PS-PD ndryshojnë listat e deputetëve
bledar hoti
PD dhe PS ndryshojnë sërish listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Mosplotësimi i kriterit prej 30 për qind të gjinisë femërore ka detyruar partitë e mëdha të ndryshojnë edhe një herë listat e deputetëve. Pranë KQZ-së, sipas burimeve zyrtare, mësohet se janë depozituar lista të reja, të ndryshuara në disa qarqe. PS-ja mësohet se ka kërkuar ndryshime në qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës. Në Shkodër ka hequr emrin e Helidon Beles, duke e zëvendësuar me Zana Golemin. Ndërsa në Kukës janë ndryshuar emrat e vendit të katërt me të tretin, duke bërë që Tatiana Kërxhaliu të jetë e treta në listë dhe i katërti Rexhep Ukperaj. Ndërsa në qarkun e Lezhës mësohet është hequr emri i Fran Markut, për t’u vendosur ai i një gruaje, por emri ende nuk dihet. Nga ana e saj edhe PD-ja mësohet se ka bërë ndryshime në disa qarqe, në Tiranë ka shtuar emrin e rektorit Dhori Kule, duke e marrë nga Berati. Ai është vendosur në qarkun e Tiranës, në vend të Migeni Reçit. Kandidatja e PD-së është vendosur në qarkun e Beratit, duke zënë vendin numër 7 ku ishte më parë rektori Dhori Kule. PD ka bërë ndryshime edhe në qarqet e Dibrës dhe Vlorës, por gjithçka do të bëhet zyrtare sot.
Listat me gabime
Një pjesë e pasaktësive në lista dhe me faktin e mosplotësimit të kriterit ligjor prej 30 për qind të listës së të njëjtës gjini, ku përveç partive të vogla edhe ato të mëdhatë, PS dhe PD kanë mangësi në listat e partive politike. Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë hapësirë për partitë politike që edhe nëse nuk i afrohen pragut prej 30 për qind të grave në listën e partive. Shkak u bë precedenti i listës së paraqitur nga ana e Partisë Agrare, ku në qarkun e Shkodrës kishte vetëm tri femra. Në lidhje me këtë kreu i KQZ-së, Arben Ristani bëri të qartë se, “nëse i përafrohet lista e partive pragut të secilës gjini, kjo mund të jetë e pranuar”. Neni 67 i Kodit Zgjedhor parashikon që në listat e partive politike duhet të ketë 30 për qind të listës së të njëjtës gjini, si dhe të paktën një ndër tre emra të jetë femër. Kjo i ka hapur shteg abuzimeve me listat, në një kohë kur ende nuk ka nisur shqyrtimi i listave të partive të mëdha në vend. Ky propozim është miratuar vetëm me 4 votat pro të anëtarëve të KQZ-së, Arben Ristani, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanajt. Ndërsa tre anëtarët e tjerë Dëshira Subashi, Artan Lazaj dhe Pandeli Varfi votuan kundër. Sipas Ristanit partitë kanë të drejtën të ndryshojnë listat deri në momentin kur KQZ-ja të marrë vendimin përfundimtar. Ndërsa KQZ-ja ka rënë dakord në lidhje me faktin se kandidatit që i mungon dokumenti i identifikimit, pasaporta apo letërnjoftimi të paraqesin edhe certifikatë me pasaportë. Kjo gjë u vendos pasi u konstatua se një pjesë e mirë e partive politike kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur. Aleanca Kombëtare Partia Agrare Ambientaliste, Partia e Punës së Shqipërisë së Riorganizuar, Partia Demokracia Sociale, Partia Balli Kombëtar, Partia Bashkimi Liberal iu kthyen mbrapsht listat për shkak të mangësive në dokumentacion.
Largimi i PS
Partia Socialiste ka shprehur zyrtarisht pakënaqësinë ndaj kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani në lidhje me mënyrën e procedimit të shqyrtimit të listës së deputetëve, duke e akuzuar për njëanshmëri. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj tha se, “unë dyshoj se ju nuk bëni politikën e KQZ-së, por të Partisë Demokratike. Të jeni i bindur zoti kryetar se unë jam i autorizuar që të shpreh qëndrimin zyrtar të PS-së, ne mund të rishikojmë vendimmarrjen tonë në KQZ. Këtë e kam me autorizim të plotë ta them”, deklaroi Gjonçaj, i cili më pas është larguar nga mbledhja e KQZ-së. Shkak është bërë vendimi i KQZ-së për mosmiratimin e listës sipas qarqeve, por në një tërësi. “Kjo mund të thotë se ne mund të na ndryshohet lista e partive, pasi ju e mbani të bllokuar. Kërkoj që vendimi të merret sipas qarqeve”, tha Gjonçaj. Por një kërkesë e tillë u rrëzua nga ana e katër anëtarëve të KQZ-së, ndërsa tre anëtarët e opozitës votuan kundër propozimit të Ristanit që vendimi të jetë i njëjtë për tërë qarkun.
disa nga ndryshimet e listave ne qarqe
Lista e re e PD-së
BERAT
1. Genc Pollo
2. Mehmet Xheka
3. Lefter Maliqi
4. Thoma Rumiçi
5. Bujar Hoxha
6. Miranda Haxhia
7. Migeni Reçi
8. Edi Poni
TIRANE
1. Sali Berisha
2. Aldo Bumçi
3. Rajmonda Bulku
4. Bujar Nishani
5. Majlinda Bregu
6. Gerti Bogdani
7. Genti Strazimiri
8. Florjon Mima
9. Ilir Rusmali
10. Myqerem Tafaji
11. Luan Skuqi
12. Tritan Shehu
13. Viktor Gumi
14. Arben Imami
15. Lajla Përnaska
16. Vath Tabaku
17. Jorida Tabaku
18. Edit Harxhi
19. Altin Ndoqi
20. Kastriot Sulku
21. Galip Rramadhi
22. Tauland Bino
23. Ermal Domi
24. Gjergji Bojaxhi
25. Indrit Fortuzi
26. Arben Qirjako
27. Ferdinand Shehu
28. Jera Kruja
29. Arta Sakja
30. Dhori Kule
31. Keltis Kruja
32. Ylber Vata
Lista e re e PS-së
Kukës
1. Asllan Dogjani
2. Fatmir Hoxhaj
3. Tatiana Kërxhalliu
4. Rexhep Ukperaj
Shkodër
1. Ilir Beqja
2. Tom Doshi
3. Ndue Kola
4. Astrit Beci
5. Paulina Hoxha
6. Zana Golemi
7. Nikolin Dedvukaj
8. Falma Fshazi
9. Agim Shimaj
10. Luan Heta
11. Arta Gjonaj
Lezhë
1. Gjok Jaku
2. Gjovalin Kadelli
3. Armando Prenga
4. Ndrec Deda
5. Dave Gjoka
6. Manushaqe Kuli
7. ?