ISKSH po harton projekte për nxitjen e privatizimit të shërbimeve
Emanuela Sako
ISKSH-ja do të nxisë privatizimin e disa shërbimeve të veçanta në spitale, të cilat nuk mund të përballohen financiarisht nga shteti. Privatizimi është pjesë e reformës spitalore, e cila bëhet për rritjen e cilësisë së shërbimeve që do të marrin pacientët. Elvana Hana, Drejtoreshë e ISKSH-së, paraqiti pikat e reformës spitalore, e cila po implementohet në spitalet e vendit, gjatë punimeve të Forumit të 3-të Ballkanik në Malin e Zi. Një ndër pikat kryesore ishte dhe privatizimi i shërbimeve në mënyrë që pacientët të kenë shërbime cilësore dhe të monitoruara nga ISKSH-ja dhe MSH-ja. Pika më e rëndësishme është vendosja e autonomisë së spitaleve, të cilët do të menaxhojnë vetë qendrën spitalore. “Sfida jonë e madhe tani është financimi i spitaleve të cilët duhet të jenë dhënës shërbimi autonom por nga ana tjetër autputi që marrim prej tyre, duhet të jetë pozitiv për pacientët. Ne morëm eksperiencë lidhur me kontratat me spitalet, pasi jemi ne një moment të rëndësishëm të hartimit të kontratave të reja për vitin 2010. Ajo çka ne synojmë me kontratat e reja, është lidhja e pagesave me shërbimin që u ofrohet pacientëve. Një pjesë e pagesës do të vijojë të jetë me buxhet, por shtesa e buxhetit do të lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me performancën e spitaleve”,- u shpreh Elvana Hana.
Reforma
Reforma shëndetësore që do të bëhet në sistemin shëndetësor do të ketë disa përfitime të rëndësishme për pacientët, nëse gjithçka do të realizohet ashtu siç është parashikuar nga ky institucion. Hapi i parë i MSH-së dhe ISKSH-së në Shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore do të mundësojë njëjtësimin e disa shërbimeve kryesore në spitalet e nivelit terciar në rrethe. Çka do të thotë që do të shtohen më tepër shërbime, që aktualisht janë prezentë në spitale por nuk kryhen. Njëkohësisht, nëpërmjet të vetëfinancimit spitalet do të kenë më shumë mundësi investimi në ata sektorë dhe në ato aparatura që janë më tepër problematike. Nga ana tjetër edhe mjekët do të jenë më të stimuluar të punojnë, pasi do të marrin dy rroga shpërblim gjatë një viti, në bazë të punës së kryer. Në të kundërt, të gjitha këto përfitime nuk do të mund të arrihen. Përmirësim të shkallës së autonomisë së spitaleve. Drejtoresha e ISKSH-së theksoi se pikat kryesore ku do të ndërhyhet është përcaktimi i standardeve për llogaritjen e kostos: për shërbim, për rast diagnoze dhe grup diagnoze (DRG), si dhe standarde për matjen e cilësisë dhe të performancës në spitale. Njëkohësisht, ajo theksoi se do të ketë përmirësim dhe zbatim të sistemit të referimit, sistem fleksibël pagesash bazuar në performancën e çdo ofruesi, trajnime të menaxherëve të spitaleve dhe të stafeve për çështje organizative, financiare, teknike, rritje të aksesit të popullatës për përfitimin e shërbimeve. Nëpërmjet të gjitha kërkesave të ISKSH-së synohet reduktimi i shkallës së informalitetit në shërbime.
Përfitimet
Shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore do të shërbejë për rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor në të gjitha spitalet e vendit, nga e cila do të përfitojnë edhe pacientët. Pacientët do të marrin shërbim më cilësor dhe do të kenë mundësin të përfitojnë më tepër shërbime falas. Bëhet fjalë për ata pacientë që janë të siguruar. Shtrirja e skemës dhe autonomia e spitaleve presupozohet të sjellë më tepër të ardhura për qendrat spitalore, ku mendohet se nuk do të mungojnë përkushtimi i mjekëve dhe pajisjet për kryerjen e vizitave. Skema e re e sigurimeve shëndetësore u bë e njohur pak kohë më parë nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila deklaroi se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit ai që do të lidhë kontratë me stafin. Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës.
box
Reforma
Përmirësim të shkallës së autonomisë së spitaleve.
Përcaktim të standardeve për llogaritjen e kostos: për shërbim,
për rast diagnoze dhe grup diagnoze (DRG).
Standarde për matjen e cilësisë dhe të performancës në spitale.
Implementim të një sistemi unik informacioni.
Miratim të Protokolleve të trajtimit spitalor.
Përmirësim dhe zbatim të sistemit të referimit.
Sistemi fleksibël pagesash bazuar në performancën e çdo ofruesi.
Trajnime të menaxherëve të spitaleve dhe të stafeve për çështje organizative, financiare, teknike.
Rritje të aksesit të popullatës për përfitimin e shërbimeve.
Reduktim të shkallës së informalitetit në shërbime.
Nxitja e privatizimit të shërbimeve specifike për rritjen e cilësisë së shërbimit.
Vasili bën apel për dhurimin e gjakut, spitalet dhe bankat bosh
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili bën apel për dhurimin e gjakut vullnetar nga qytetarët. Specialistët shprehen se bankat e dhurimit të gjakut dhe spitalet që kanë nevojë për marrjen e tij janë bosh. Deklaratat janë bërë gjatë inaugurimit të qendrës më të re të gjakut pranë stadiumit “Dinamo”, e cila do të presë vullnetarë për sigurimin e dozave të gjakut në ndihmë të personave në nevojë. Ministri Vasili theksoi se ndryshimi i sistemit të dhurimit të gjakut, nga ai tradicional me pagesë drejt dhurimit të gjakut vullnetar, përbën një nga sfidat e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai theksoi se Qendra Kombëtare e Kontrollit të Gjakut do të pajiset vitin e ardhshëm me pajisje moderne për kontrollin dhe cilësinë e gjakut. Mungesat e gjakut janë tepër të theksuara dhe dhurimet vullnetare janë të reduktuara në maksimum. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Gjakut se aktualisht nuk ka rezerva të gjakut, madje nuk ka as dhurime për të mbuluar rastet e përditshme që paraqiten në spitale. Ndërsa Shoqata e Talasemikëve bëri të ditur se fëmijët e vegjël që vuajnë nga kjo sëmundje kthehen në familje pa marrë dozat e nevojshme për të kuruar sëmundjen. Kjo shoqatë bën të ditur se nuk ka doza për të plotësuar kurimin e përditshëm të pacientëve të vegjël. Disa sëmundje janë të detyrueshme që të marrin gjak tre herë në javë, ka është e pamundur që të sigurohet nga spitalet tona. Aktualisht, në të gjithë vendin funksionojnë 29 banka të dhurimit të gjakut. çka do të ishte e mjaftueshme për plotësimin e nevojave që kanë spitalet aktualisht, por dhurimi i gjakut është në faza tepër të ulëta, sidomos pas hyrjes në fuqi të ligjit për dhurimin e gjakut pa pagesë. Më parë, dhurimet ishin disi më të larta, pasi disa kategori qytetarësh dhuronin gjak jo vetëm për vlerësimin e ndjenjës morale, por edhe për para.
26 Tetor 2009