Bajden në Kosovë: Pavarësia s’kthehet, kufijtë të pandashëm
“Kosova gëzon pavarësi të pakthyeshme dhe kufij të pandashëm”, ishte deklarata e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden pas mbërritjes në Kosovë për të mbyllur turneun e tij ballkanik. Mesazhet ishin shumë të qarta për liderët dhe popullin e Kosovës. Xho Bajden mbërriti paradite në aeroportin ushtarak të Prishtinës me avionin “Air Force 2” në orën 09:38 minuta. Zëvendëspresidenti amerikan është pritur nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ambasadorja amerikane Tina Kajdonou dhe zonjat Sejdiu e Thaçi, si dhe me nderime të larta nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më pas me helikopter është nisur drejt kryeqytetit në bazën e KFOR-it për të takuar ushtarët amerikanë dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Kosova ka mikpritur në mënyrë madhështore nënpresidentin amerikan, Xho Bajden, me rrugë të mbushura me mijëra flamuj amerikanë dhe kosovarë, që nga aeroporti, e duke veshur çdo cep të Prishtinës. Mijëra njerëz kanë mbajtur foto të Xho Bajdenit, mbështetës i njohur prej dekadash i pavarësisë së Kosovës. Nëpër rrugë kishte pankarta të mëdha me mesazhe: “Mirëserdhe zëvendëspresident Bajden”, “Thank you USA”, “We love USA”, etj. Në të gjitha rrugët e Prishtinës ishin vendosur fotografi të nënpresidentit Bajden. Mijëra nxënës dolën për të pritur mikun e madh të shqiptarëve që pranë aeroportit, me flamuj dhe pankarta në duar. Mijëra njerëz brohoritnin dhe duartrokisnin fort në kohën kur kalonte autokolona që përcillte zëvendëspresidentin Bajden. Bajden u takua me Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi para se të mbante fjalimin në Kuvendin e Kosovës. “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo nuk do të ndryshojë. Një Kosovë e tërësishme dhe e bashkuar është minimumi që duhet të përmbushet në kuptimin e politikës amerikane. Kosova e Bashkuar dhe e pandarë absolutisht është thelbësore”, tha nënpresidenti amerikan Bajden. Ai vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë përparim të konsiderueshëm në vitin e parë. Por ai kërkoi që të vazhdohet me këtë sukses, duke thënë se “përderisa të ketë sukses dhe pandashmëri ju mund të llogariteni në mbështetjen e SHBA-së”. Bajden theksoi se ky është një shans i madh për Kosovën, që Evropa dhe SHBA t’i mbështesë të gjithë. “Vendi juaj do të jetë totalisht i hapur, kjo do të ndodhë dhe ne do ta ndërtojmë atë për herë të parë”, tha Bajden. Ndërsa Presidenti Fatmir Sejdiu theksoi përkushtimin dhe mirënjohjen e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e lirisë, paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës. “Duhet të kemi një përkushtim të thellë ndaj atyre që Shtetet e Bashkuara dinë të bëjnë për mbështetjen e Kosovës, mbështetjen e lirisë së saj, mbështetjen e paqes, mbështetjen e stabilitetit dhe mbështetjen e zhvillimeve tona”, theksoi Presidenti Sejdiu dhe uroi SHBA-të në anglisht “God bless America”. Kryeministri Thaçi e ka quajtur vizitën e Bajdenit një ditë të veçantë për popullin e Kosovës, duke thënë se ky “është një konfirmim i mbështetjes së SHBA-së për progresin në Kosovë”.
Protestë në Mitrovicë
Qytetarët serbë janë mbledhur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, Mitrovicë, në shenjë proteste për vizitën e nënpresidentit Bajden në Beograd dhe në Prishtinë. Qytetarët serbë të Kosovës dhe liderët e tyre kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj pranë përmendores së të vrarëve gjatë bombardimeve të NATO-s. Marko Jakshiq, njëri prej liderëve të serbëve lokalë, ka shprehur revoltën me fjalë fyese. Pas protestës, që përfundoi në mënyrë të qetë, përfaqësuesit e “Lëvizjes Popullore të Atdheut”, në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë, dogjën flamujt e SHBA-së dhe Malit të Zi. Anëtarët e kësaj organizate kanë hedhur parulla kërcënuese dhe fyese ndaj nënpresidentit Xhozef Bajden.
Deklarata e Sejdiut
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se nënpresidenti Xhozef Bajden gjithë shekullin e punës së tij ia kushtoi lirisë njerëzore, humanizmit e demokracisë dhe në emër të qytetarët dhe institucioneve të Republikës së Kosovës e falënderoi nga zemra atë, Qeverinë dhe popullin amerikan, që “në çastet më të rënda të historisë sonë na ndihmuat ta mbajmë gjallë shpresën tonë për jetë dhe liri”. Presidenti Sejdiu dekoroi zotin Bajden. “Duke i pasur parasysh cilësitë e rralla të personalitetit të tij, si President i Republikës së Kosovës, unë sot dekoroj zëvendëspresidentin Bajden me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’”. Presidenti Sejdiu theksoi se populli i Kosovës e di se cilët ishin dhe janë miqtë e tij, të cilët bënë që ëndrra jonë të bëhet realitet i pakthyeshëm.