E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen ekspeditat në Bylis

Në qytetin antik të Bylisit, rreth 7 km larg Mallakastrës kanë filluar për të dytin vit gërmimet e ekspeditës shqiptaro-franceze, të cilat synojnë njohjen më të plotë të monumenteve të zbuluara deri tani, si dhe zbulimin e monumenteve të reja.

Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Bylisit, Bashkim Vrekajt, "në vazhdim të ekspeditës së një viti më parë, ekipi i përbashkët shqiptaro-francez do të vazhdojë gërmimet në këtë qytet antik deri më datën 3 qershor". Profesor Vrekaj pohon se "gërmimet do të fokusohen në punishten e verës dhe ambientet pranë saj, si dhe në banesën e Terencianit, një monument i ri ky i zbuluar vitin e kaluar, në të cilin krahas ambienteve të banesës u zbuluan edhe dy bazamente statujash përkujtimore, si dhe një shtat prej mermeri që i përkiste njërit prej bazamenteve".

"Gërmimet aktuale jo vetëm që premtojnë zbulimin e monumenteve të reja, por krijojnë mundësi edhe për restaurime, si në rastin e gërmimit në sterën antike", thotë Vrekaj. Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për nga vlerat monumentale. Bylisi ka qenë qyteti më i madh ilir në Ilirinë e Jugut dhe ka një pozitë zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi luginën e Vjosës. Emri i tij përmendet relativisht vonë nga kronikat e kohës. Në fillim del në trajtën Bulis, në ngjarjet e viteve 49-48 para.Krishtit. kur iu dorëzua Cezarit dhe shërbeu si bazë për furnizimin e ushtrisë së tij. Burimi më i hershëm për Bylisin vjen nga gjeografi grek, Pseudo-Skylaksi dhe daton në vitin 380 para.Krishtit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›