Dominim bardheblu, rinisen kampionët
Falë dy golave në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, Tirana ia doli të koleksionojë tri pikë të çmuara në fitoren 2-0 kundër Teutës, në ndeshjen e javës së 8-të të Kategorisë Superiore, duke bërë autokritikën më të mirë pas humbjes 2-1 në derbi me Dinamon një javë më parë. “Për ne ishte një rezultat shumë i rëndësishëm, pasi na jep garanci për vazhdimësinë. Tani të mendojmë për të ardhmen. - tha i kënaqur trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, në ndeshjen e tij të dytë sezonale në bankinën e 24-herë kampioneve, një fitore e shijuar në tribunën “Vip” të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
NDESHJA
Ndeshja nisi me një minutë heshtje në shenjë respekti në kujtim të Enver Shehut, ish-trajnerit të famshëm të Tiranës, të ndarë nga jeta të enjten e kaluar. Me kapitetin Devi Muka e mbrojtësin e Kombëtares, Andi Lila në lojë, Tirana shfaq agresive qysh në minutat e para, duke synuar ta zhbllokojë rezultatin shumë shpejt. Pa kaluar ende 100 sekonda lojë, Lila kombinoi me Jetmir Sefën, por gjuajtja e mesfushorit të Kombëtares u devijua në goditje këndi nga portieri i Teutës, Bledi Vashaku. Disa minuta më pas, ishte Gjergji Muzaka që harkoi për Arbër Abilaliajn, por golashënuesi më i mirë i Tiranës gjatë këtij sezoni, nuk e gjeti dot kuadratin e portës kundërshtare. Dialogu “sulmi i Tiranës-mbrojtja e Teutës” dominoi në pjesën e parë , por pa bardheblutë nuk mundën të realizonin. Në pjesën e dytë ishte Bici, që ngacmon portën durrsake me një gjuajtje me kojë pas goditjes së këndi të ekzekutuar nga Muka. Në minutën e 76-të erdhi edhe goli i parë i shumëpritur i Tiranës, me anë të një kryevepre të 25-vjeçarit Gjergji Muzaka. Ish-lojtari i Partizanit depërtoi në brendësi të zonës, shmangu me elegancë disa lojtarë dhe në pozicion të prirët me portën gjuajti fuqishëm me të majtën, duke detyruar 28-vjeçari Vashaku ta nxjerrë topin nga rrjeta. Tirana gjeti ritmin e duhur dhe kërkoi të dyfishonte menjëherë rezultatin, në të 81’ me anë të Devi Mukës, i cili ekzekutoi mjeshtërisht një goditje këndi drejt e në portë, portieri Vashaku grushtoi, por kapiteni i Tiranës pretendoi pranë gjyqtarit ndërkombëtar Albano Janku se sfera më parë kishte kaluar vijën fatale të portës. Katër minuta më pas, Teuta mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të Akil Jakupit, çka solli edhe protestën e stafit teknik të durrsakëve. Në minutën e 90-të erdhi edhe goli i dytë i Tiranës, i realizuar me kokë nga mesfushori 31-vjeçar gjirokastrit, Bledar Devolli. Gjergji Muzaka kroson nga këndi dhe Devolli i pambuluar brenda zonës godet me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, në trekëndëshin e djathtë të portës së Vashakut, duke firmosur edhe fitoren e 3-të sezonale të bardhebluve, e duke ngjitur skuadrën në kuotën e 11 pikëve. Për Teutën kjo ishte humbja e katërt në tetë javët e para, teksa skuadra durrsake ende nuk e njeh barazimin, pasi në katër të tjerat ka dalë fituese.
TRAJNERËT
JOSA (Teuta): “Tirana e meritoi fitoren”
Dominimin e Tiranës e pranoi edhe trajneri i Teutës pas takimit:
“Luajtëm mirë, por Tirana këmbënguli më fort se ne deri në fund. Në fillim u ndjemë në vështirësi, sidomos nga Muzaka në krahun e djathtë. Nëse do të kishte shënuar Mile ne rastin e pastër që pati, do të flisnim ndryshe. Megjithatë, Tirana këmbënguli më shumë se ne, pra e kërkoi dhe e mori fitoren”.
TAFAJ (Tirana): “Rezultat e garanci”
Edhe pse rezultati 2-0 flet për Tiranën, trajneri i saj, Tafaj, e pranoi vështirësinë e takimit. “Për ne ishte një rezultat shumë i rëndësishëm, pasi na jep garanci për vazhdimësinë Sigurisht që hasëm në vështirësi, pasi kishim përballë një kundërshtar që mbrohej me forca të shumta. Goli nuk doli shpejt dhe për pasoje skuadra u fut ne ngërç. Përgëzoj Mukën dhe lojtarë e tjerë për atë që bënë sot”
Tirana-Teuta 2-0
Shënues: Muzaka 76’, Devolli 90’
Tirana: Nallbani, Osmani, Lila, Bici, Abraham, Pashaj (Karabeci 57’), Devolli, Muzaka, Sefa (Ahmataj 74’), Muka (S.Lilaj 82’), Abilaliaj. Trajner: Alban Tafaj
Teuta: Vashaku, Jakupi, Ndreka, Dushku, Ymeraj (Hoxha 16’), Hodo, Deliallisi (Mersini 81’), Muçollari (Rakipi 85’), Stafa, Hyseni, Mile. Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: A.Janku, G.Qirici (Tiranë) R. Çokaj (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Bici, Osmani, Lila/ Ndreka, Jakupi (2)
Kartonë të kuq: Jakupi 85’
Golat
1-0
76’ Muzaka depërtoi në brendësi të zonës, shmang disa lojtarë dhe në pozicion të prirët me portën, gjuaj me të majtën dhe shënoi.
2-0
90’ Muzaka krosoi nga këndi dhe Devolli i pambuluar brenda zonës godet me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë e Vashakut.
Kategoria Superiorë
Java e 8-të
Të shtunën, 24 tetor
14:00 Laçi-Vllaznia 3-1
50’ Arlind Nora, 63’ Emiljano Veliaj, 70’ Valdano Nimani/ 82’ Fetim Kasapi
14:30 Gramozi-Kastrioti 0-0
14:30 Tirana-Teuta 1-0
76’ Gjergji Muzaka, 90’ Bledar Devolli
Të dielën, 25 tetor
13:00 Skënderbeu-Dinamo
14:30 Flamurtari-Shkumbini
Të hënën, 26 tetor
14:30 Besa-Apolonia
RENDITJA
1 Dinamo 7 19
2 Besa 7 17
3 Apolonia 7 15
4 Teuta 7 12
5 Tirana 8 11
6 Skënderbeu 7 9
7 Kastrioti 7 8
8 Laçi 8 8
9 Shkumbini 7 7
10 Vllaznia 7 7
11 Gramozi 8 7
12 Flamurtari 7 6
26 Tetor 2009