E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha çmend Australinë, kombëtarja e ka harruar

Nga Kushtrim Krasniqi

Në një intervistë për SPORT të Kosovës, Besart Berisha shprehet i lumtur për sukseset australiane dhe flet për interesimin e Dinamos së Zagrebit dhe kombëtares shqiptare

Që në sezonin e tij të parë, Besart Berisha çmendi publikun futbolldashës në Australi. Atëherë kur iu desh më së shumti Brisbane Roar, Besart Berisha doli në skenë për tia siguruar titullin kampion atyre. Ai realizoi dy gola në finalen kundër Perth Glory, për triumfin 2-1.

Në një intervistë për Sport të Kosovës, Besarti u shpreh i lumtur me dygolëshin e shënuar, ndërsa foli edhe për interesimin e Dinamos së Zagrebit dhe kombëtares shqiptare. Berisha u bë lojtari i parë shqiptar që fiton titull në kontinentin australian, ndërsa skuadra e tij hyri në histori si klubi i parë që fitoi dy tituj rresht

Urime për titullin, Besart. Si ndiheni pas gjithë këtyre sukseseve? Titulli i kampionit, dy gola në finale, Këpuca e artë si dhe lojtari më i mirë i përzgjedhur nga mediat…?

Jam shumë i kënaqur për arritjet e mia deri tani. Këpuca e artë është vlerësimi i punës sime për golat e dhënë, mirëpo titulli është diçka më e rëndësishme për mua, sepse të vendosësh fitoren e një titulli në një kontinent është diçka e papërshkrueshme.

Në finale shënuat dy gola. Si u pritën këta gola nga trajneri dhe tifozët?

Të vendosësh fitoren është shumë normale që trajneri dhe tifozët janë në qiell nga gëzimi. Nuk ishte lehtë të luaje para 50 mijë tifozëve dhe të shënoje, mirëpo unë ia dola dhe jam shumë mirënjohës nga besimi i dhënë nga trajneri dhe bashkëlojtarët e mi.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Normalisht që falënderimi për talentin dhe shëndetin e dhënë i takon Zotit, mirëpo këtë sukses ia dedikoj familjes sime, sidomos djalit tim të vogël. Djali është ai që më jep forcë për të arritur suksese.

Ku do të jetë Besarti pas përfundimit të këtij kampionati?

Po, sigurt që do të jem në Kosovë, sepse më mungon shumë. Do të jem në Kosovë, do të mundohem të pushoj dhe të qetësohem me familjen që kam atje dhe do të jem edhe në Gjermani. Thjesht, kam nevojë për këtë pushim, vërtet më nevojitet, pasi jam shumë i lodhur nga këto ndeshje. Gjithsesi, nuk mërzitem nga loja. Të luash bukur dhe të shpërblehesh për punën që bën është e mahnitshme.

Është shkruar për një interesim të Dinamos së Zagrebit për shërbimet e tua. A ka diçka të vërtet këtu?

Nuk e di, e kam lexuar edhe unë në gazeta, mirëpo asgjë nuk është konkrete, pasi askush nuk ka biseduar me mua direkt. Unë do të jem në Australi, nuk do të bëj ndryshime. Jam i lumtur këtu e çka do të ndodhë në të ardhmen, pritet të shihet.

A ju ka kontaktuar trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi, ose dikush tjetër nga Federata Shqiptare e Futbollit?

Jo, askush nga kombëtarja e Shqipërisë nuk më ka kontaktuar. Kanë qenë vetëm disa gazeta që më kanë intervistuar dhe u jam përgjigjur edhe për ato që lidhen me kombëtaren. Pra, kontakt dhe interesim kam pasur vetëm nga mediat dhe jam informuar nga ato për gjithçka që flitet rreth meje. Mirëpo askush nuk më ka kontaktuar personalisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›