E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baci: Luftëtari, fitorja e 14-të në Gjirokastër

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Alis Baci, ka besim se ekipit i tij me ato që ka bërë gjer tani, e meriton plotësisht titullin kampion të kategorisë së parë

Ky fund kampionati i kategorisë së parë për Luftëtarin dhe Kukësin është si ato ndeshjet  e jashtëzakonshme të basketbollit bashkëkohor, ku në sekondat e fundit, jo vetëm nga një 3-pikësh, por edhe nga 1 pikë vendoset fituesi i saj.

Luftëtari mesa duket sezonin tjetër do të luajë në superligë.I vetmja enigmë për të mbetet çështja e titullit, problem që mbetet i hapur, pasi dy kandidatët kryesorë, Luftëtari dhe Kukësi, do të ndeshen në javën  e parafundit midis tyre në qytetin verilindor.

Luftëtari ndeshjen e javës së 27-të e luajti në Ersekë, ku fitoi 3-0 me dy gola të Norës dhe një të Baçit, ndërkohë që tani pret Adën në fushën e tij, ku ka regjistruar vetëm fitore, 13 të tilla dhe tani kërkon të realizojë të 14-tën, duke luftuar si numrin ters, 13-tën, ashtu edhe Adën me të cilën do të përballet.

Gjirokastritët bastet i vënë për diferencën e golave me të cilën do të fitojë ekipi  i tyre dhe jo për gjë tjetër. Te ekipi i Luftëtarit këtë fazë luajnë 4 shkodranë, që japin një ndihmesë të konsiderueshme për ecurinë e mrekullueshme të tij. Ata janë portieri Selimaj, mbrojtësi Baçi, mesfushori Ramadani dhe sulmuesi Raboshta, pra në çdo repart  të gjirokastritëve ka aromë shkodrane.

Për fitoren e fundit në transfertë me Gramozin, pa tjetër që meritat i takojnë tërë ekipit, por duhen veçuar golashënuesit Arlind Nora me 2 gola, Alis Baci me 1 dhe portieri Fatjon Gërxholli, që luajti për herë të parë një ndeshje të këtij kampionati dhe nuk pësoi gol.

Mbrojtësi Baci me tipare sulmuese, ka realizuar 4 gola, është në fillimet e karierës së tij dhe të dhënat janë për një të tillë të admirueshme, gjithmonë me hipotezën se do të punojë me ritmin e nisur, madje më të përshpejtuar.

Ai thotë: Fitorja e Luftëtarit në Ersekë me Gramozin, qe plotësisht e pastërt dhe e merituar, ndonëse mund të ishte edhe më e thellë. Kisha parandjenjën se do të realizoja gol dhe kështu ndodhi. Të them të drejtën, më pëlqen që në momente të caktuara të marr pjesë  dhe në aksionet sulmuese.

Kampionati është drejt finishit të tij dhe i pari aty do të mbërrijë Luftëtari, i cili me sa ka bërë gjer tani tregon se e meriton plotësisht titullin kampion të kategorisë së parë. Për ndeshjen e radhës presim Adën, që qëndron në pozita të shëndosha në këtë kategori, por që do të luftojë ndaj Luftëtarit, pasi është dëshira e çdo ekipi për të marrë një rezultat sa më të mirë me kryesuesin.

Ne, nga ana jonë i kemi të gjitha mundësitë për të manifestuar dhe në këtë ndeshje lojën tonë kombinative dhe rezultative që kemi prezantuar të paktën në 4 ndeshjet e fundit. Pra kam besim të plotë se do të marrim fitoren e 14-të në Gjirokastër, përfundon fjalët e tij mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Alis Baci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›