E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bahri Shaqiri e Ina Rama i thonë “po” Komisionit hetimor

SHKRUAN: Leonard Bakillari 02-02-2011 12:50

Kryeprokurorja dhe kryetari i ShISh-it, të akuzuar nga kryeministri Berisha për ngjarjet e 21 Janarit, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në seancën e pyetjeve nga Komisioni hetimor i drejtuar nga Halimi

Tiranë Drejtuesit e dy prej institucioneve të sulmuara ashpër nga kryeministri Sali Berisha, si pjesë e të ashtuquajturit puç prej tij, pritet të përballen sot me Komisionin hetimor, të ngritur për ngjarjet e 21 Janarit. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në dy seanca të veçanta dëgjimore, që do të zhvillohen pasditen e sotme. Burime të rezervuara pohuan për gazetën MAPO, se kreu i ShISh-it, Shaqiri, ka konfirmuar përballjen e tij me Komisionin e drejtuar nga deputeti Eduard Halimi, ndërsa deri në orët e vona të pasdites së djeshme, kryeprokurorja ka qenë e lëkundur në këtë vendim. Sipas të dhënave të siguruara, mësohet se rreth orës 18:00 të pasdites së sotme, kreu i ShISh-it, i akuzuar nga Kryeministri për moszbatimin e detyrës kushtetuese për informim, do të japë një deklaratë para Komisionit hetimor për atë që ndodhi më 21 Janar, dhe më pas do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Ende nuk është vendosur për mënyrën se si do të organizohet kjo seancë dëgjimore me kreun e ShISh-it, për shkak edhe të çështjeve të karakterit sekret që mendohet se përmban kjo seancë. Më përpara, Komisioni hetimor ka parashikuar të marrë në pyetje kryeprokuroren Ina Rama. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme i thanë mbrëmë MAPO-s se kryeprokurorja Ina Rama do të paraqitet për të dhënë shpjegime para Komisionit hetimor, nëse ajo të thirret për të sqaruar pozicionin e institucionit që ajo drejton, në lidhje me këtë çështje. Të interesuar për praninë e saj në Komision, pasditen e sotme, burimet thanë se ajo do të jetë e pranishme kurdo që do të kërkohet nga Komisioni hetimor. Sipas ecurisë së deritanishme të punës së Komisionit, rezulton se pozicioni i Prokurores së Përgjithshme në raport me çështjen që po hetohet, është më delikat se ai i kreut të ShISh-it. Publikisht, kryeprokurorja dhe institucioni që ajo drejton janë akuzuar nga Kryeministri, por edhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës, si të implikuar në puçin e shtetit që synonte ndërrimin e pushtetit me dhunë. Prokurorja e Përgjithshme është vënë nën akuzë se, e ndikuar politikisht, ka lëshuar 6 urdhra-ndalimi për zinxhirin drejtues të Gardës së Republikës, duke synuar kështu të lërë pa mbrojtje Kryeministrinë, në një kohë kur ishte paralajmëruar një tjetër demonstratë. Mungesa e një hetimi për thirrjet e kryera nga zyrtarët e opozitës për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, është një tjetër element që sipas Kryeministrit e komprometon kryeprokuroren në puçin 21 Janarit. Por sipas tij, përfshirja e kreut të ShISh-it dhe kryeprokurores në planin e dhunshëm të opozitës është mbështetur nga Presidenti i Republikës, i cili gjithashtu është thirrur nga Komisioni hetimor për të dëshmuar rreth ngjarjeve të 21 Janarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›