Falimenti, me ligj
Kreu i tatimeve vazhdon t‘i mbetet qëndrimit të mëparshëm, se për procesin e falimentit të disa bizneseve është respektuar vetëm ligji. Që prej një muaji, administrata tatimore ka publikuar emrat e 27 kompanive VIP, duke deklaruar shpalljen e procedurës së falimentit. Reagimi ka qenë tepër i madh, aq sa solli largimin nga detyra të drejtorisë që mbikëqyr tatimpaguesit e mëdhenj. "Gjykata është ajo që do të marrë vendimin, por administrata tatimore në këtë rast thjesht ka zbatuar një kërkesë ligjore që është taksative e detyrueshme për administratën. Madje ka dhe një masë represive ndaj administratës, po në të njëjtin nen, pika e fundit, që në rast se nuk e zbaton këtë, atëherë ajo penalizohet".