Romario, deputeti futbollist i Brazilit

Nga fusha e futbollit te kolltuku i parlamentit të Brazilit. Kjo është historia e 44-vjeçarit Romario de Suza Faria, apo të njohur botërisht me emrin Romario. Ish-sulmuesi, kampion i botës me Brazilin në vitin 1994, tashmë është një politikan shumë i pëlqyer në vendin e tij.
Romario u zgjodh si “Lojtari më i mirë i vitit 1994” dhe “Topi i artë” i Kupës së Botës së vitit 1994, por dhe në “Dream Team”, ekipin e ëndrrave të FIFA-s. Romario u përfshi në listën e 125 lojtarëve më të mëdhenj, një listë e hartuar me rastin e 100-vjetorit të FIFA-s. Sulmuesi i mbi 1000 golave është një nga lojtarët më të mëdhenj në botë, dhe ndër të paktët që e ka kaluar këtë shifër të bujshme.
Më origjinë nga një familje shumë modeste, Romario u dallua për talentin e tij qysh kur ishte fëmijë e luante për një klub të vogël si Olaria, një skuadër e rrethinave të Rio de Zhaneiros. Romario më pas kaloi te Vasko Da Gama, ku fitoi dy kampionate, ndërkohë që mori edhe thirrjen e parë për në ekipin kombëtar të Brazilit.
Romario tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare kur ai u bë golashënuesi më i mirë i turneut të futbollit në Lojërat Olimpike të vitit 1988. Romario u transferua te PSV Eindhoven, ku ai fitoi tre kampionate në Holandë në vitin 1989, 1991 dhe 1992. Barcelona ishte stacioni i radhës së brazilianit, kur përkrah lojtarëve të tillë si Hristo Stojçkov, Hoze Mari Bakero, Pep Guardiola, Majkëll Laudrup dhe Ronald Koeman, ai ndihmoi klubin të fitonte kampionatin e sezonit 1993-1994, ndërkohë që vetë u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit me 30 gola në 33 ndeshje.
Romario u përzgjodh si “Lojtari më i mirë i FIFA-s” për vitin 1994, pasi kishte qenë i dyti në vitin 1993. Në vitin 1995 ai rikthye në Brazil për të luajtur me Flamengon, por më pas luajti me Valencian. Në vitin 1998, ai mungoi në Kupën e Botës dhe ai u rikthye te Flamengo deri në vitin 1999. Romario luajti për Vasko da Gamën në vitin 2000, duke fituar Kupën Mercosur, kampionatin brazilian, atë të Amerikës së Jugut, por dhe medaljen si futbollisti më i mirë brazilian. Nga viti 2002 deri në vitin 2002 ai luajti për Fluminesen.
Në vitin 2005, kur ai Romario ishte afërsisht 40 vjeç, ai shënoi 22 gola në kampionatin brazilian duke qenë golashënuesi më i mirë. Në vitin 2006 ai u bashkua me Majemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu bashkuar Zikos. Ai ndihmoi skuadrën e Majemit të ngjitej për herë të parë në Ligën Amerikane.
Në 20 maj të vitit 2007, Romario shënoi golin e tij të 1000-të, një gol i realizuar me penallti kundër Sport Resife, teksa luante për Vasko da Gamën. Vetëm dy lojtarë të tjerë kishin shënuar mbi 1000 gola, braziliani Pele dhe hungarezi Pushkash. Goli i tij i 1000-të tërhoqi kaq shumë vëmendje në Brazil në shtypin ndërkombëtar, sa që ndeshja u ndërpre për gati 20 minuta për t’i lejuar Romarios festimet me fansat.
FIFA e përgëzoi Romarion për golin e tij, por deklaroi se atij i njiheshin zyrtarisht 929 gola, pasi 77 të tjerët ishin realizuar kur ai ishte një lojtar i ekipeve të rinjve dhe në disa ndeshje miqësore. Në vitin 2008, Romario publikoi një DVD me golat e tij më të mirë.
Në tetor të vitit 2007, Romario mori përsipër rolin e trajnerit të komanduar të Vasko Da Gamën, por luajti edhe në fushë si lojtar. Aventura e tij në stolin e trajnerit zgjati shumë pak, deri në shkurt të vitit 2008, por si lojtar ai vazhdoi të luante për Vasko Da Gamën. Më 5 shkurt të vitit 2008, Romario lajmëroi se do të tërhiqej si lojtar dhe si trajner, por më pas Romario e mohoi se ai do të jepte dorëheqjen si lojtar.
Në gusht të vitit 2009, kur ishte 43 vjeç, Romario tha se do të luante sërish për të përmbushur një dëshirë të babait të tij. Më 25 nëntor të vitit 2009, Romario luajti nga minuta 68-të në ndeshjen midis Amerikës dhe Artsulit, duke ndihmuar ekipin në fitimin e titullit të Kategorisë së Dytë të kampionatit Karioka.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2000, Romario u zgjodh deputet i Brazilit si pjesë e Partisë Socialiste, në parlamentin ku marrin pjesë 513 deputetë. Ai ishte kandidati i gjashtë më i votuar për deputet në Rio de Zhaneiro. Partia Socialiste e Brazilit është formacioni politik i presidentes së re, Dilma Rusef, e para presidente grua e vendit.
Romario ishte emri më i famshëm midis sportistëve të përfshirë në politikë në Brazil, duke marrë mbi 146 mijë vota. Shoku i tij në sulmin e Brazilit, Bebeto, por që garoi për një parti tjetër u zgjodh deputet me 28 mijë e 328 vota. Ish-sulmuesi i Atletikos, Markez, grumulloi 153 mijë vota. Marselinjo Karioka grumbulloi 62.399 vota, Vampeta 15.300 vota. Ish-lojtari i Sao Paolos, Maguila grumbulloi 2951 vota.
“Në fushë unë isha një nga më të mirët në pozicion tim, - tha gjatë një interviste Romario. – Tani do të përpiqem të jem dhe një nga më të mirët në sallën e parlamentit”.
Në një intervistë për gazetën “Estado de Sao Paulo”, Romario e ka cilësuar ish-presidentin e Brazilit, Luiz Injacio Lula da Silva si idhullin e tij politik. “Ai erdhi nga asgjëja dhe shndërroi historinë e Brazilit”, - tha “socialisti” Romario.
STATISTIKAT
Ekipet Golat Ndeshje Mesat.
Vasko da Gama 326 410 0.79
PSV Eindhoven 163 165 0.98
Barcelona 95 84 1.13
Flamengo 204 240 0.85
Valencia 14 21 0.67
Fluminense 48 77 0.62
Al Sadd 0 3 0
Miami FC 22 29 0.76
Adelaide United 1 4 0.25
Me Brazilin 56 74 0.76
Brazili Olimpik 15 11 1.36
Me të rinjtë 77 127 0.61
Të tjerë 21 13 1.61
Totali 1042 1256 0.79
71 gola me ekipin Kombëtar
Si një lojtar i ekipit Kombëtar të Brazilit, Romario fitoi medaljet e argjendta në Seul në vitin 1988, duke shënuar shtatë gola. Ai ishte pjesë e skuadrës braziliane në Kupën e Botës së vitit 1990 dhe 1994. Romario shënoi 71 gola në 85 ndeshje, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Brazilit, pas Pelesë. Në Kupën e Botës së vitit 1994 ai formoi dyshen e sulmit me Bebeton duke udhëhequr vendin e tij në fitimin e kampionatit të katërt botëror. Vetë Romario shënoi pesë gola: tre në fazën e grupeve (kundër Rusisë, Kamerun dhe Suedisë), një kundër Holandës në çerekfinale dhe një golin fitues kundër Suedisë në gjysmëfinale.
Sulmi “Ro-Ro”
Romario në vitet e fundit futbollistike të tij formoi së bashku edhe Ronaldon, një dyshe të frikshme në sulm, të mbiquajtur “Ro-Ro”. Ata dy shënuan nga një tripletë në fitoren 6-0 kundër Australisë në Kupën e Konfederatave të FIFA-s në vitin 1997.
Dy dekada futboll
Romario luajti për shumë klube gjatë dy dekadave të tij, duke përshkuar si futbollist të pesë kontinentet. Ai shënoi 71 gola në 85 ndeshje me Brazilin, duke futur këtu dhe ndeshjet me ekipin olimpik. Më 25 prill të vitit 2005, Romario luajti ndeshjen e fundit me Brazilin, një takim kundër Guatemalës (3-0).
Yjet për yllin
Holandezi Johan Krujf e cilësoi Romarion si “gjeniun e zonës së golit”
Diego Maradona e përshkroi Romarion si një “finalizues të pabesueshëm”.
Roberto Baxhio ka thënë: “Romario është një nga lojtarët më të mëdhenj”.
Majkëll Laudrup e konsideronte Romarion si partnerin e tij ideal në lojë.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 07 Janar 2011