Bagdadi përgjakët sërish
Policia irakiane ka njoftuar sot se një sulmuese vetëvrasëse, e cila kishte hyrë në mesin e pelegrinëve shiitë në veri të Bagdadit, ka hedhur vetën në ajër, duke vrarë me këtë rast së paku 41 persona.
Zyrtarët theksuan se sulmuesja ka hedhur vetën në ajër, në momentin kur pelegrinët ishin tubuar në afërsi të lagjes shiite, Shaab. Autoritetet theksuan se si pasojë e sulmit janë lënduar edhe 106 persona tjerë.
Sulmi i djeshëm ishte sulmi i parë i madh kundër pelegrinëve shiitë këtë vit, të cilët ishin nisur për në qytetin jugor, Karbala, për të shënuar festën e rëndësishme në kalendarin religjioz të shiitëve. Sulmi ka shtuar frikën nga sulmet e reja të mundshme, në momentin kur pelegrinazhi të shënojë të premten kulminacionin.
Zyrtarët theksuan se në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve ka edhe gra dhe fëmijë.
Përkundër reduktimit të dukshëm të dhunës në Irak, Al Qaida dhe ekstremistët sunitë në vazhdimësi kanë vënë në shënjestër pelegrinët shiitë, me qëllim që të ndezin sërish konfliktin ndërfetar dhe të dëmtojnë qeverinë irakiane, të dominuar nga shiitët.