E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajden: “SHBA-të, me rol të rëndësishëm në Europë”



Blerine Olldashi
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, bën të ditur se përmirësimi i raporteve me Rusinë, nuk do të cënojë aspak marrëdhëniet me aleatët në Europën Lindore. “Ne dëshirojmë ripërtëritjen e marrëdhënieve me Rusinë. Por në të njëjtën kohë nuk harrojmë. Këtë e kam bërë absolutisht të qartë. E kam bërë të qartë se janë dy gjëra, dy parime, për të cilat nuk mund të zhvillohen negociata. E para është se nuk ka sfera të influencës dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë, ose të jemi pjesë e saj. E dyta, nuk ka forcë të vetos për aftësinë e secilit vend, në secilën pjesë të Europës, ose çdokund tjetër në botë, që të bëjnë vetë vendime, ose në të cilat aleanca ose unione dëshirojnë të bashkohen”,- tha Xho Bajden, në intervistë për mediat kosovare.
Vizitën e tij në Varshavë, Bukuresht dhe Pragë, ai e bëri në kohën kur këta aleatë kanë shqetësime se vendimi aktual i presidentit Barak Obama, për tërheqje nga planet e administratës Bush, për mbrojtjen raketore amerikane në Europë, paraqet kapitullim para Rusisë, e cila fuqishëm e kishte kundërshtuar këtë sistem. Ish-presidenti Bush kishte planifikuar, që pjesë të kësaj mbrojtjeje të ndërtohen në Poloni dhe Çeki. Polonia dhe Çekia thanë se do të marrin pjesë në sistemin e ri të mbrojtjes raketore. Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, po ashtu, është përpjekur t’i qetësojë shqetësimet se obligimet e jashtëzakonshme, universale dhe mbarëbotërore të Shteteve të Bashkuara në Korenë Veriore, Pakistan dhe në Iran, po çojnë në mendimin se administrata Obama do ta neglizhojë Europën Lindore. Në këtë aspekt, porosia i tij është: “Mesazhi im është i thjeshtë. Kjo është saktësisht përse ne duhet të jemi thellësisht në përfshirë në Europë. Dëshirojmë të plotësojmë detyrimet tona dhe për këtë na duhet një Europë e sigurt, e plotë, e lirë dhe që zgjerohet”. Duke u shprehur për Rusinë, ai tha se ky vend ndodhet në periudhën e “vendosjes së identitetit dhe të rolit të saj të ri”. “Rusinë e shikoj me sy të hapur si një realist. Pritja ime është se Rusia do të vendosë gjatë dekadës së ardhshme se interesat e saj qëndrojnë në më tepër integrime, e jo në një kurs tjetër, për të cilin, siç duket, mendojnë disa në Rusi”. “Ne vetëm duhet ta mbajmë dialogun që të zhvillohet. Por, janë disa gjëra, për të cilat me ne nuk mund të bëhet kompromis”,- theksoi Xho Bajden. Ai tha se beson se Rusia mund të lëvizë mbi pushtetin autoritar dhe politikën e jashtme konfrontuese, që ka mbizotëruar në Kremlin gjatë dekadës së fundit.

SHBA
Obama pret përgjigje ndaj propozimit bërthamor
Administrata e presidentit Obama vuri në dukje se po humb durimin me Iranin pasi qeveria e Teheranit injoroi afatin e djeshëm për t’iu përgjigjur një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja që synon zbutjen e shqetësimeve mbi programin e tij bërthamor. Irani ka premtuar se do të japë një përgjigje deri javën e ardhshme.
Zyrtarët amerikanë thonë se mund të presin edhe disa ditë për përgjigjen e Iranit mbi propozimin bërthamor, por ata thonë se administrata e presidentit Obama po kërkon veprime konkrete dhe durimi nuk do të jetë i pafund.

Gjermani
Paraqitet marrëveshja e koalicionit të ri qeveritar
Partitë e Unionit (CDU/CSU) dhe liberalët (FDP) përfunduan negociatat e tyre që zgjatën tri javë për krijimin e koalicionit qeveritar. Merkel, Uestervelle dhe Shofer paraqitën në Berlin marrëveshjen për koalicion. Partitë kanë rënë dakord edhe për ndarjen e posteve ministrore: CDU-ja do të ketë tetë ministra, FDP-ja pesë dhe CSU-ja tre. Po ashtu është rënë dakord edhe për emrat e ministrave, por ata do të zyrtarizohen për opinion pas konfirmimit të tyre prej kongreseve të partive. Liberalët e rafitikuan marrëveshjen njëzëri të shtunën. Ndërsa partitë e Unionit do të takohen ditën e sotme dhe të hënën.

Pakistan
Ushtria pushton një qytet të Talibanit
Ushtria pakistaneze thotë se ka marrë kontrollin e qytetit Kotkai, vendlindjen e udhëheqësit të Talibanit, Hakimullah Mehsud-it, një javë pas fillimit të ofenzivës kundër bastionëve të militantëve në Uaziristanin Verior. Zyrtarët lokalë thonë se tre ushtarë dhe katër militantë janë vrarë në në operacion ushtarak për të marrë këtë qytet, ku ka selinë e vet edhe një zyrtar tjetër i Talibanit, Qari Hussain. Nuk ka patur konfirmim të pavarur të këtyre njoftimeve. Ofensiva në Uaziristanin Jugor filloi si reagim ndaj sulmeve të militantëve ku u vranë 200 persona gjatë këtij muaji.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›