E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Londra në… Romë

Ky titull shkrimi nuk i përket një sensacioni me të cilin jemi mësuar të ndeshemi në faqet e shtypit shqiptar. Është përshkrim i një itinerari që një grup i Qendrës Shqiptare të Studimit dhe Luftës ndaj Terrorizmit e Krimit të Organizuar në Shqipëri ka bërë në ditët e fundit në Itali, për të krijuar një gjeografi të pasur vendesh e komunitetesh të vendeve të ndryshme. Në realizimin e këtij misioni kaq të vështirë, por edhe kaq fisnik për kohët që po kalojmë, qëllimi ishte më se i qartë: të bëhet sa më mirë sensibilizimi i opinionit të gjerë për këtë luftë që parandalon sa më shumë krimin e organizuar dhe trafikimin njerëzor. Kësaj radhe, në cilësinë e drejtorit të filialit të kësaj qendre për Mbretërinë e Bashkuar na duhej që të bënim një udhëtim në Itali, me qëllim për të parë aktivitetin e specialistëve tanë në këtë vend, por edhe për të siguruar të tjera bashkëpunime me miqtë italianë që i kanë ngritur këto mekanizma në vitin 1999.

Që prej dy vjetësh të funksionimit zyrtar të kësaj qendre në Angli kemi krijuar një përvojë të veçantë. Jo thjesht për t‘u vetëkënaqur për atë që kemi bërë, por për të qenë më të sigurt për të hedhur hapa të tjerë jo vetëm në këtë vend shumë të madh e më me përvojë në këtë drejtim, por edhe për t‘u shtrirë me guxim edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Ishte ky udhëtim edhe një ide e drejtorit ekzekutiv të kësaj qendre, me qendër në Tiranë, gjeneralit Maksim Ferra, që e sheh këtë bashkëpunim si një pjesë të strategjisë mbarëkombëtare dhe në shumë vende ku ka shqiptarë. Ai mendon se të 15 milionë shqiptarët që jetojnë kryesisht në Evropë, por edhe më gjerë, duhet të ndjejnë kujdesin dhe ndihmën e kësaj qendre.

Domosdoshmëria e këtyre kontakteve tashmë është më se e detyrueshme në Itali, sepse që nga jugu deri në veri ka me qindra e mijëra shqiptarë që kanë aty jetën e tyre familjare, studentë, por edhe shumë shqiptarë që ende nuk kanë bërë dokumentet legale për të siguruar një qëndrim të rregullt ligjor.

2.

Me këto mendime zbritëm në fundmarsin e këtij viti në Firence. Pëllëmbë e monumente ky qytet që të kujton edhe vargjet e pavdekshme të Dante Aligerit. Përballë pritjes së miqve tanë shqiptarë, që na gëzonin me sukseset e me atë harmoni të jetës së tyre me popullin italian, pranvera na dukej edhe më e ngrohtë. Pranvera fiorentine, ngrohtësia e miqve tanë shqiptarë dhe pritja shumë e ngrohtë e miqve italianë, na e bëri më të fortë bindjen se pa bashkëpunim njerëzor, institucional, nuk mund të ketë sukses kjo punë që është kthyer në një front të rëndësishëm të jetës në shumë vende, qofshin këto të zhvilluara ekonomikisht qoftë edhe më pak të tilla. Qyteti i vogël i Pratos, vetëm pak kilometra larg Firences, na e shtonte edhe më shumë kënaqësinë për tërë ato vepra arti që lamë në Firence, por që në këtë qytet të vogël turistik sikur ishin vazhdimi i qytetit të madh.

Vëllezërit tanë shqiptarë, siç do t‘i quanim me plot gojë për atë dashamirësi që treguan që kur ne shkelëm për herë të parë në këtë qytet për të kryer detyrën tonë, Orion Hoxhaj dhe Edison Kapaj, ishin prej ditësh në pritje. Si organizatorë të mirë kishin përgatitur edhe një protokoll të saktë të vizitave të detajuara deri në saktësi, ashtu si u takon njerëzve të kulturuar e të përkushtuar. Kanë kohë që janë analistë të qendrës sonë në këtë qytet, por edhe në mbarë Italinë e Veriut. Ndërkohë që të dy, pas një qëndrimi gati 10-vjeçar në këtë vend, kanë ngritur me sakrifica, zotësi e ndershmëri edhe bizneset e tyre të ndërtimit, duke qenë pasqyra më e bukur e shqiptarëve të ndershëm në Itali. Në këtë ekip të vogël është afruar edhe Ana Ibrahimaj, një vajzë që vazhdon vitin e tretë në Fakultetin Juridik të Firences, e cila është e gatshme që të gjitha njohuritë e marra në këtë universitet shumë të njohur të Italisë, por edhe me detyrimin e saj atdhetar që bëhet shumë i dukshëm në një vend të huaj, ta vërë në shërbim të ideve të Qendrës Shqiptare të Studimit dhe të Luftës kundër Terrorizmit e Krimit të Organizuar. Nuk janë të pakta rastet kur vajza e djem të tillë të talentuar vihen në shërbim të një çështjeje të madhe kombëtare e ndërkombëtare që tregon jo vetëm përkushtim, por edhe inteligjencë dhe atdhetarizëm.

3.

Takimi me zotin Francesko Belcamino vazhdoi pak më shumë se sa e kishim parashikuar. Francesko është kryeinspektor i Shërbimit Inteligjent në Luftën kundër Krimit. Ka një të kaluar profesionale për t‘u pasur zili. Për disa vite ka qenë shoqërues i gjykatësit të vrarë nga mafia italiane, Xhovani Falkone. Për këtë fakt nuk e fshihte krenarinë, por edhe dhimbjen e madhe për mikun e tij që nuk jetonte më. Ishte një mësim i madh, se krimi në kohën e duhur mund të godasë edhe në sferat më të larta të drejtësisë dhe të rendit. Duke qenë se edhe unë vetëm para disa vitesh kam qenë shoqërues i disa figurave në të larta të drejtësisë shqiptare, në mënyrë të natyrshme biseda u kthye në një farë mënyre jo vetëm në një bisedë pak nostalgjike, por edhe si shkëmbim përvoje në këtë fushë kaq të rëndësishme të ruajtjes fizike të atyre që godasin krimet pa përfillur rrezikun që u paraqitet në çdo moment të jetës së tyre personale dhe të familjeve të tyre. Njohja e përbashkët e problemeve që lidhen me parandalimin e krimit në të dyja vendeve tona u bë kryefjala e bisedave tona, që pati një fund të qartë. Me një gatishmëri të dukshme, zoti Francesko na afroi edhe bashkëpunim si dhe kontakte me forumet më të larta në Romë. Ai na sugjeroi të kurorëzonim sa më parë zyrtarisht aktivitetin e qendrës sonë në Firence e në qytete të tjera italiane, që të kishim mundësi për të bashkëpunuar edhe me të gjithë organet e rendit në Itali. Biseda miqësore me të i ngjau bisedës me një mik të njohur e të provuar prej kohësh. Kishe dëshirë që ta dëgjoje për përvojën e tij të madhe, por edhe për aftësinë profesionale që ai na tregonte, duke na afruar plane konkrete për të ardhmen.

Zonjën Lina Irvazi në Prato e thërrisnin me shumë mirësjellje "Doktoresha Irvazi". Nuk ishte vetëm mirësjellja italiane që bëhet për të gjitha zonjat, por ishte një respekt që ajo e kishte fituar me punën e saj në shërbim të një komuniteti shumë të gjerë, siç ishte ai i emigrantëve të huaj në këtë vend. Vala e emigrantëve edhe në këtë zonë ishte shumë e madhe. Sidomos shqiptarët. Ajo i njihte mirë shqiptarët. Njihte problemet e tyre si të ishte një e afërme e tyre. Duket se me zonjën Lina, që ishte shefe e Zyrës së Emigracionit në Prato, ishte bërë zgjidhja më e mirë e më e efektshme jo vetëm për shtetin italian, por edhe për bashkatdhetarët tanë të shumtë, pse jo edhe për emigrantët që vinin këtu nga shumë shtete të tjera, kryesisht nga Lindja dhe Afrika. Vetë ajo na tregoi se shifra zyrtare e emigrantëve shqiptarë në Itali është rreth 450000 vetë. Me zonjën Lina, biseda rrodhi shumë natyrshëm. I treguam përvojën tonë të fituar prej disa vitesh në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën zonja Lina na dëgjoi me shumë vëmendje e na përgëzoi. Ndonëse përvoja e saj ishte shumë e gjatë dhe e larmishme në të gjitha problemet që paraqet tema e emigracionit, edhe biseda jonë nuk ishte pa interes për të. Madje, herë pas here mbante dhe shënime përkatëse, duke u bërë për ato kohë të bisedës sonë të përbashkët një "shkollë" e vërtetë edhe për delegacionin tonë. Një grua energjike, por edhe paksa emocionale, duke kujtuar shumë e shumë ngjarje që lidhen me emigracionin e huaj në vendin e saj. Blloku i adresave të saj ishte i mbushur plot me emra, që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek ata më me ndikim në jetën politike kulturore e ekonomike të Italisë e më gjerë. Natyrisht që i kërkuam edhe bashkëpunim të mëtejshëm. Duket se zonja Lina në këtë qytet e në një territor shumë të gjerë ishte një "çelës" shumë i sigurt për të vendosur të ardhmen e qendrës sonë. Porsa e mbaruam kërkesën e njohjen e problemeve që ka qendra jonë në Itali e në Angli, zonja na dha një mbështetje të plotë e të gjithanshme. Ajo na siguroi që, së pari, të na ndihmonte për të vendosur kontakte sa më të shpejta e më produktive me emigracionin shqiptar e të mos humbnim kohën me rastësinë që jo gjithmonë është e efektshme. Na njohu më konkretisht me të gjitha problemet që ka emigracioni ynë në këtë zonë e me punën parandaluese që bënte kjo zyrë për luftën kundër krimit. Duket se ardhja e përfaqësuesve të qendrës shqiptare studimore po e bënte më të vendosur e më të sigurt misionin e saj në të ardhmen. "Në bazë të ligjeve të shtetit italian, na tha ndërmjet të tjerash zonja Lina Irvazi, kur të aprovohet qendra, atëherë duhet të shtohen sa më shumë kontaktet tona. Miq të shtrenjtë, ne duam bashkëpunim, bashkëpunim e vetëm bashkëpunim. Nëse e kemi bërë praktikë këtë parim, të gjitha rezultatet nuk do të jenë të largëta". U larguam të emocionuar nga kjo "Zonjë e hekurt", nga kjo mike e vërtetë e emigrantëve shqiptarë, për të takuar të tjerë miq, por për të mos harruar asnjëherë fjalët e saj, porositë e saj dhe, mbi të gjitha, kërkesat e saj që buronin nga sinqeriteti, nga ndershmëria e nga një përvojë vitesh plot sakrifica e përkushtim.

Në takimet e mëvonshme e kishte radhën një shqiptar. Shef Roland Jaçe, si më pëlqen ta quaj. E kam njohur prej kohësh dhe nga larg kam ndjekur edhe karrierën e tij profesionale që ka ardhur në rritje. Një njeri me një përditshmëri frymëzuese që nuk e gjen lehtë dhe që ke dëshirë ta kesh edhe ti një lloj shembulli në jetën tënde. Ai kryente edhe detyrën e shefit të Zyrës së Emigracionit në zonën e Bolonjës e të Firences. Rolandi na priti me shumë ngrohtësi dhe menjëherë na ndihmoi që të vendosnim kontakte me një institucion shumë të rëndësishëm të studimit të luftës kundër krimit. Bëhej fjalë për një qendër të tillë që vetë italianët e quanin Qendra e Lartë Studimore kundër Dhunës dhe Terrorizmit. Në një farë mënyre ishte një organizëm homolog i qendrës tonë në Tiranë, Londër e gjetkë në shtetin italian. Kjo qendër kishte një administrim të dyfishtë, ishte edhe pak private, por edhe në linjë institucionale në bashkëpunim me shtetin italian.

Presidenti i kësaj qendre ishte senatori Mauricio Kalvin. Ai na shprehu menjëherë keqardhjen që nuk mund të merrte vetë pjesë në takimin e përbashkët me ne, por menjëherë njoftoi zëvendësin e tij, z.Aleksandro Çeçi, për të na takuar. Kësaj radhe takimi u bë në Romë, e pikërisht në Universitetin e Pomezias. Çdo gjë shkëlqente nga pastërtia dhe rregulli. Ishte njohja e parë me këtë mjedis që të krijonte respektin për tërë ata njerëz, ushtarakë të vjetër e të rinj, që përgatiteshin këtu për të qenë më vonë kuadro të devotshme në luftë kundër terrorizmit. Takimi me zotin Aleksandro ishte shumë i gjerë dhe shumë serioz. Nga pala italiane kishin ardhur edhe dy sociologë, si Alfredo Askoli Graziana dhe Liliana Montorene. Menjëherë u hodh ideja e nënshkrimit të një protokolli mirëkuptimi, që do t‘i hapte rrugë edhe Kontratës së Bashkëpunimit midis dy palëve. Ky institut ishte krijuar më 1999 dhe kishte shpërndarje mbarë kontinentale, duke bërë kudo kërkime kundër dhunës dhe terrorizmit. Pas disa ditësh, vetë instituti do të organizonte një konferencë shkencore në rangun evropian, në të cilën na ftuan që të ishim edhe ne pjesëmarrës të saj. Në këtë takim natyrisht edhe ne i ofruam ndihmë në informacion për aktivitetin tonë në të gjithë zonat ku punonim, të cilën ata e vlerësuan së tepërmi. Profesor Çeçi ishte njëkohësisht edhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Beogradit dhe ndiqte me shumë vëmendje edhe kualifikimin e vazhdueshëm të pjesëmarrësve të qendrës. Për këtë, më 15 janar të vitit 2010 na ofroi një bursë studimi tremujore (Master) falas për qendrën tonë studimore.

Protokolli i takimit u kthye në një shkëmbim përvoje, në shkëmbimin e informacionit për problemet që shqetësojnë dy institucionet tona, të cilat janë në rrugën e konsolidimit të tyre.

Pas takimit në këtë universitet prestigjioz të Romës, menjëherë senatori Kalvin u informua dhe na përshëndeti sërish miqësisht, gjë që na e rriti edhe më shumë respektin për këtë njeri të përkushtuar ndaj detyrës së tij e ndaj miqve të rinj të ardhur nga Shqipëria. Kënaqësia jonë ishte e madhe. Po kurorëzonim kështu një nga sukseset më të mëdha të kësaj vizite te miqtë e njëkohësisht bashkëpunëtorët tanë italianë dhe kishim përcaktuar objektivat konkrete për të ardhmen e afërt.

***

Pranvera fiorentine dhe ajo ngrohtësi njerëzore që prekëm në udhët e Firences, Pratos, e më tej në kryeqytetin e Romës, na kishte lumturuar. Bisedat me Orionin, Edisonin, Anën dhe me shokët tanë shqiptarë që takuam, e kishin të pranishme këtë gëzim që shprehte në të njëjtën kohë edhe mirënjohjen tonë për atë pritje. Më tepër se protokollet zyrtare të takimeve, na u rrit besimi se në Londër të Anglisë, në Romë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Tiranë e gjetkë, Qendra Shqiptare Studimore e Luftës ndaj Terrorizmit e Krimit të Organizuar po ecte në rrugë të mbarë. Kishim marrë përvoja të reja, ashtu siç dhe kishim treguar për punën tonë për këto vite. Na u shtuan edhe emocionet jo thjesht për një miqësi të re që po krijonim, por edhe për bashkëpunimin e ri që po na priste. Adriatiku dhe vetë qielli i dy vendeve tona që dukej pa kufi nga dritarja e avionit drejt Tiranës, apo edhe drejt Londrës, na u kthye një çast në një shami të kaltër përshëndetjeje, që na ftonte të ktheheshim sërish për të kuvenduar si miq, për të punuar më me përkushtim për detyrën tonë të vështirë dhe fisnike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›