"Shëtitje" fotografike në mbretërinë e gurit
Fakulteti i Universitetit Mbretëror të Arteve të Bukura, në Stokholm, dhe fondacioni suedez, "Trashëgimia Kulturore pa Kufij", kanë çelur ekspozitën "Gjirokastra, restaurimi i një trashëgimie botërore". Ekspozita është rezultat i një pune njëvjeçare nga profesionistët skandinavë, studentë të kursit pasuniversitar në "Restaurimi/Ruajtja Arkitekturore" në Fakultetin e Universitetit Mbretëror të Arteve të Bukura në Stokholm. Njëzet punimet e ekspozuara përmbajnë studime të qytetit, shtëpive të tij dhe jetës brenda tyre, me tema të tilla si "Analiza e qytetit", "Një shëtitje në histori" dhe "Mburojë guri" etj. Sipas koordinatorit të projektit, Bojken Abazi, ekspozita është veprimtaria kryesore e kampit të 3-të të restaurimit që "Trashëgimia Kulturore pa Kufi" po organizon, pjesë e projektit "Gjirokastra 2009-2011".