E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, në kërkim të identitetit

Shkodra duket e qetë në një ditë mesjave. Teksa mbërrin, panorama të duket e njëjtë me atë që lë apo gjen në çdo qytet tjetër. Njerëz që nxitojnë të mbarojnë punë e të tjerë që në rrufitjet e filxhanëve vrasin heshtur kohën. Jemi në ditë maji. Në vetëdije pret që syri të rrokë ndonjë turist apo grupe të tilla. Mendimi nuk nxitet nga shifrat që deklarohen zyrave, të barazvlerësuara me suksese qeverisjesh, por nga vlera të trashëguara në shekuj. Shkodra është mbrujtur me të tilla. Për vendasit ndoshta një shije që i ka velur tashmë, por kuriozë për të huajt. Teksa ecën, nuk të duhet shumë mund të kuptosh një "luftë" të hapur që modernia i bën tradicionales në këto anë. Gropa të hapura, shufra të gjata hekurash dhe tabela që reklamojnë ndërtime shumëkatëshe, shprehje të fantazive arkitekturore, të imponohen natyrshëm. Më shumë se një betejë mes objekteve i përket racës njerëzore, qenieve dhe kohës që rrëzon apo ngre vlera. Teksa rruga vazhdon më tej në rrokje të traditës, objekte të tëra "klithin" histori. Gurët, drurët, harqet e shumta në fasada janë një histori memece. Asnjë vizitor nuk mund t‘i shpërfillë. Ideja të përforcohet kur arrin te rruga e Pjacës. Kjo rrugë muze tashmë është kthyer në pedonale. E shtruar me gurë, me stola të vendosur përgjatë saj dhe me fasada tërësisht të restauruara, u takon tërësisht qytetarëve. Ka qenë një projekt i Institutit të Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, që i ka dhënë një tjetër pamje. E kanë emërtuar "Kol Idromeno". Specialistët e monumenteve preferojnë ta quajnë kthim në identitet, ndonëse nuk është mirëfilli. Janë hapur skica e foto të vjetra të kësaj rruge, për t‘i shkuar sa më afër asaj të dikurshmes. "Duke parë lidhjet që Shkodra ka pasur me qytetet e tjera të bregut dalmat, u kërkua që të imitohej një nga ato qytete. Dubrovniku ka pjesë të shtruara të po të njëjtit model. Është bërë një investim në shumën e 55 milionë lekëve të reja, të cilat kanë përfshirë edhe ndërhyrjet në infrastrukturën nëntokësore", shprehet Ervin Gjini, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Shkodër. Dy punonjës i gjen ende duke rregulluar ndonjë pllakë guri gjatë rrugës. Ndërsa bizneset në të dyja anët duket se kanë nxituar t‘i përshtaten këtij realiteti të ri, të një shëtitoreje të qytetit. Ndërsa vështrimi ndalet në banesa të tjera tipike të qytetit, disa monumente kulture e të tjera jo, duket (në mos ideja është e gabuar) se thirrja e traditës është e fortë. Mjaft banesa të vjetra, të ruajtura me pamjen e dikurshme, të përshtatura për lokale, duke hequr dorë nga një farë luksi i shndërruar në modë për disa vite, ta bën idenë mbizotëruese. Por përtej këtij vullneti personal të njerëzve, për specialistët e monumenteve të kulturës, ruajtja e tyre është një detyrim. Drejtori Gjini shprehet se projekte do të ketë edhe në vazhdim. Ka shumë për të bërë, jo vetëm në Shkodër. Tranzicioni nuk la pa prekur as monumentet e kulturës, të mbushura plot problematikë. Përballë nevojave, qëndron kokëfortë mungesa e fondeve. Sipas Gjinit, në vazhdimësi të Pjacës, shtrirja e restaurimit do të vazhdojë në aksin tjetër të rrugës muze, "Kardinal Koliqi", ose e njohur prej shkodranëve si "Gjuhadol". Është një investim rreth 67 milionë lekësh të reja që financohet nga Komisioni i Evropës për pjesën e rrugës (e cila nuk do të jetë pedonale), ndërsa pjesa e fasadave është përfshirë në projektin e qendrave historike të Komisionit Evropian me 58 milionë lekë të reja. Nga buxheti i shtetit, sivjet përfitojnë vetëm dy monumente kulture në Shkodër: prefektura dhe kulla e Gjon Marka Gjonit. "Kjo është e vetmja kullë e këtij tipi në Shqipëri, një monument që tregon madhështinë e kësaj familjeje. Është një ansambël me dy objekte: një banesë dykatëshe dhe një kullë pesëkatëshe që atëkohë ishte imponuese për qytetin e Shkodrës dhe e vetmja pikë referimi për atë zonë. Për restaurimin e saj janë akorduar 8 milionë e 700 mijë lekë të reja. Godina tjetër që përfiton është prefektura, e shpallur monument i kategorisë së dytë në vitin 1988 dhe monument i kategorisë së parë në vitin 2007. Edhe sot vazhdon të kryejë funksione administrative, e projektuar si e tillë nga pushteti otoman më 1879. Ka vetëm dy godina të tjera të ngjashme: njëra është në Dubrovnik dhe tjetra në Damask të Sirisë", shprehet Gjini. Bashkia e vjetër dhe shtëpia e Nikolin Ujkës, pjesë e ansamblit muze, do të restaurohen me fonde private. Specialistët janë të vetëdijshëm se kaq nuk mjafton për t‘u kthyer identitetin këtyre godinave-muze, të cilat janë në një "luftë" të vazhdueshme me kohën dhe me vullnetin e njerëzve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›