Bello: Gjinushi bën trafik mandatesh, ka privatizuar PSD
Aristir Lumezi
Nënkryetari i PSD-së, Pajtim Bello, akuzoi dje kryetarin e kësaj partie Skënder Gjinushi se ka privatizuar këtë parti, duke e keqpërdorur për interesat e tij personale. Veçanërisht kjo gjë, sipas tij, është bërë gjatë periudhave të zgjedhjeve, të hartimit të listave kur nuk i është shmangur trafikut të mandateve. Nënkryetari i PSD-së shprehet se trafiku i mandateve ka ndodhur në masë gjatë zgjedhjeve të 2005, 2007 dhe vazhdon edhe në listat e sotme për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, në 2005 forumet vensosën që renditja e deputetëve të bëhet sipas votave që do të merrte çdo kandidat. ‘Kryetari i partisë me sekretarin e përgjithshëm, Gjinushi dhe Rustem Preçi falsifikuan këtë vendim dhe çuan në KQZ një tjetër vendim. Sipas tij, dy gra futeshin automatikisht si deputete. Ndërkohë çohen dhe dy emra biznesmenësh, të cilët nuk ishin miratuar në Këshillin Drejtues”, shprehet Bello. Një sjellje e tillë, sipas tij, ka tronditur besimin te strukturat e partisë.
Ju keni qenë në krye të listës së kandidatëve të Tiranës për PSD, ndërsa në listën zyrtare emri juaj nuk figuron. Përse emri juaj ka rënë nga kjo listë, ka një vendim forumesh për këtë?
E vërteta është se unë para dy muajsh jam komunikuar nga kryetari i partisë se do të jem i pari në qarkun e Tiranës. Edhe në mbledhjen e konferencës së PSD Tiranë ma komunikoi këtë gjë, ndërkohë 3-4 ditë para hartimit të listës, me pretendimin se kryetarit Gjinushi i janë dobësuar pozitat në qarkun e Elbasanit, kërkoi të futej i pari në listën e Tiranës, gjë që mua nga ana morale nuk m’u duk e drejtë. E lidhur kjo edhe me një fenomen të ndodhur nga viti 2005 e në vijim, fenomen ky që ka të bëjë me mosrespektimin e vendimeve të strukturave të PSD.
Çfarë ndodhi në PSD gjatë zgjedhjeve të 2005?
Në ato zgjedhje u mor vendimi i forumeve që renditja e deputetëve do të bëhet sipas votave që do të merrte çdo kandidat. Kryetari i partisë me sekretarin e përgjithshëm, Gjinushi dhe Rustem Preçi falsifikuan këtë vendim dhe çuan në KQZ një tjetër vendim. Sipas tij, dy gra futeshin automatikisht si deputete. Ndërkohë çohen dhe dy emra biznesmenësh, të cilët nuk ishin miratuar në Këshillin Drejtues. Më e keqja pas mbarimit të zgjedhjeve, filluan të bëheshin manipulime dhe në procesverbale që të dilnin ata që donte kryetari dhe jo ata që kishin marrë votat e veta në garë. Praktikisht në legjislaturën që shkoi, nga 7 deputetë që kishte PSD, përveç kryetarit që e kishte miratuar Këshilli Drejtues, pavarësisht nga numri i votave, 6 të tjerët ishin ilegjitim, pra të pamiratuar nga strukturat e partisë, rregullorja dhe statuti.
Ju pretendoni se në zgjedhjet e 2005-ës për deputetët e PSD ka pasur një lloj “trafiku”?
Unë po them se me përjashtim të Gjinushit, 6 të tjerët erdhën nga një trafik mandatesh, për arsye dhe motive të ndryshme dhe grupi parlamentar i tillë rezultoi sepse nuk iu dëgjua zëri në 4 vjet dhe nuk dha asnjë dobi për PSD dhe imazhin e saj. Ky trafik mandatesh ka tronditur veçanërisht besimin brenda anëtarëve të kryesisë, drejtuesve të PSD-së.
Ka pasur vendim nga strukturat tuaja për një ndarje të mandatit mes atyre që u vendosën të themi nga kryetari dhe pjesës tjetër që kishte marrë vota direkt në zgjedhjet e 2005-ës?
Kjo është një çështje tjetër, pasi kryesia e partisë vendosi që për të korrigjuar gabimin e falsifikimit të ndryshimit të vendimeve të saj për kandidatët, të liroheshin mandatet të paktën për 4 apo 5 deputetë në mesin e mandatit pas dy vjetësh, gjë që e kanë bërë dhe parti të tjera, si LSI me rastin e Sabit Brokajt. Një gjë e tillë nuk u zbatua tek PSD-ja nga askush dhe nuk u mor në analizë me përjashtim të një rasti gjashtë muaj para zgjedhjeve, por si përfundim asnjë nga ata nuk e lëshoi mandatin, me pretendimin se ata nuk pranojnë të largohen. Ky fakt tregon edhe njëherë se grupi parlamentar i PSD-së ka qenë jashtë kontrollit dhe jashtë vendimeve të forumeve të kësaj partie, që vjen pikërisht nga trafiku i ndodhur që me marrjen e mandateve. Tek PSD-ja besimi reciprok është tronditur aq shumë sa po të shohim pikën e nisjes, këto reflektojnë në disa momente; e para veprimi i kryetarit që bëri me mua, ai thotë partia është e imja dhe unë mund të vë emrat që dua vetë. Ai mund të vinte emrin e tij në të 12 qarqet, po të ishte i ndershëm me të gjithë, ashtu siç nuk kishte asnjë arsye që të thoshte se do të vij në Tiranë. Pra, kjo ishte njëfarë hile nga ato që thonë të gjithë që i bën Gjinushi. E dyta, po të shohësh, një fenomen shumë tipik në qarkun e Fierit, është për të ardhur keq; vendosen në listë për të pasur garanci se mund të iki, meqenëse është femër, sipas kodit, vendoset motra e njërit nga kandidatët që është i katërti në listë. Kjo është skandaloze dhe tregon mungesën e besimit reciprok brenda strukturave dhe shokëve ka rënë në një pus të zi. Këto janë efekte negative, të cilat i kanë dhënë partisë një rezultat negativ edhe në 2007-ën, ku patëm një rezultat shumë të ulët për PSD-në, megjithëse ligji favorizon partitë e vogla, por me këtë lloj sjelljesh është e vështirë të arrihen ato objektiva që jep ligji.
Mendoni se ky është një nga shkaqet që në 2007-ën PSD kandidonte në mbi 30 njësi vendore, ku humbi një numër të madh të tyre?
Në rreth 32 njësi që ne morëm për të kandiduar, PS-ja bëri një farë diferencimi mes nesh dhe partive të tjera aleate. Nuk u favorizuam, ishim në disfavor. Por po të shikonim në luftën për këshilltarë, ndodhi i njëjti fenomen që ndodhi dhe në parti. Asnjë nuk besonte se ai që do merrte më pak do t’i hapte rrugën atij që do të merrte më shumë. Edhe në këtë rast patëm një tronditje të besimit, që dëmton procesin. Në shumë nga njësitë vendore ky parim nuk funksionoi, edhe në Tiranë nuk u pranua të zbatohej vendimi i forumeve të PSD dhe kjo ndikoi dhe në rezultat.
Ndryshime vendimesh të strukturave, falsifikime rezultatesh dhe dokumentacioni tregojnë për privatizim të partisë nga ana e kryetarit të partisë?
Deri diku kemi një tejkalim të kompetencave, por nuk do të thosha se nuk është dhe privatizim i partisë. Është një keqpërdorim i partisë për interesat e tij të ngushta.
Do të vazhdoni të jeni nënkryetar apo jeni tërhequr nga partia?
Unë nuk jam tërhequr nga partia. Natyrisht ky debat do të jetë më i gjatë pas zgjedhjeve, sepse në fund të fundit unë mendoj se edhe e majta dhe PSD është më e madhe se zyrat e Skënderit. Unë do të jem në vazhdimësi duke kontribuar për të majtën në këto zgjedhje.
Pra kërkohet një reformim, analizë dhe ndoshta dhe ndryshim i kryetarit?
Patjetër, përderisa drejtuesit e partisë janë lidhur ngushtë me interesat e tyre private dhe kërkojnë që elektoratin, aq sa është ta tërheqin për interesat e tyre, kjo është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme si për PSD-në ashtu dhe për të majtën shqiptare.