E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bagdadi i kërkon Parisit të ndërtojë central bërthamor në Irak

Bagdad-Ministri irakian i Energjisë elektrike, Karim Wahid, e ftoi sot Francën për ta ndihmuar Irakun në ndërtimin e një centrali bërthamor, më tepër se 25 vjet pas shkatërrimit nga ushtria izraelite të një reaktori të ndërtuar nga Parisi pranë Bagdadit. "Kemi patur marrëdhënie shumë të mira me kompanitë franceze Jam gati të hyj në kontakt me agjencinë bërthamore franceze dhe të filloj ndërtimin e një centrali bërthamor, sepse e ardhmja do të jetë për energjinë bërthamore. Kjo është pikëpamja ime", i deklaroi ministri AFP-së.

Në vitin 1976, Iraku kishte nënshkruar një marrëveshje me Francën për ndërtimin e reaktorit bërthamor të Osirakut. Punimet kishin nisur tre vjet më vonë, por në qershor të vitit 1981, gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut, aviacioni izraelit kishte bombarduar reaktorin e papërfunduar që ndodhej në Tuwaitha, në jug të kryeqytetit irakian. Izraeli kishte deklaruar se ish-diktatori Sadam Husein donte të blinte armën bërthamore.

"Franca nuk është paraqitur ende në Irakun e periudhës post-Sadamit. Shpresoj se ajo do të vijë", shtoi Wahid, duke u shprehur se presidenti Nicolas Sarkozy, i cili shkoi në Bagdad më 10 shkurt, ishte "një mik i mirë i Irakut".

Sarkozy u kishte kërkuar ndërmarrjeve franceze të ktheheshin në Irak dhe të investonin atje, duke njoftuar se një delegacion i gjerë ndërmarrjesh do të shkonte në Irak deri në verë. Wahid ftoi gjithashtu shoqëritë franceze të investonin në Irak. "Kemi shumë projekte që do të njoftohen për investitorët", deklaroi ai

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›