Hetimi i 21 Janarit, “ngrijnë” fletë-thirrjet për deputetët e PS-së
Prokuroria e Tiranës ndryshon taktikën e hetimit, duke u fokusuar te mbledhja e provave. Marrja në pyetje e Tom Doshit, Sterkajt, Xhafajt apo Bares shtyhet për një fazë të dytë
Tiranë Grupi hetimor i ngjarjeve të 21 Janarit ka vendosur të tërhiqet nga fletë-thirrjet për marrjen në pyetje të disa deputetëve socialistë, të paktën në këtë fazë të hetimit. Strategjia e re e Prokurorisë ka caktuar si prioritet kryesor mbledhjen e provave, e më pas pyetjen e personave të përfshirë në demonstratën përpara Kryeministrisë, që përfundoi me tre të vrarë dhe disa të plagosur me armë zjarri. Burime zyrtare thanë se prej disa ditësh nuk është ekzekutuar asnjë fletë-thirrje për pyetjen e personave që kanë dijeni për organizimin e protestës, edhe pse pak ditë më parë Prokuroria dërgoi disa të tilla. Dy ditë pas lëshimit të urdhër-ndalimeve ndaj 6 drejtuesve të Gardës së Republikës, i njëjti grup hetimor kërkoi edhe dëshmitë e deputetëve të opozitës, të angazhuar në organizimin e demonstratës. Sipas Prokurorisë, personi i parë që do të pyetej rreth mënyrës së organizimit të këtij tubimi dhe arsyet që gjithçka përfundoi në dhunë ndaj policisë dhe rrethimit të Kryeministrisë. Të parët në listën e Prokurorisë ishin deputetët Paulin Sterkaj dhe Tom Doshi, ky i fundit i filmuar gjatë demonstratës duke biseduar me Gjin Ndreun, i akuzuar nga policia si person i armatosur dhe i arrestuar dy herë. Më pas, në listën e deputetëve të opozitës, organi i akuzës, duke iu referuar pamjeve filmike dhe dokumenteve të tjera shkresore, kërkoi dëshminë e Fatmir Xhafës dhe Besnik Bares. I pari është evidentuar si një nga organizatorët, por edhe i dhunuar nga policia pas përfundimit të demonstratës, ndërsa deputeti Bare ka drejtuar kërkesën për marrjen e lejes te autoritetet përkatëse. Por pas analizës së hetimeve, grupi hetimor vendosi të ndryshojë taktikë, duke iu dhënë prioritet provave, që konsiderohen si mjaft të rëndësishme në zbardhjen e ngjarjes së 21 Janarit. Burimet konfirmojnë se të gjitha fletë-thirrjet e dërguara për pyetjen e organizatorëve të demonstratës do të ekzekutohen në një moment të dytë, pasi hetuesit të kenë mbledhur të gjitha provat e tjera të nevojshme. Në varësi të hetimeve dhe rezultateve të tyre, organi i akuzës nuk përjashton mundësinë e marrjes në pyetje edhe të personave të tjerë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se aktualisht hetuesit e çështjes po verifikojnë vërtetësinë e materialeve të referuara nga Policia e Shtetit, të cilat kanë paraqitur kallëzim penal ndaj drejtuesve të opozitës për thirrje që nxisin përmbysjen e rendit kushtetues. Fjalimet e krerëve të opozitës para demonstratës së 21 Janarit dhe materiale të tjera të mbledhura nga puna operative e policisë kriminale, tashmë po kalojnë në filtrat e hetimit, të cilat pritet të dalin në një konkluzion së shpejti rreth vërtetësisë së materialeve dhe indicieve që mund të merren nga këto të dhëna.
Në pritje të ekspertizës së armëve të Gardës
Jashtë vëmendjes së hetimit nuk janë lënë as provat e tjera që lidhen me dyshimet për vrasjen e tre demonstruesve nga Garda e Republikës. Aktualisht Prokuroria është në pritje të rezultateve të ekspertizës balistike që po kryhet për rreth 50 armë që u përkasin gardistëve të planifikuar me shërbim, ditën e demonstratës, rezultate këto që pritet të hedhin më shumë dritë rreth personave që dyshohet se mund të kenë qëlluar drejt demonstruesve. Akt-ekspertimet për gardistët e plagosur dhe përfshirja e një prokurori amerikan në hetimet e çështjes, janë të tjerë elementë që, sipas Prokurorisë, pritet të zbardhin të vërtetën e 21 Janarit, që përfundoi me tre të vrarë dhe disa të plagosur.