Kontributet, pensionet, cilat janë kategoritë për pagesat e detyruara
Jonida Tashi
Detajohen kategoritë e të punësuarve, që janë të përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm të pensioneve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në Tiranë sqaron se cilat janë kategoritë e punonjësve për pagesat e detyruara si dhe procedurat që duhet të ndjekin ato për të kryer pagesat e kontributeve. Sipas ISSH-së, mjaft të vetëpunësuar, ose të vetëpunësuar që punësojnë edhe të tretë në punët e tyre, pavarësisht nga kohëzgjatja e aktivitetit, përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), duke filluar nga 1.9.2006 e në vazhdim, derdh kontribute të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në masën 33.2 për qind të pagës mujore minimale, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Kategoritë e punonjësve
Janë një sërë kategorish punonjësish që përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Së pari, në këtë skemë përfshihen të gjithë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa ose me afat me më shumë se 1 muaj e që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme pune, për më shumë se 24 orë në javë. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi: për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësi dhe sigurim shëndetësor. Por pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme pune, që zgjat më pak se 24 orë në javë. Kategoria e sipërpërmendur e punonjësve sigurohet në mënyrë të detyrueshme në nivel minimal në këto degë sigurimi: barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor. Ndërkohë pjesë kësaj skeme janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me afat me më pak se 1 javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme pune. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi: aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor.
Kategoritë e veçanta
Përveç punonjësve të sipërpërmendur, pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe disa kategori të veçanta, që duhet të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore për të qenë të siguruar. Konkretisht në kategoritë e veçanta përfshihen: Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, që paguajnë kontribute vetëm për sigurimin shëndetësor; Kursantët dhe studentët për kohën e praktikës mësimore, që sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë; Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, që sigurohen po sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Ndërkohë, në rast se pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese, si administratorë, apo çdo funksion tjetër, atëherë ata trajtohen si të punësuar dhe janë pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm. Po ashtu, edhe pjesëtarët e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me punëdhënësin privat dhe të vetëpunësuarin, të cilët sigurohen në nivel minimal për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor janë të përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari. Pagesat e kontributeve gëzojnë përparësi në raport me detyrimet fiskale dhe borxhet, që do të thotë se subjektet nuk mund të paguajnë detyrimet e tjera, qoftë dhe ato fiskale pa paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Punonjësit që janë të detyruar të paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore
Të punësuarit që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për më shumë se 24 orë në javë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për:
sëmundje
barrëlindje
pensione
aksidente në punë e sëmundje profesionale
për papunësinë
sigurim shëndetësor
Të punësuarit që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për më pak se 24 orë në javë sigurohen në nivel minimal në mënyrë të detyrueshme për:
barrëlindje
pensione
aksidente në punë e sëmundje profesionale
sigurim shëndetësor
Të punësuarit me kontratë pune më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme pune, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme:
aksidente në punë e sëmundje profesionale
sigurim shëndetësor
Kategoritë e veçanta
Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, paguajnë vetëm për sigurimin shëndetësor
Kursantët dhe studentët për kohën e praktikës mësimore, sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë
Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, sigurohen sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar
Pronarët e personave juridikë që ushtrojnë funksione drejtuese, si administratorë, apo çdo funksion tjetër, që trajtohen si të punësuar
Pjesëtarët e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me punëdhënësin privat dhe të vetëpunësuarin
Ku dhe kur paguhen kontributet e të vetëpunësuarve
Bazuar në Ligjin Nr.9136, datë 11.09.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.771, datë 13.11.2003, “Kontributet e sigurimeve shoqërore për këto subjekte mblidhen nga organet tatimore”. Pagesat e kontributeve bëhen në llogari të degëve të Tatimeve në rrethe, sipas udhëzimit të ministrit të Financave nr.4, datë 30.01.2006, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës për çdo tremujor të vitit. Tremujori i parë, jo më vonë se data 20 prill, tremujori i dytë, jo më vonë se data 20 korrik, tremujori i tretë, jo më vonë se data 20 tetor dhe tremujori i katërt, jo më vonë se data 20 janar të vitit kalendarik.
Çfarë dokumentacioni kërkohet
Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore, (E_SIG 011-012/a)
Listëpagesa e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi, (E-SIG 025/A)
Pasqyra e të Punësuarve Rishtazi dhe e të Larguarve, (E-SIG 027/A)
Pajisja me numër të sigurimit shoqëror
Pajisja me numër sigurimi shoqëror mbështetet në Ligjin Nr. 7845, datë 13.07.1994 “Për Numrin e Sigurimit Shoqëror”. Numri i sigurimit shoqëror përcakton identitetin e personit të siguruar. Punëdhënësi e përdor numrin e sigurimit shoqëror, në marrëdhënie me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për të identifikuar kontributet e derdhura për të punësuarit. Porositen punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, të kërkojnë pajisje me numra sigurimi shoqëror për punonjësit e pa pajisur. Organet Tatimore dhe ato të Sigurimeve Shoqërore nuk do të pranojnë listëpagesa, me mungesa të numrave të sigurimit.
Të ardhurat mbi të cilat llogariten dhe paguhen kontributet
Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.771, datë 13.11.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në Republikën e Shqipërisë”, paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune, dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin në marrëdhëniet e punës. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nuk përfshihen:
Përfitimet që punëmarrësi merr në mënyrë të përhershme nga fondet e sigurimeve shoqërore;
Kompensimet nga rritja e çmimeve;
Dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
Të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuar me vendim gjykate;
Vlera e antidodeve, që punëdhënësi jep në natyrë për personat e punësuar sipas legjislacionit në fuqi;
Shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive, për sëmundjet e gjata, për dëme në raste fatkeqësish të mëdha natyrore e për veprimtari të shquara;
Vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit;
Honorarët apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet e punës.
26 Tetor 2009