Larijani refuzon kërkesën e klerikëve iraniane për ekzekutime
Gjykatësi kryesor në Iran theksoi sot se nuk do t’i nënshtrohet trysnisë së klerikëve ithtarë të vijës së fortë, të cilët kanë kërkuar ekzekutimin e një numri më të madh të protestuesve anti-qeveritar, duke theksuar se vendimet e tij do të bazojnë në ligj.
Irani javën e kaluar vari dy persona, për shkak të përfshirjes së tyre në trazirat, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve kundërthënëse presidenciale, të cilat u zhvilluan në shtator të vitit të kaluar. Ekzekutimi i tyre u dënua nga grupet për të drejta të njeriut dhe nga Perëndimi, i cili është akuzuar nga Irani për mbështetje të opozitës.
“Këto kërkesa nga ana e klerikëve janë për nga natyra politike dhe janë në kundërshtim me ligjin”, tha Sadiq Larijani.
Disa klerikë kanë kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të ekzekutojë një numër më të madh të ithtarëve të opozitës, për t’i dhënë fund demonstratave, të cilat kanë vazhduar përkundër aksioneve të autoriteteve dhe valës së arrestimeve.
Sidoqoftë, Larijani nuk përjashtoi ekzekutimet e reja të personave, të cilët shkelin ligjin islamik.
Dy udhëheqësit e opozitës, Mir Mousavi dhe Mehdi Karroubi dënuan gjithashtu ekzekutimin e dy personave javën e kaluar, duke ftuar ithtarët e tyre që të marrin pjesë në tubimin që do të mbahet më 11 shkurt, kur Irani do të shënojë 31 vjetorin e revolucionit islamik.