E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajden: Këshillat e mia për Serbinë

"Hyni në NATO, njihni Kosovën, disiplinoni Dodikun, konfirmoni statutin e Vojvodinës dhe ndajeni Serbinë në shtatë rajone". Kështu, të paktën, shkruanin dje disa organe të shkruara të medias serbe, sipas të cilave, kjo është lista me kërkesa që nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, do t‘i paraqesë, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd, udhëheqjes më të lartë politike të Serbisë. Në krye të së listës së këshillave, sikurse vihet re, ndodhet kërkesa për hyrjen e Serbisë në NATO, të pasuar nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, disiplinimi i Presidentit ultra-nacionalist serb të Republikës Srbska të Bosnjës, Millorad Dodik, konfirmimi sa më shpejt i statutit të Vojvodinës në Skupshtinë (Kuvend), si dhe ndarja e Serbisë në shtatë rajone.

"Miku juaj, Amerika"

Analisti amerikan, Xhejms Xhatras, të cilit i referohej gazeta e përditshme serbe "Kurir", lidhur me vizitën e Xho Bajdenit në Beograd, vë në dukje se administrata aktuale amerikane synon të tregojë se do të ndjekë një politikë të jashtme më të mirë se administrata republikane e mëparshme. "Sikurse duket, qëllimi i kësaj administrate është vazhdimi i politikës së administratës së Bill Klintonit dhe kjo është zhdukja e Republikës Srbska, si dhe e emrit të saj. Po ashtu, Boris Tadiçit do t‘i kërkohet të heqë dorë nga Kosova dhe si kompensim do të marrë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe BE", konsideron ky analist amerikan, i konsideruar pro-serb. Ai theksonte se Uashingtoni është i shqetësuar nga rritja e ndikimit të Moskës në Beograd dhe Banja Luka (kryeqendra e Republikës Srbska). "Vlerësojeni vetë se kush është miku juaj. Kam frikë se nuk është Uashingtoni. Sepse, në ndryshim nga Rusia, e cila marrëveshjet e reja i sheh nga këndvështrimi komercial, SHBA i sheh nga këndvështrimi politik", nënvizonte analisti Xhatras.

"Nuk pajtohemi rreth Kosovës"

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, bajden, dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, përfunduan dje bisedimet njëorëshe mes tyre "kokë më kokë". Nënpresidenti Biden, pas takimit, ka deklaruar se, në emër të administratës amerikane ka ardhur në Beograd me porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

"Shtetet e Bashkuara nuk presin që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është parakusht për mbështetjen tonë për Serbinë për t‘u bërë pjesë e BE-së. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të insistojnë që serbët në Kosovë të kenë mbrojtjen më të gjerë të mundshme dhe presin nga Serbia që në Kosovë të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë", ka thënë nënpresidenti Biden, citonte Radio "Evropa e Lirë".

"Konsiderojmë se mund të pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi, me kusht që të kemi pritje të arsyeshme nga njëri-tjetri", ka thënë Biden, për të shtuar se pret nga Beogradi që të bëjë gjithçka të mundur për t‘i arrestuar të akuzuarit e Hagës", shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Tadiç, pas takimit, ka deklaruar se bisedimet ishin shumë të "hapura e produktive" dhe ka shfaqur bindjen se ato do t‘i kontribuojnë hapjes së "etapës së re në formimin e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit perëndimor". "Nënpresidenti Biden dhe unë jemi pajtuar që tani është rasti për vendosjen e një niveli të ri të komunikimit ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se me dialog, që është i bazuar në respektin e ndërsjellë, mund të arrijmë shumë", ka thënë Tadiç. Ai ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe ka vënë në pah se "Serbia nuk njeh Kosovën" dhe "këtë nuk do ta bëjë kurrë".

Menjëherë pas takimit me Tadiçin, filluan bisedimet me delegacionin e Serbisë, në të cilin gjenden ministra dhe bashkëpunëtorë tjerë të afërt të Presidentit serb. Pasdite, nënpresidenti amerikan u takua me Kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac.

Për numrin dy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte rezervuar një pritje madhëshore, përkundër paralajmërimeve që kishin bërë grupe të ndryshme radikale dhe nacionaliste në Serbi. Protestat e planifikuara që të mbaheshin në qendër të Beogradit kundër vizitë së zotit Bajden, u ndaluan nga autoritetet serbe. Nesër, zv/presidenti Bajden do të vizitojë Kosovën. Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, janë shprehur se "kjo është një vizitë historike". Më parë, Bajden, i cili nisi një tur ballkanik, vizitoi Bosnjë-Hercegovinën. m.s.

Ashdaun

SHBA, e interesuar për stabilitetin

Disa ditë para vizitës, Kongresi amerikan miratoi një rezolutë në të cilën kërkohej që SHBA të emëronte një të dërguar të posaçëm për Bosnjë-Hercegovinën. Pedi Ashdaun, ish-përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, thotë në një intervistë për BBC-në se administrata e Obamës ka gjetur rrugën e duhur për të trajtuar situatën në Ballkan, duke u përqendruar fillimisht në vlerësimin e situatës. Por ai tha se mesazhi i zotit Bajden, në emër të administratës do të jetë se Amerika mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar stabilizimin e situatës në Ballkan, por ajo ka nevojë edhe për ndihmën e partnerëve të saj: Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve progresistë vendas.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›