E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair krijon organizëm për këshillime politike

Londër-Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, krijoi këtë muaj me emrin "Tony Blair Associates", një organizëm këshillimi për çështje politike dhe të ekonomisë, njoftoi sot një komitet mbikëqyrës qeveritar britanik. Blair, gjithashtu përfaqësues i Katërshes (SHBA, BE, Rusi, OKB), për Lindjen e Mesme dhe drejtor i një grupi reflektimi për ndryshimin e klimës, mund "të japë, në bashkëpunim me të tjerë, këshilla strategjike për çështjet e ekonomisë, të politikës dhe të reformës qeveritare", bëri të ditur komiteti mbikëqyrës ACOBA në një komunikatë.

Ish-kryeministri laburist nuk ka qëndruar në pasivitet që kur u largua nga pushteti në qershor të vitit 2007 pasi kishte qëndruar pak më tepër se 10 vjet në krye të qeverisë. Sipas "Sunday Times", Blair mori që më parë një shumë prej 4,5 milionë stërlina (5 milionë euro, 6,4 milionë dollarë) për të shkruar kujtimet e tij, si dhe rreth 2,5 milionë stërlina si këshilltar me kohë të pjesshme për llogari të bankës së investimeve JPMorgan Chase dhe 2 milionë stërlina për të këshilluar Zurich Financial Services.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›