Topi: Koha për liberalizim vizash në rajon
Shqipëria dhe Kroacia ndajnë të njëjtin qëndrim për liberalizimin e vizave brenda rajonit të Ballkanit. Kjo u konfirmua edhe gjatë ditës së dytë të vizitës së Presidentit Bamir Topi në Kroaci. Gjatë një takimi pune me Kryeministrin Ivo Sanader, kreu i shtetit tha se “çështjes së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave i ka ardhur koha për t’u finalizuar, meqenëse vullneti politik ekziston”. Nga ana e tij Sanader theksoi se kjo do të bëhet sa më shpejt, duke e garantuar njëkohësisht se Kroacia do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për përçimin e përvojës në drejtim të përmbushjes së të gjitha standardeve dhe realizimit të aspiratës integruese të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane. Presidenti Topi u takua gjithashtu me Kryetarin e Parlamentit kroat, Luka Bebiç. Në ditën e parë të vizitës në Zagreb, Topi mori nga homologu Mesic “Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit”, urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-kroate.