojës që di të luajë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›