E Diel, 1 Nëntor 2026

TEATRI KOMBËTAR, rikthehen “Menaxheria e qelqtë” dhe “Alegreto Albania”



Së shpejti, në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të rikthehen dy pjesë; “Menaxheria e qelqtë” e Tenes Uilliamsit, me regji të Adonis Filipit dhe “Alegreto Albania” e Stefan Çapalikut, me regji të Altin Bashës. Komedia e parë sjell historinë e një familjeje amerikane, të treguar në mënyrë retrospektive. Kujtimet e djalit të familjes na njohin me historinë e një nëne dhe të dy fëmijëve të saj, tashmë të rritur. Pjesa pasqyron iluzionet e një realiteti dhe bote të pamëshirshme. Dramaturgu amerikan Tenese Uilliams (1911–1983) ka fituar shumë çmime teatrale për veprat e shkruara prej tij. Në këtë pjesë interpretojnë aktorët e Teatrit Kombëtar Yllka Mujo, Arben Derhemi, Monika Lubonja etj. Shfaqja është një prodhim privat i kompanisë teatrore “Art Blu”. Ndërkaq, sa i takon pjesës së dytë që do të rivihet në skenën e Teatrit Kombëtar në datën një nëntor, “Alegreto Albania” është një tjetër komedi serioze që sjell si protagonistë aktorin Mirush Kabashin, Ahmet Pashën e Vasjan Lamin, si edhe një grup aktorësh më të rinj, ku mund të përmendim Olta Dakun, Gazmend Pajën, Xheni Famën dhe Klea Konomin. Skenografia dhe kostumet të kësaj shfaqjeje i janë besuar Iliriana Loxhës, ndërsa muzika, Ramazan Kaponit. Komedia serioze e Stefan Çapalikut (me regji të Altin Bashës) është vlerësuar pozitivisht nga kritika gjatë këtyre viteve në skenat brenda dhe jashtë vendit. Pjesa në fjalë, është një udhëtim brenda universit të individit në realitetin e sotëm. Në qendër të saj vihet një kryefamiljar i ngujuar së bashku me familjen e tij. Shfaqja i ngjan një procesi diagnostifikimi mjekësor. Radiografia e një familjeje të izoluar që jeton brenda një hapësire nën presionin e së nesërmes. Personazhet duken të futura në një kullë të ndërtuar nga shkallë, të cilat i ndihmojnë të ngjiten për të kontrolluar çdo gjë që i afrohet dhe për të zbritur poshtë në vetminë e izolimit. Madje aq të normalizuar duken me terrenin ku jetojnë; ecin, hanë e flenë... Gjithçka vërtitet mbi ato shkallë, që mund t’i ngrenë lart, por njëherësh mund edhe t’i varrosin.

“Giffoni 5”

Nga Elbasani, në burgun e të rinjve në Kavajë

Pas Elbasanit, dje, edicioni i pestë i “Giffoni Shqipëria” është ndalur edhe në Kavajë. Organizatorët patën menduar për një projeksion të veçantë të një prej filmave të këtij edicioni “Broken Hill”, në burgun e të rinjve në Kavajë. Namik Ajazi, drejtori i festivalit shprehet se “Kjo është një mundësi që këta të rinj ta ndjekin, të reflektojnë e të japin mendimet e tyre mbi këtë film, ngjarjet e të cilit zhvillohen në burg.” Filmi “Broken Hill” është një realizim australian i këtij viti, i cili u shkrua dhe realizua nga Dagen Merrill, nën interpretimin e aktorëve Luke Arnold, Timothy Hutton, Alexa Vega etj.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›